1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bundestagu gjerman: t'i jepet fund vdekjes në Mesdhe

Vdekja e qindra refugjatëve në Mesdhe i preokupon të gjithë në politikën gjermane. Në Bundestag (parlamenti gjerman) deputetët diskutuan, se si mund të parandalohen në të ardhmen katastrofa të tilla.

Kampe pranimi në Afrikën e Veriut, misione ushtarake kundër kontrabandistëve, apo tragete që vijnë nga Afirka në Europë – ka shumë ide dhe propozime, se si mund të parandalohen në të ardhmen katastrofat e anijeve në Mesdhe. E pothuajse të gjitha këto u diskutuan në Bundestag një ditë para konferencës së BE-së në Bruksel për refugjatët organizuar me urgjencë. Pas një minutë heshtjeje për viktimat e fatkeqësisë së fundit deputetët nisën diskutimin. Gjatë diskutimeve të gjithë ishin në unanimitet: se duhet t'i jepet fund vdekjes në Mesdhe.

Si masë e parë duhet të përmirësohet shpëtimi i emergjencës në det, deklaroi ministri i Brendshëm Thomas de Maizière (CDU). Ai e përshëndeti propozimin e BE-së për dyfishimin e financimit të programit për mbrojtjen bregdetare "Triton" me gjashtë milionë Euro në muaj. Opozita në të kudnërt kërkoi, që të rifillojë programi më i zgjeruar "Mare Nostrum" dhe që ai të financohet nga BE-ja. Ky program italian, i aplikuar pas katastrofës së anijes së mbytur në Lampeduza në vitin 2013, u ndërpre për shkaqe financimi, kritikoi kryetarja e grupit parlamentar të ekologjistëve, Katrin Göring-Eckardt. Sipas saj, shpresohej, se me këtë mund të shuhej joshja për refugjatët, që ndërmarrin udhëtimin e rrezikshëm përmes Mesdheut. "Nuk është Mesdheu i tmerrshëm, por ka një politikë të izolimit, që po ndiqet prej vitesh", tha ajo duke shtuar: "Kur është fjala për ekonominë dhe finncat ne vemë në dispozicion ombrella gjigante shpëtimi. Kur bëhet fjalë për refugjtët, ne dështojmë për nëntë milionë Euro."

Të bllokohet aktiviteti i kontrabandistëve

Politikania ekologjiste u shpreh: të luftohen kontrabandistët, të cilët i konfrontojnë refugjatët me rrezikun vdekjeprurës duke i transportuar me barka të vjetra. Këtë objektiv e mbështet edhe qeveria federale. Ministri i Brendshëm de Maizière i cilësoi kontrabandistët si "kriminelë të ndyrë" dhe kërkoi, që atyre t'u bllokohet aktiviteti. "Nga Libia bandat e kontrabandistëve mund t'i dërgojnë fare hapur refugjatët drejt vdekjes, ata munden ta vazhdojnë të shpenguar këtë aktivitet. Ndaj ne duhet të diskutojmë, se si mund të shkatërrohen këto barka të vdekjes, se si mund ta dëmtojmë infrastrukturën e tyre", deklaroi ai. Në rast të kundërt madje duhet të veprohet në mënyrë preventive, që anije të tilla të mos vihen në përdorim.

Deputeti socialdemokrat Rüdiger Veit tërhoqi vëmendjen, që diskutimi të mos kufizohet vetëm tek lufta kundër kontrabandistëve. Nuk ka shumë kontrabandistë, që i nxisin shumë refugjatë të marrin rrugën nga Afrika drejt Europës, por ka pikërisht kaq shumë kontrabandistë, sepse ka shumë refugjatë. Veit bëri thirrje, që ata që kanë nevojë për mbrojtje të shpërndahen në mënyrë më të drejtë në vendet anëtare të BE-së. Kjo kërkesë gjeti mbështetje të gjerë në Bundestagun gjerman. Nuk është e drejtë që vetëm dhjetë nga 28 vendet anëtare të BE-së pranojnë një numër të madh refugjatësh, theksoi ministri i Brendshëm de Maizière. Edhe të tjera shtete duhet ta pranojnë këtë përgjegjësi.

Flüchtlingsboot am Frachtschiff OOC Cougar

Barkë me refugjatë pranë anijes së transportit OOC Cougar, fotograf e marrë më 05.02.2015

Kampe pranimi në Afrikë?

Një propozim, i cili prej kohësh diskutohet ndër grupet parlamentare të unionit konservator, është ideja e krijimit të kampeve të pranimit në Afrikë, ku refugjatët mund të aplikojnë për azil në Europë. "Ne duhet të krijojmë qendra të tilla pranimi edhe jashtë Europës, në mënyrë që të mund të bëjmë verifikimin e kërkesave", rekomandoi deputeti krisitiansocial dhe ish-ministri i Brendshëm, Hans-Peter Friedrich. Por partia "E Majta" në opozitë është kategorikisht kundër të tilla opcioneve. Zëdhënsja e kësaj partie për politikën e brendshme, Ulla Jelpke, kërkoi që në vend të kësaj në Afrikë të dërgohen tragete, për t'i sjellë refugjatët në Europë. Këtu ata mund të paraqesin më pas kërkesën për azil. Ajo bëri thirrje gjithashtu që në Afrikë të luftohen shkaqet e emigrimit. E kjo kërkon një politikë të drejtë ekonomike e tregtare.

Ministri i Jashtëm Steinmeier u shpreh pak optimist lidhur me luftimin e shkaqeve të emigrimit. Sipas tij është e lehtë të shtrosh një kërkesë të tillë, por kudo atje, ku shteti dështon, është e vështirë të ndërtosh diçka. Stabilizimi i shteteve në krizë kërkon shumë mundim, kohë dhe durim.

DW.COM