1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bundestagu aprovon bisedimet e reja me Greqinë për programin e tretë të ndihmës

Parlamenti gjerman dha dritën e gjelbër për fillimin e negociatave për një program të tretë ndihme për Greqinë. Votimi ishte i qartë dhe me pjesëmarrje të lartë.

Nga 598 deputetët që votuan, 439 votuan pro, bëri të ditur kryetari i Parlamentit Norbert Lammert pas seancës së posaçme në Berlin. 119 votuan kundër kërkesës së qeverisë dhe 40 abstenuan.

Kështu parlamenti gjerman i jep qeverisë mandatin që të negociojë në kuadër të vendeve të Eurozonës për kredi të tjera ndihme deri në 86 miliardë euro. Bundestagu do të votojë përsëri për rezultatin. Kjo pritet të ndodhë pas disa javëve.

Deri atëherë Greqia e rrezikuar nga falimentimi do të mbahet në jetë me një financim kalimtar, i cili u miratua gjithashtu nga deputetët. Votimi u parapri nga debate të ashpra. Të Gjelbrit dhe të Majtët akuzuan koalicionin se me kursime dhe reforma do t'i merret edhe më shumë fryma ekonomisë së vendit mesdhetar.

Me gjithë përpjekjet për të promovuar paketën e re të ndihmës kancelarja Angela Merkel bëri të qartë se qeveria e saj nuk i quan të mjaftueshme deklaratat e Athinës për realizimin e synimeve. Që brenda partisë së saj ka më shumë rezerva në lidhje me Greqinë, u bë e qartë gjatë votimit: 65 deputetë të grupit të saj parlamentar CDU/CSU votuan kundër programit të ri të ndihmës për Greqinë, duke devijuar në këtë mënyrë nga linja e qeverisë dhe e udhëheqjes së fraksionit.