1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bullgari: Kupa është plot

Për javë të tëra, mijëra bullgarë po demonstrojnë kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Bullgaria është vendi më i varfër në Bashkimin Europian dhe një nga më të korruptuarit.

Presioni nga rruga në Bullgari po rritet dhe pas më shumë se 40 ditësh protestat nuk po marrin fund. Dikur njerëzit mendonin se nuk ndryshojnë dot gjë në politikë, thotë Miladin Hadzhiev, biolog nga Sofia. Edhe ai vetë nuk interesohej dikur për politikë, por gjendja është përkeqësuar dhe ka shumë të zhgënjyer nga politika.

Me emërimin e Deljan Peevskit si shef të Agjencisë bullgare të Sigurimit, situata në vend ndryshoi. 32-vjeçari është një manjat mediash shumë i fuqishëm dhe me ndikim, për të cilin thuhet se merret me veprimtari ilegale dhe ka kontakte me mafien. "Mendova në fillim se emërimi i tij është një shaka. Disa komente në Facebook përbëheshin vetëm nga pikëpyetje, njerëzit nuk dinin se ç'të thonin nga habia. Por politikanët e kishin vërtet seriozisht. Një realitet absurd që ka tejkaluar edhe idetë tona më absurde," thotë Kiril. Dhe mbrëmjen e 14 qershorit 2013 u mblodhën spontanisht në qendër të Sofjes, protestuesit e parë. Peevski të nesërmen dha dorëheqjen, por zjarri tashmë ishte ndezur.

Një nga vendet më të korruptuara të Bashkimit Evropian

Në indeksin e korrupsionit të Transparency International Bullgaria zë prej vitesh një nga vendet e fundit dhe është një nga vendet më të korruptuara në Bashkimin Evropian. Që prej rënies së regjimit komunist 23 vjet më parë dhe tranzicionit drejt ekonomisë së tregut janë formuar klika të përbëra kryesisht nga anëtarë të ish-nomenklaturës komuniste. Ato kontrollojnë deri sot proceset vendimmarrëse në vend dhe veprojnë në një zonë gri në mes të politikës, ekonomisë dhe të drejtësisë.

Shembuj për korrupsion ka shumë

Korrupsioni në politikë dhe gjyqësor është i gjithëpranishëm. Vitet e fundit janë raportuar raste, në të cilat anëtarët e familjes së zyrtarëve ishin të preferuar në ndarjen e tokës së subvencionuar. "Falë gazetarëve investigativë dhe organizatave vitet e fundit disa nga këto makinacione kanë dalë në dritë. Por fakt është se pas njoftimit të këtyre rasteve nuk është marrë asnjë masë konkrete juridike", thotë Todor Galev, ekonomist në Qendrën për Studime Demokratike.

Jo arsye ekonomike për protestat

Protestat po ndodhin në një fazë, në të cilën ekonomia bullgare po rimëkëmbet në mënyrë të konsiderueshme, megjithë krizën në Evropë. Madje edhe në tregun e punës nuk ka aq shumë humbje vendesh pune sa në kohë krize, thotë Laçesar Bogdanov nga OJQ Industry Watch. Edhe pse në Bullgari duhet të bëhet ende shumë, Bogdanov nuk shikon paralele mes protestave në Spanjë, Portugali, apo Greqi me ato në Bullgari.
"Politikanët në këto vende premtuan për vite përfitime të qëndrueshme sociale, rritje të ardhurash dhe privilegje të tjera dhe kur u bë e qartë për të gjithë se shteti nuk mund t'i financonte ato u ndezën protestat kundër masave të kursimit të qeverive," mendon Bogdanov. Në Bullgari nuk ka pasur shkurtime në përfitimet sociale, madje edhe gjatë krizës. "Kjo është arsyeja, pse kjo protestë nuk është ekonomike. Madje shumica e demonstruesve kanë punuar dhe nuk janë të varur nga asistenca sociale."

Protestat në qorrsokak?

Po si do të vazhdojnë ngjarjet? Protestuesit nuk kanë ndërmend t'i ndalin protestat dhe politikanët nuk mendojnë të japin dorëheqjen. Nervozizmi është në rritje në të dyja anët. Por lëvizja e protestës nuk ofron ndonjë alternativë konkrete politike, dhe kjo as që duket të jetë qëllimi i tyre: "Ne nuk jemi naivë. Ne e dimë se situata nuk do të ndryshojë nga sot nesër. Ne nuk mund t'i çojmë politikanët tanë në pastrim kimik dhe të shpresojmë se pas kësaj mund të rifillojnë të pastër punën e tyre", thotë Miladini. Por politikanët, të kaluarit dhe të ardhshmit, e dinë tani shumë mirë se kanë përballë një shoqëri të re civile, e cila me siguri do t'i vëzhgojë nga afër.