1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestag-u miraton paktin fiskal evropian

Bettina Marx / Eliana Xhani30 Qershor 2012

Me shumicë të madhe dhoma e ulët dhe e lartë e parlamentit gjerman, miratuan paktin fiskal dhe ombrellën e përhershme për shpëtimin e euros, ESM. Por deputetët nuk i kursyen kritikat ndaj kancelares dhe qeverisë.

https://p.dw.com/p/15Ob2
Bundestag-u voton për paktin fiskal dhe ESM-në.
Fotografi: picture alliance / dpa

Seanca e fundit para pushimit të verës ishte dramatike dhe plot emocione. Deri minutën e fundit deputetët debatuan për rrugën e duhur në politikën evropiane dhe monetare. Në rend të ditës ishin pakti fiskal dhe ombrella e përhershme e shpëtimit të euros, ESM.

Vendimit e samitit të BE-së shkaktuan tensione

Merkel kërkoi mbështetje nga të gjithë deputetët
Merkel kërkoi mbështetje nga të gjithë deputetëtFotografi: picture alliance / dpa

Debati mori një karakter më delikat nga vendimet e samitit të BE-së një natë më parë (28.6.) në Bruksel. Ato shkaktuan zemërim dhe pasiguri në radhët e opozitës në Berlin. Komisioni për buxhetin u mblodh në një seancë të shkurtër për t'u konsultuar rreth rezultateve. Kancelarja Angela Merkel kërkoi me insistim mbështetje nga grupet parlamentare. Në Bruksel ajo ishte detyruar të lëshonte pe në disa pika qendrore. Kështu kryeministrat e Italisë dhe Spanjës luftuan për të marrë nga kancelarja gjermane premtimin që vendeve të tyre nuk do t'u vihen kushte të reja për ndihmat e mëtejshme nga fondi i shpëtimit. Veç kësaj bankat e tyre në situatë të keqe, mund të marrin direkt mjete financiare nga ombrella e shpëtimit ESM.

Në deklaratën e saj qeveritare Merkel e cila dukej e lodhur dhe e me pozita të dobësuara, i mbrojti vendimet e samitit dhe u bëri thirrje deputetëve të miratonin me shumicë dy të tretash të dy ligjet. Mes paktit fiskal dhe fondit të përhershëm të shpëtimit të euros ESM ekziston një lidhje ligjore. Rikapitalizimi direkt i bankave do të jetë i mundur vetëm atëherë kur të jetë krijuar një mbikqyrje e përbashkët bankare për Eurozonën, tha kancelarja.

Miratim nga socialdemokratët dhe ekologjistët

Kryetari i socialdemokratëve gjermanë (SPD) Sigmar Gabriel nuk e kritikoi Merkelin për gatishmërinë e saj për kompromis në Bruksel. "Ne mendojmë se është e drejtë që keni keni lëvizur nga pozicioni juaj" iu drejtua Gabriel kancelares. Rritja ekonomike dhe reduktimi i borxheve janë dy anë të së njëjtës medalje. Socialdemokratët e kanë kërkuar këtë prej kohësh, tha Gabriel. Me trysninë e tyre tani u miratua një pakt për rritjen ekonomike me një volum prej 120 miliardë euro. Megjithatë Gabriel nuk i kurseu kritikat në adresë të qeverisë. Ajo është bashkëpërgjegjëse për borxhet në rritje dhe shtimin e papunësisë të të rinjve në rritje në Evropë. Ai gjithashtu e akuzoi Merkelin për diletantizëm. "Mënyra juaj e bërjes politikë na ka vënë përpara vështirësive kushtetuese", tha Gabriel duke iu referuar padive para Gjykatës Kushtetuese.

Edhe ekologjistët i miratuan me shumicë votash të dy ligjet. Kryetari i grupit të tyre parlamentar Jürgen Trittin e akuzoi megjithatë kancelaren se ka forcuar krizën e besimit në Evropë me ngurrimet e saj. "Duhet të kishit vepruar më parë", tha Trittin. "Kriza ekonomike dhe financiare nuk e ka burimin tek dobësitë ekonomike të Evropës por tek dobësia politike, dobësia e institucioneve tona dhe mungesa e guximit politik për t'i kapërcyer këto vështirësi."

Padi në Gjykatën Kushtetuese

Kritika të ashpra nga politikania e majtë Sahra Wagenknecht.
Kritika të ashpra nga politikania e majtë Sahra Wagenknecht.Fotografi: picture-alliance/dpa

Vetëm grupi parlamentar i partisë "E Majta" votoi unanimisht kundër ESM-së dhe paktit fiskal. Ekspertja e kësaj partie për çështjet financiare, Sahra Wagenknecht, foli për një puç kundër kushtetutës. Politikanët e qeverisë veprojnë si marioneta, ata drejtohen nga bankierët dhe rezultati janë marrëveshje me të cilat mashtrohen qytetarët për të shpëtuar pasuritë e më të kamurve, tha politikania e majtë.

Qysh përpara debatit në Bundesdtag të majtët kishin paralajmëruar se menjëherë pas votimit do të paraqisnin padi në Gjykatën Kushtetuese.

Disidentë në radhët e grupeve parlamentare qeveritare

Gjatë debatit në Bundestag e morën fjalën edhe të ashtuquajturit "disidentë", deputetë të grupeve parlamentare të partive në qeveri, të cilët nuk pranuan të miratonin paktin fiskal dhe ombrellën e shpëtimit. Këtu bënin pjesë deputeti liberal (FDP) Frank Schäfler dhe ai kristiansocial (CSU) Peter Gauweiler. Edhe ata duan të ngrenë padi në Gjykatën Kushtetuese kundër marrëveshjeve.

Pas Bundestagut, të premten (29.6.) në mbrëmje edhe Këshilli i Landeve miratoi me shumicë dy të tretash ligjet përkatëse. Menjëherë pas miratimit në dy dhomat e parlamentit në Gjykatën Kushtetuese në Karlsruhe mbërritën paditë e para.