1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brukseli procedon ndaj Hungarisë, Polonisë dhe Çekisë

14 Qershor 2017

Meqenëse Hungaria, Polonia dhe Çekia nuk u kujdesën për shpërndarjen e azilantëve në BE, Komisioni i BE do të hapë procedurën për shkelje të kontratës. Hungaria ka njoftuar tashmë se do ta kundërshtojë atë.

https://p.dw.com/p/2eerN
Ungarn Grenzzaun zwischen Serbien und Ungarn
Fotografi: picture alliance/dpa/MTI/B. Mohai

Ishujt grekë janë stacionet e para ku mbërrijnë azilantët nga Lindja e Mesme.

Nëpunësit e Brukselit duan të procedojnë kundër Hungarisë, Polonisë dhe Çekisë me një të ashtuquajtur proces për shkelje të kontratës. Arsyeja për këtë është kundërshtimi i tre vendeve të BE-së që të marrin pjesë në shpërndarjen nga Italia dhe Greqia e azilkërkuesve. Komisari i BE-së për Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, akuzoi Budapestin, Varshavën dhe Pragën se kanë nëpërkëmbur solidaritetin evropian.

Ministrat e Brendshëm te BE-së, kishin vendosur në Shtator të vitit 2015, pavarësisht kundërshtimit të shumë vendeve Evropiano-Lindore, që të shpërndanin në vendet e BE-së 160 mijë azilkërkues që kishin mbërritur në Itali dhe Greqi. Kjo do të realizohej sipas një sistemi në bazë kuotash dhe do të përfundonte deri në Shtator të vitit 2017.

Komisari Dimitris Avramopoulos thotë: në shpërndarjen e azilantëve nuk mund të ketë përjashtime.

Komisioni i pëmbahet solidaritet evropian

Komisioni nuk mund t´i lerë të vetëm vendet anëtare që ndodhen në kufijtë e jashtëm të BE-së, theksoi komisari për çështjet e Brendshme Avramopoulos. Por shpërndarja mund të funksionojë vetëm nëse të gjithë në BE marrin përsipër përgjegjësinë e tyre". Përjashtime nuk mund të ketë. „Evropa nuk do të thotë vetëm të përfitosh para ose të garantosh sigurinë", shtoi komisari grek. Bëhet fjalë edhe për solidaritet dhe përgjegjësi politike.

Sipas shifrave më të fundit të Komisionit nga 160 mijë azilkërkues vetëm 20.869 janë shpërndarë në vende të tjera të BE-së. Polonia dhe Hungaria nuk kanë marrë asnjë azilant deri tani. Çekia ka lejuar 12 azilantë nga Greqia të hyjnë në këtë vend, por që prej nje viti nuk ka pranuar azilantë të tjerë nga programi i shpërndarjes. Një pjesë e madhe e migrantëve nga Afrika mbërrijnë në kampet e ishullit të Lampeduzës

Budapesti konsideron se ndaj tij po ushtrohet presion

Qeveria hungareze ka bërë të njohur kundërshtimin ndaj vendimit të Komisionit. Budapesti e vlerëson hapjen e procesit të shkeljes së kontratës "si presion”, tha ministri i Jashtëm Peter Szijjarto në parlament. Hungaria ashtu si edhe Sllovakia ka dorëzuar padi në Gjykatën Evropiane kundër detyrimit për të pranuar azilantë. Ashtu si Hungaria dhe Polonia, Austria nuk ka pranuar deri më tani asnjë azilant. Qeveria në Vjenë ia arriti që të përfitojë nga një rregull që e përjashtonte atë nga marrja e azilantëve të tjerë pasi deri në mars të këtij viti kishin mbërritur në këtë vend me rrugë të tjera një numër i madh azilantësh.