1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Brukseli përkrah reformat e Shkupit

Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn shprehet optimist për zhvillimet në Maqedoni. Ai vlerëson klimën e re të krijuar në vend.

Jam i kënaqur për klimën pozitive të krijuar në lidhje me perspektivën integruese të Maqedonisë, ka thënë Komisioneri i BE për zgjerimin dhe politikën evropiane të fqinjësisë, Johannes Hahn gjatë vizitës së tij në Shkup (26.06). Zyrtarët e Maqedonisë duhet seriozisht të përkushtohen në realizimin e reformave, nëse dëshirojnë që Maqedonia të bëhet pjesë e familjes evropiane, tha ai. "Rekomandimi për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, është ngushtësisht i lidhur me dinamikën e realizimit të reformave të deklaruara”, është shprehur komisionari Hahn.

Brukseli kërkon konsensus të gjithanshëm për procesin integrues, por  edhe përqëndrim të posaçëm në realizimin e detyrave kryesore për zbatimin e reformave prioritare. "Ekspertët e BE-së do të jenë këtu që nesër për të ofruar ndihmën e tyre në këtë proces”, ka premtuar Hahn. 

Zoran Zaev: Në reformat gjithëpërfshirëse duhet të inkuadrohet edhe opozita

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka prezantuar para eurokomisionerit Hahn një plan veprimi për zbatimin e reformave që burojnë nga marrëveshja e Përzhinës dhe raporti i Reinhard Priebe-s Ky dokument do të jetë gati deri më 1 korrik, pas takimit me grupin e ekspertëve të pavarur nga Brukseli.              

"Qëllimi ynë është që KE t'i japë Maqedonisë vlerësim pozitiv në raportin-progresin për vendin në vjeshtë, si dhe të propozojë rekomandim të pastër, të pakushtëzuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Për këtë qëllim po punojmë në përgatitjen e një plan- veprimi i quajtur udhërrëfyes, që duhet të finalizohet deri më 1 korrik. Sipas kryeministrit Zaev bëhet fjalë për reforma të parapara në fushat e sundimit të ligjit, institucioneve profesionale, trupave rregullatore të pavarura, mediave të lira. Të gjitha këto reforma parashihen nga Marrëveshja e Përzhinës dhe vërejtjet e grupit të ekspertëve të KE-së, të kryesuar nga Reinhard Pribe.

"Kjo qeveri ka marrë përsipër obligim serioz për të treguar para Bashkimit Evropian por edhe para vetes, se Republika e Maqedonisë dhe qytetarët e saj, meritojnë t`i bashkëngjiten botës së civilizuar demokratike, nga e cila kishte mbetur larg”, ka thënë Zaev .

Zaev tha se reformat do të jetë gjithëpërfshirëse dhe ftoi të gjithë aktorët politikë, përfshirë edhe opozitën, sektorin civil, mediat dhe ekspertët që të inkuadrohen në procesin e reformave për anëtarësim në BE. Zaev kërkoi edhe ndihmën e fqinjit jugor, Greqisë, që të tregohet më tolerante dhe t'ia hapë rrugën Maqedonisë në procesin e integrimit. Kjo pritet të arrihet në krijimin e një klime pozitive në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve fqinje.

Opozita skeptike për kapacitetin reformues të qeverisë

Lideri  i opozitës maqedonase, Nikolla Gruevski në takimin me komisionerin Hahn ka premtuar se VMRO do t'i mbështesë të gjitha reformat, për të cilat do të vlerësojë, se janë në interes të qytetarëve.

"Qëllimi kryesor i qeverisë së LSDM-së nuk duhet të jetë vetëm marrja e raportit pozitiv, të cilin Maqedonia e ka pasur edhe para krizës politike, por rekomandim pozitiv për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Gruevski.

Ndërkohë lideri i opozitës shqiptare, kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami ka thënë se shpreson që kjo qeveri të jetë vërtet reformuese edhe pse hapat e deritashme nuk po e dëshmojnë këtë. "I kemi dhënë vërejtjet e tona e dëshirojmë që kjo qeveri të jetë reformuese dhe se Lëvizja BESA do të mbështesë edhe më tej të gjitha proceset që Maqedonia të kthehet në rrugën e saj eurointegruese”, është shprehur Kasami.

Reinhard Priebe inspekton reformat

Në Maqedoni është duke qëndruar edhe eksperti gjerman, ish-drejtori i Drejtorisë për zgjerimin e Bashkimit Evropian Reinhard Priebe, i cili për disa ditë me radhë do të realizojë takime intensive me zyrtarët e lartë të vendit dhe drejtuesit e institucioneve, për të përcaktuar kapacitetet e realizimit të reformave si edhe planin veprues të qeverisë për zbatimin e tyre. Raporti i Pribe-s, i hartuar para dy vjetësh, identifikoi shumë pika nevralgjike që kishin të bënin me mosfunksionimin e shtetit juridik, parregullsitë në procesin zgjedhor si dhe lirinë e medieve në Maqedoni, pika këto në të cilat pritet të fokusohet qeveria e re e Maqedonisë.