1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bullgarët në Serbi kërkojnë më shumë të drejta

18 Prill 2012

Serbia nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian përderisa ajo nuk do të zgjidhë çështjen e pakicës kombëtare bullgare, ka thënë zëvendëspresidentja e Bullgarisë, Margarita Popova.

https://p.dw.com/p/14fdV
Margarita Popova
Margarita PopovaFotografi: picture-alliance / dpa

Portali i lajmeve "Ballkan", i cili i referohet një raporti të Radios Kombëtare Bullgare, njofton se Popova për festën e Pashkëve vizitoi qytetin e Bosilegradit në juglindje të Serbisë. Në qendrën kulturore-informative bullgare në këtë qytet ajo u takua me përfaqësuesit e pakicës bullgare në Serbi.

"Serbia duhet të bëhet anëtare e BE-së, por kjo nuk mund të ndodhë nëse nuk zgjidhen çështjet tuaja këtu", tha Popova. Siç raportojnë mediet, ajo ka nënvizuar se Sofja zyrtare do të përdorë fuqinë e vetos për të siguruar respektimin e të drejtave të komunitetit bullgar në Serbi.

Politikë e re e Sofjes

Ajo premtoi gjithashtu se do të ndihmojë në përshpejtimin e procedurave për marrjen e shtetësisë bullgare për bullgarët që jetojnë në Serbi dhe që do të ndihmojë ata që dëshirojnë të studjojnë në universitetet në Bullgari. Popov vizitoi Bosilegradin me rastin e hapjes së Festivalit të 19-të Ndërkombëtar për Fëmijë në këtë qytet.

Që prej marrjes në janar të këtij viti të detyrës së zëvendëspresidentes, Popova ka folur disa herë për nevojën e krijimit të një politike të re për bullgarët që jetojnë jashtë vendit, duke përfshirë edhe komunitetin bullgar në Serbi, Maqedoni, Moldavi dhe Ukrainë, thekson radioja bullgare.

Autor: idj/dr/beta/E. Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani