1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Brunilda Paskali: Thithja e Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri prioritet i qeverisë

Çështjet ende te pazgjidhura me pronësinë, ekonomia informale, rritja e fuqisë punëtore të kualifikuar kërkojnë zgjidhje imediate për të rritur investimet e huaja në Shqipëri.

Deutsche Welle: Zonja Paskali, ju ishit e pranishme në punimet e Konferencës ekonomike gjermano-shqiptare që u zhvillua në Esen. Cili është vleresimi juaj për këtë aktivitet të këtij niveli?

Brunilda Paskali: Eshtë hera e parë që organizohet një konferencë e këtij lloji dhe e kësaj rëndësie po të kemi parasysh që morën pjesë rreth 150 pëfaqësues nga firma gjermane e shqiptare, përfaqësues nga institucionet më të larta shtetërore gjermane dhe shqiptare. Kjo e bën edhe më të rëndësishme pasi konferenca mblodhi rreth vetes jo vetëm kompanitë gjermane të interesuara për të investuar në Shqipëri por edhe përfaqësues të biznesit shqiptar që zhvillojnë bizneset e tyre në Gjermani, Kosovë e Maqedoni. Pra, kishim një përfaqësim të gjërë të trevave shqiptare dhe të emigracionit shqiptar gjithashtu.

Kjo konferencë nxori në pah mundësitë dhe fushat ku mund të investohet, vuri në dukje histori suksesi të bizneseve të ndryshme dhe hapi rrugë për bashkëpunime të mëtejshme. Më lejoni që të falenderoj organizatorët e këtij eventi e veçanërisht znj. Anduena Stephan për punën e jashtëzakonshme dhe për suksesin e arritur me këtë konferencë.

Deutsche Welle: Zonja Paskali, çfarë vendi zë Gjermania në bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë? Ku jane sektorët që Gjermania ka investuar në Shqipëri?

Bashkëpunimi ynë me Gjermaninë ka një histori 25-vjeçare. Të gjitha qeveritë shqiptare pas vitit 1990 e kanë vlerësuar këtë bashkëpunim që ka qenë jo vetem financiar, por reformues e transformues. Repubika Federale e Gjermanise është donatori më i rëndësishëm bilateral për Shqiperinë për një periudh mbi 20 vjeçare. Mbeshtetja që qeveria gjermane i ka dhënë Shqipërisë shtrihet në sektorë të tillë të rëndësishëm jetik për vendin tonë si: Ujësjellësa dhe Kanalizime, Energjitika, Krijimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërtimi i Aeroportit të Rinasit, ngritja e një sistemi bankar modern, në zhvillimin rajonal, etj.

Në vazhdimësi të kësaj mbështetjeje në sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare me daten 5 nëntor u nënshkrua protokolli per Konsultime ne kuadër të Bashkëpunimit për Zhvillim midis qeverisë së Republikës së Shqiperisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë ku u vendos mbështetja në sektorë kyç si: Energjia, Furmizimi me uje dhe menaxhimi i ujrave te ndotura dhe mbetjeve, Zhvillimi i qëndrueshem i ekonomisë nëpërmjet mbështetjes së ndermarrjeve të vogla e të mesme, zhvillimit të inovacionit e teknologjisë, arsimit profesional, nxitja e aftësisë konkurruese etj.

Ndërkaq numri i firmave gjermane në Shqipëri është vetëm 3% e ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta ose 124 ndërmarrje dhe investimet gjermane i gjejmë kryesisht në sektorin e shërbimeve, banka, tregti etj. Pra, ajo çka ne kërkojmë të përmirësojmë në bashkëpunimin me Gjermaninë është rritja e shkëmbimeve tregtare që ka potenciale ende te pashfrytezuara po të kemi parasysh që edhe pse gjatë viteve te fundit ka patur rritje, eksportet drejt Gjermanise ne vitin 2012 zënë vetëm 3,1 % të totalit të eksporteve shqiptare, ndërkohë që importet nga Gjermania zënë vetëm 6% të totalit të importeve tona.

Deutsche Welle: A është Shqipëria një vend ku ka siguri për investimet e huaja, pra a janë kushtet që të thithen më shumë investime nga jashtë?

Thithja e Investimeve të Huaja Direkte në Shqiperi (IHD) është një nga prioritetet e qeverisë së re dhe specifikisht e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Nuk na mungon legjislacioni, vullneti dhe dëshira. Përkundrazi, puna jonë është përqendruar në paraqitjen e mundësive reale për investitoret e huaj për të investuar në Shqipëri.

Por nga ana tjetër sfidat tona janë të mëdha sepse, edhe pse investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë mbajtur një nivel konstant dhe një trend pozitiv në tre vitet e fundit, ne hasim probleme të tilla në zhvillimin e Investimeve te Huaja Direkte ne vend si: çeshtje ende te pazgjidhura me pronësinë, prezenca e ekonomisë informale, nevoja për një fuqi punëtore të kualifikuar, forcimi i të drejtave te pronësisë intelektuale etj, probleme që duhet t'u jepet zgjidhje imediate për të rritur prezencën e IHD në Shqipëri.

Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri i gjejmë kryesisht në sektorët e industrisë, energjisë, sektori financiar dhe telekomunikacioni. Një pjesë e këtyre sektorëve vazhdojnë të mbeten prioritare në programin tonë qeverisës duke shtuar këtu edhe fushën të tjera prioritare për Investimet e Huaja Direkte si turizmi, bujqësia, agrobiznesi, etj.

Deutsche Welle: Pse duhet Gjermania dhe vende të tjera të investojnë në Shqipëri, zonja Paskali? Çfarë ofron ajo?

Përveç një klime të mrekullueshme e të bekuar, Shqipëria ofron për investitorët e huaj një sërë avantazhesh midis të cilave: një pozicion strategjik në zemër të Europës me dalje në det dhe akses në gjithë rajonin e Europës Juglindore, një forcë të re e dinamike të shkolluar e me njohje të gjerë të gjuhëve të huaja, një popullsi me mbi 57% nën moshën 35 vjeç; një regjim liberal për investimet e huaja dhe pa diskriminim për investitorët e huaj, mbrojtje nga shteti në çështje gjyqësore për investimet mbi 10 milionë euro, nje kosto konkurruese për fuqinë punëtore. etj.

Natyrisht ne jemi të ndergjegjshëm se edhe problemet apo sfidat që kemi përpara janë të shumta, por jo të pazgjidhshme. Reformat që qeveria dhe ministria jonë kanë filluar të ndërmarrin në drejtim të përmirësimit të vazhdueshëm të klimës së biznesit dhe investimeve, reduktimit të barrierave administrative dhe kostove të biznesit apo edhe në fillimin dhe krijimin e një partneriteti midis qeverisë dhe biznesit në lidhje me nevojat për përmirësimin e teknologjisë, inovacionit dhe aftësisë për te përgatitur “Force punëtore të kualifikuar” janë treguesi më i qarte se rruga që ne po ndjekim do ta bëjë Shqipërinë edhe më atraktive për investime dhe për zhvillimin e një biznesi sa më konkurues, drejt dimensioneve të reja në vitet në vazhdim.

Brunilda Paskali është zëvendësministre e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të Tregtisë dhe të Sipërmarrjes e Shqipërisë. Intervistën me të e zhvilloi Mimoza Cika-Kelmendi

DW.COM