1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bullgaria mes Moskës dhe Brukselit

Aneksimi i Krimesë e ka përçarë thellë shoqërinë bullgare. Opinionet lëkunden mes simpatisë për rusët dhe frikës nga etja e Putinit për hegjemoni.

Të lidhur me shkrimin, fenë dhe historinë, shumë bullgarë ndiejnë simpati për rusët. Në të njëjtën kohë po zgjohen megjithatë edhe frikërat që Moska mund të përpiqej përsëri ta tërhiqte Bullgarinë në sferën e pushtetit të saj gjeopolitik. Mosbesimi i shumë bullgarëve ndaj fqinjit të fuqishëm mund të shprehet shumë mirë me një fjalë të urtë të njohur ruse: "Pula nuk është zog, Bullgaria nuk është tokë e huaj". Vendi evropianojugor me një sipërfaqe prej rreth 111.000 kilometra katrorë dhe një popullsi prej 7,3 milionë banorë, vërtet nuk ka kufi të përbashkët me Rusinë por nga ana tjetër marrëdhënie të gjata dhe të komplikuara me "vëllain e madh".

Rusia - çlirimtare apo pushtuese?

Konfrontimi i "rusofilëve" dhe "rusofobëve", i cili ka një histori të gjatë në Bullgari, sapo ka marrë një shtysë të re. Në historinë e shkruar bullgare Rusia cilësohet si "çlirimtarja nga zgjedha turke", pasi shteti bullgar u restaurua pas luftës ruso-turke 1877/78. Historiani Plamen Tzvetkov sheh megjithatë këtu një klishe të pastër propagandistike e cila riprodhohet pa qendrim kritik në librat e historisë dhe medie. "Pjesa më e madhe e bullgarëve nuk e dinë aspak që marrëveshja e paqes e vitit 1878 nuk ishte 'çlirim'. Ajo madje vulosi pushtimin afatgjatë të Bullgarisë nga ushtria ruse dhe i shërbeu realizimit të interesave ruse për pushtet në Bosfor", thotë Tzvekov.

A ishte pra një "çlirim" apo më shumë një pushtim? Opinioni publik në Bullgari për këtë temë është ende i ndarë thellë. Edhe reagimet ndaj ngjarjeve të fundit në Krime interpretohen në mënyrë po aq kontroverse, konstaton analisti i sondazheve Parvan Simeonov:

"Ne bëmë një pyetje: 'Cilat forca në Ukrainë mbështesni ju: ato pro-evropiane apo ato pro-ruse?' 43 për qind e të anketuarve ishin të pavendosur, 30 për qind mbështesin orientimin drejt BE-së të Ukrainës dhe 27 për qind orientimin drejt Rusisë", thotë bashkëpunëtori i kompanisë së sondazheve Gallup.

Qytetarë të zhgënjyer të BE-së mbështesin Putinin

Bullgaria është vërtet anëtare e BE-së dhe zyrtarisht mbështet qendrimin e BE-së për Ukrainën, për në të njëjtën kohë vendi është i varur në mënyrë ekstreme nga furnizimet me gaz nga Rusia dhe qeveriset nga një kabinet i cili dominohet nga socialistët, tradicionalisht pro-rusë.

Mbështetja e heshtur apo e hapur për politikën e Putinit nuk i ka rrënjët vetëm në histori dhe në politikën energjitike. Shumë qytetarë të vendit më të varfër të BE-së janë të zhgënjyer nga anëtarësimi në BE dhe provojnë tani një lloj kënaqësie për epokën e re të akullt mes Kremlinit dhe BE-së. Atmosfera antievropiane në Bullgari është bashkuar thjesht me rusofilinë, është konkluzioni i politologut Daniel Smilov: "Në vetvete ndjenja e afërsisë me Rusinë nuk është diçka negative. Por është për t'u habitur që jo vetëm socialistët por edhe populistët nacionalistë bullgarë mbështesin regjimin e Putinit", mendon Smilov.

Mungesë identitetesh të konsoliduara politike

Parvan Simeonov

Parvan Simeonov

Raportet e sotme janë vërtet shumë të çuditshme. Socialistët ish komunistë, nacionalistët bullgarë por edhe anti-evropianët dhe anti-amerikanët e bindur, mbështesin bashkarisht Vladimir Putinin dhe politikën e tij, megjithëse kjo politikë rrezikon sigurinë e Bullgarisë dhe nuk ka shumë lidhje me idetë e majta. Kjo është një dëshmi që tregon se pjesa më e madhe e bullgarëve nuk kanë një identitet të konsoliduar politik, mendon studiuesi i historisë së kulturës Ivalo Ditschev: "Rusofilët bullgarë e quajnë veten të majtë por në të njëjtën kohë mbështësin një perandori, e cila për 200 vjet me radhë ka shtypur revolucione dhe lëvizje kombëtare për çlirim. Me 'orientim të djathtë' konsiderohen në Bullgari ata të cilët shajnë rusët dhe me 'orientim të majtë' mbështetësit e Rusisë. Kjo është idiotësi."

Edhe studiuesi i sondazheve Parvan Simeonov beson se ndarja në të majtë dhe të djathtë në Bullgarinë e sotme është e rreme kur bëhet fjalë për Rusinë: "Duket qartë se kemi të bëjmë me ish-përballjen Lindje-Perëndim, e cila me sa duket nuk është kapërcyer ende në Bullgari", thotë Simeonov.

Politika e rrezikshme e Rusisë

Ivajlo Ditchev

Ivajlo Ditchev

Zërat pro-evropiane dhe kritikë ndaj Rusisë në Bullgari tërheqin vëmendjen se Moska prej dekadash e trajton Bullgarinë si eksklavë. Frika nga vëllai i madh i fuqishëm është po shtohet: mijëra qytetarë rusë kanë në pronësi pasuri të patundshme në Bullgari, lobiistët rusë janë shumë aktivë në ekonominë dhe mediet e Bullgarisë dhe ekziston frika se mund të ringjallen grupimet e vjetra të interesave, nga koha e bllokut të Lindjes. Anëtarësia e Bullgarisë në BE dhe NATO shihet nga mbështetësit e lidhjes me Perëndimin si një garanci e domosdoshme për sigurinë e Bullgarisë.

Për herë të dytë që prej kthesës politike 1989-1990 Bullgaria e sheh veten të pavendosur mes Perëndimit dhe Lindjes, mes Moskës dhe Brukselit. Asokohe shpresat e shumë qytetarëve ishin drejtuar tek BE-ja, sot shumë bullgarë janë të zhgënjyer. A do të bjerë vendi përsëri në sferën e pushtetit të Moskës? Sipas vëzhguesve për këtë nuk ka shumë gjasa. Por atmosfera anti-evropiane ndihet qartë dhe do të ndikojë edhe në zgjedhjet për Parlamentin e BE-së në muajin maj.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17518498,00.html