1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bullgaria - demokraci problematike

Alexander Andreev/ Aida Cama10 Gusht 2012

Më shumë se dy të tretat e bullgarëve mendojnë se demokracia e dëmton vendin. Këtë e tregon një sondazh i sapobërë. Pesë vjet pas pranimit të Bullgarisë në BE, ekspertët vëzhgojnë tendenca antidemokratike në vend.

https://p.dw.com/p/15n6Y
Bullgaria me probleme demokracie
Bullgaria me probleme demokracieFotografi: AP

Rezultatin e sondazhit të kryer nga Instituti bullgar i mediave, Mediana, shumë ekspertë e intrepretojnë si sinjal alarmi. Pyetjes "A është demokracia më shumë e dobishme apo më shumë e dëmshme për Bullgarinë?" 38 përqind i përgjigjen pro demokracisë, pak më shumë se 35 përqindshi që janë kundër demokracisë.

„Nëse Bullgaria do të ishte vërtet një shtet sovran dhe demokratik, atëherë me siguri ne do të kishim një regjim nacionalsocialist. Të ardhur në pushtet me zgjedhje të lira, si në Gjermani në vitet 30-të të shekullit të 20-të,“ thotë studiuesi i opinionit publik, Kolio Kolev. „Shanci i vetëm i Bullgarisë është se duke qenë vend anëtar i BE-së, është vetëm pjesërish sovran." Ai mendon se ndikimi i Bashkimit Evropian është në gjendje të pengojë zhvillimet antidemokratike në Bullgari.

Gazetat bullgare
Gazetat bullgareFotografi: DW

„Mirëqënia e kombit më e rëndësishme se e grupeve të veçanta"

Në Bullgari sundon një mosbesim shumë i madh kundër partive dhe institucioneve, shpjegon studiuesi i shkencave politike Antonyi Galabov: „Kjo krijon hapësirë të lirë për populizma. Unë druhem se mund të shpërthejnë projekte vërtet populiste, që i flasin gjendjes së vështirë sociale dhe nacionalizmit në rritje.“

Sondazhi i Mediana-s e konfirmon këtë frikë. 87 përqind e të pyeturve janë përshembull të bindur se "mirëqënia e kombit" është më e rëndësishme se sa e grupeve të veçanta. Gati dy të tretat përkrahin deklaratat, "nëse ka të bëjë me mirëqënien e kombit, pakicat nuk duhet të protestojnë dhe krijojnë shqetësim" ose "përgjimi nuk ka pse të jetë problem për qytetarin e ndershëm".

Sfondi i këtyre deklaratave është thematizuar edhe në raportin e monitorimit të Bullgarisë nga Komisioni i BE-së, i cili u publikua në verë. Qeveria bullgare përpiqet që të luftojë korrupsionin e madh dhe kriminalitetin e organizuar edhe duke përdorur përgjimet intensive. Kjo qeveri drejtohet nga konservatori Bojko Borissov, i cili prezanton me një retorikë të fortë zgjidhje në dukje të lehta, por që nuk vihen kurrë në jetë. Kjo është një e përbashkët me populistët e ndryshëm evropianë.

Kryeministri konservator Bojko Borissow
Kryeministri konservator Bojko BorissowFotografi: picture alliance / dpa

„Urrejtje kundër elitave“

Edhe sociologu Antonyi Todorov, mendon se qeveria bullgare e përdor forcën si strategji për marrëdhëniet me publikun. Studiuesi i opinionit publik Kolio Kolev, është i bindur se shumica e bullgarëve do ta pranonin „një dorë të hekurt“ dhe do të ishin të gatshëm që të hiqnin dorë nga të drejtat qytetare, liria dhe vetë shteti i së drejtës në emër të një sigurie të pretenduar. Shumica e të anketuarve thonë se nuk kanë asgjë kundër nëse policia i kufizon të drejtat e tyre dhe gati dy të tretat përkrah deklaratën: „Njerëz që nuk kanë pikëpamjet e duhura dhe bindjet e duhura, nuk kanë pse të flasin në radio dhe televizion."

Kolio Kolev paralajmëron se mbas qëndrimeve "frikë, xhelozi sociale dhe nxitje urrejtjeje" fshihet "kryesisht urrejtja kundër të ashtuquajturave elita. Kundër të pasurve, kundër atyre që kanë përfituar nga kthesa politike e 1989, kundër establishmentit, kundër mediave, kundër të gjithë atyre që shihen si "ndryshe", pavarësisht se çfarë janë, romë, homoseksuelë apo hebrej."
Shumë vëzhgues paralajmërojnë se Bullgaria ndodhet në rrugën më të mirë të kthimit në demokraci problematike në Evropën Juglindore, duke u rradhitur bashkë me Hungarinë dhe Rumaninë.

Kolio Kolev, studiues i opinionit publik
Kolio Kolev, studiues i opinionit publikFotografi: DW

Pak pas fundit të komunizmit (1989) pjesa më e madhe e bullgarëve ishin për demokracinë dhe ekonominë e tregut. Por tani këto koncepte nuk shihen me sy të mirë, thotë Kolev. Sociologu Andrei Raitchev i shikon këto zhvillime të lidhura me krizën aktuale ekonomike. "Edhe në vendet e tjera evropiane qytetarët janë duke kërkuar më shumë "dorë të fortë. Kriza ndryshon qëndrimet dhe vlerat. Në kohë të tilla besohet se problemet mund të zgjidhen më mirë me më shumë siguri, se sa me më shumë liri.“