1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundestag: Orë përkujtimore për Luftën e Parë Botërore

Me një orë përkujtimore kujtoi Bundestagu gjerman fillimin e Luftës së Parë Botërore 100 vjet më parë. Orator kryesor ishte politologu francez i lindur në Gjermani, Alfred Grosser.

Ishte një atmosferë solemne dhe e përmbajtur nën kupolën e Reichstagut, kur deputetët u mblodhën në prani të Presidentit Joachim Gauck dhe të Presidentit të Gjykatës Kushtetuese, Andreas Voßkuhle për ceremoninë e shkurtër përkujtimore. Në tribunë patën zënë vend shumë miq të ftuar, midis tyre ish-Presidenti i Gjermanisë, Richard von Weizsäcker dhe ish-Presidenti francez, Valery Giscard d'Estaing, si dhe 100 ambasadorë e diplomatë të huaj.

"Ne jemi nipat dhe stërnipat e atyre, që 100 vjet më parë u futën në këtë luftë, të cilët ranë në këtë luftë për Perandorin dhe atdheun, të cilët u kthyen të plagosur dhe të gjymtuar nga lufta", tha Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert në çelje të orës përkujtimore. Lufta e Parë Botërore ishte një "kuti e Pandorës" për shekullin e dhunshëm të 20-të, lufta e fundit konvencionale dhe njëkohësisht lufta e parë moderne, "që nga helmeta me majë tek mitralozët deri te gazi helmues". Lufta e viteve 1914-1918 kushtoi miliona viktima. Ajo nisi një kthesë epokale dhe i dha fund dominancës së shteteve evropiane në politikën botërore.

Bundestag Gedenkstunde Erster Weltkrieg 03.07.2014 Lammert

Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert

Kujtime të ndryshme

Gjermanët flasin për kujtimin e Luftës së Parë Botërore, francezët dhe britanikët flasin për "luftën e madhe", mbi të vjen katastrofa e Luftës së Dytë Botërore. Prej të dyjave Republika Federale mësoi shumë më vonë se "masat ushtarake në parim nuk janë mjet i përshtatshëm i ndryshimeve të dëshiruara politikisht dhe nëse do të përdoren duhet të jenë mjeti i fundit i shuarjes së një konflikti." Kjo doktrinë bëhet e qartë përmes lidhjes së Bundeswehrit në shtetin demokratik. Gjermania është shteti i parë në botë që e ka përfshirë në kushtetutë të drejtën e refuzimit për të kryer shërbim ushtarak në luftë dhe ndryshe nga shumica e vendeve të botës, është parlamenti ai që e ka fjalën e fundit në angazhimet ushtarake, u shpreh Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert.

Edhe Alfred Grosser tërhoqi vëmendjen në dallimet midis dy luftërave botërore dhe ndikimin e tyre në identitetin e gjermanëve. Lufta e viteve 1914-1918 çoi në një demokraci të brishtë, por e cila u dobësua nga Marrëveshja e Versajës në atë masë, sa nuk i rezistoi sulmit të nacionalsocialistëve. Lufta e Dytë Botërore nga ana tjetër përfundoi me disfatën totale të Gjermanisë dhe krijoi një Gjermani krejt tjetër.

Bundestag Gedenkstunde Erster Weltkrieg 03.07.2014 Alfred Grosser

Politologu francez, Alfred Grosser

Gjermania si shkaktare e luftës?

Politologu francez theksoi në fjalimin e tij se Gjermania për një kohë të gjatë i ishte dorëzuar një lloji masohizmi dhe e pati marrë mbi vete fajin për Luftën e Parë Botërore. Ky vështrim mbi ngjarjet nuk mbështetet më nga kërkimet e fundit. Edhe në Francë Gjermaninë nuk e shohin më si shkaktare të vetme të Luftës së Parë Botërore, e cila ka lënë atje deri sot gjurmë të thella në kujtesë. Sot, 82 përqind e francezëve shohin tek Gjermania partnerin më të besueshëm.

Fjala e Alfred Grosserit u prit me duartrokitje të përzemërta nga deputetët. 89 vjeçari me origjinë hebreje, babai i të cilit u shpërngul në vitin 1933 në Francë, vlerësohet lart si ndërmjetës dhe pajtues midis Gjermanisë dhe Francës. Edhe dy herë të tjera ka qenë ai i ftuar për të folur para Bundestagut, të dyja fjalimet ai i mbajti kur Bundestagu ndodhej ende në Bonn.