1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bundesliga - Pula që bën vezë të arta

Dy ekipe gjermane luftojnë në finalen e titullit më të rëndësishëm evropian të futbollit. Ky është një sukses i madh jo vetëm për Borussia Dortmund dhe Bayern München por edhe për gjithë Bundesligën.

25 Maj 2013, Londër, stadiumi Wembley: kur arbitri t'i bjerë bilbilit për fillimin e finales së Champions Leage, lojtarët e Real Madridit dhe FC Barcelonës, të Manchester United dhe Manchester City-t, do të jenë vetëm spektatorë, në tribunë ose para televizorit. Klubet më të mëdha dhe me të ardhura më të larta të kontinentit, mbetën rrugës. 22 lojtarët me fanellat e verdha dhe të kuqe, që do të luftojnë për fitoren në fushën e Wembley-it, i fitojnë paratë në Bundesligë.

Borussia Dortmund dhe Bayern München kanë fituar që para fillimit të lojës - shumë para. Henning Vöpel merret me kushtet ekonomike në futbollin profesionist në Institutin Ekonomik të Hamburgut. Në bisedë me Deutsche Welle-n ai llogarit se sa para kanë fituar tashmë gjatë këtij sezoni të dy finalistët e Champions League: "Çmimi i hyrjes ishte 8,6 milionë euro. Këtyre u shtohet çmime për fitoret e mëtejshme. Si fitues i Champions League mund të marrësh deri në 60 milionë euro."

Edhe humbësi fiton

Humbësi nuk do të marrë shumë më pak. Pavarsisht nëse Dortmundi fiton apo jo, thotë Henning Vöpel "në këtë sezon dortmundasit do të fitojnë pothuajse sa lojtarët e Bayernit." Megjithatë askush nuk duhet të mendojë se klubi i Borussias mund t'i afrohet sado pak ekonomikisht Bayernit. Sascha Schmidt nga European Business School (EBS) është i sigurt: "Nga aspekti ekonomik dormundasit nuk do të jenë në një nivel me mynihasit."

Henning Vöpel e konfirmon këtë vlerësim dhe i referohet buxhetit të licencave të lojtarëve të dy ekipeve: "Bayerni me 125 milionë euro ka avantazh të qartë ndaj Dortmundit me rreth 50 milionë euro." Nga aspekti ekonomik Bayerni është qartë para kundërshtarëve nga Vestfalia. Vlera e tregut e lojtarëve të Bayernit është rreth 430 milionë euro, ndërsa e atyre të Dortmundit 254 milionë. Bavarezët kanë dy herë më shumë anëtarë klubi sa dortmundasit. Programi televiziv i klubit të Borussia Dortmund transmetohet në 12 vende, ndërsa ai i Bayernit nga 90 vende.

Në sajë të televizionit

Finalja gjermane është për të dy pjesëmarrësit një ngjarje e madhe, si në aspektin sportiv, ashtu edhe atë financiar. Por si qendron puna me Bundesligën? A përfitojnë nga kjo finale edhe 16 ekipet e tjera të kategorisë së parë? Për Henning Vöpel nga Instituti Ekonomik i Hamburgut është e qartë se edhe ata përfitojnë. Edhe studiuesi pranë EBS-së Sascha Schmidt është i bindur se "finalja me dy ekipe gjermane ka ndikim pozitiv edhe tek klubet e tjera."

"M.q.s. kampionati gjerman ekspozohet në një vitrinë globale", shpjegon Sascha Schmidt në intervistë me DW, "kemi një efekt shumë i madh reklame për gjithë Bundesligën, pasi shtohen mundësitë e tregtimit të të drejtave të transmetimeve në televizion." Tregtimi qendror i të drejtave televizive në Bundesligë bën që të gjitha klubet të marrin një copë nga torta. Klubet e mëdha sigurisht marrin copat më të mëdha, por edhe të vegjlit nuk mbeten pa gjë.

Një tjetër avantazh për ekipet e tjera të kategorisë së parë: sa më mirë të jetë ajo ndaj konkurrencës evropiane, aq më shumë ekipe të Bundesligës mund të luajnë në Champions League. Aktualisht në garë mund të marrin pjesë vetëm katër ekipe gjermane. Ligat më të dobëta kanë vetëm dy ose një vend të garantuar dhe kampionët e klubeve më të vogla, duhet madje të kalojnë në ndeshjet kualifikuese.

"Tifozë pa kufij"

Stadiumi Wembley

Stadiumi Wembley

Vërtet pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga të drejtat televizive, paratë e sponsorizuesve dhe çmimet. Por tregtimi i artikujve të ndryshëm për sportdashësit po merr një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në xhiron e përgjithshme. Dhe klientët, pra sportdashësit, në rastin e kësaj finaleje evropiane nuk janë aspak vetëm tifozë besnikë të dortmundasve apo mynihasve: edhe natyra e tifozëve është bërë më ndërkombëtare. Fanella dhe flamuj, shalle dhe artikuj të tjerë me ngjyrat e klubeve, shiten tashmë në të gjithë botën, dhe jo vetëm në dyqanet e sportdashëve para stadiumeve të klubeve.

Sascha Schmidt pranë ESB-së ka studiuar tifozin modern të futbollit. Në studimin e tij ai ka ndeshur në "sportdashësin e globalizuar": "Ne i quajmë ata 'tifozë pa kufij'. Tashmë është diçka e zakonshme që tifozët e futbollit të përkrahin jo vetëm klubin e preferuar në vendin e vet, por të kenë edhe një të tillë jashtë vendit."

Vetëm në Evropë, sipas Schmidt, "janë rreth 41 milionë të ashtuquajtur tifozë pa kufij, që kanë një klub të preferuar jashtë shtetit". Dhe këta sportdashës janë gati të shpenzojnë jo pak për pasionin e tyre: "Mesatarisht një tifoz shpenzon rreth 860 euro për sezon."

Biznes pa kufij

Efektin më të madh ekonomik finalja në Londër nuk do ta arrijë pra në Gjermani, por jashtë vendit në Evropë dhe përtej detit, siç thotë Henning Vöpel: "Veçanërisht në Azi ka një interes të madh për futbollin evropian".

Por në Azi klubet gjermane duhet të rekuperojnë ndjeshëm pasi klubet angleze prej kohësh e kanë në shënjestër Lindjen e Largët. Prej më shumë se 20 vjetësh Manchester United, Arsenal London apo FC Liverpool realizojnë xhiro të konsiderueshme në këtë treg në rritje. Finalja e Londrës e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në 209 vende, ofron për Bundesligën mundësinë më të mirë të bëjë për vete edhe "tifozë pa kufij" në Japoni, Kore apo Kinë.