1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Brukseli lavdëron dhe kritikon Ankaranë

Shpërndarja e refugjatëve nga Turqia, Greqia e Italia në vendet e BE-së nuk ecën si duhet. Turqia i respekton në masë të madhe detyrimet e saj sipas marrëveshjes, por marrëdhënia BE-Turqi nuk është e lehtë aktualisht.

Ministrat e Brendshëm të BE-së dëgjuan fillimisht një ligjëratë të komisionerit të BE-së për Migrim, Dimitris Avramopulos, . "Ne nuk mund të jemi të kënaqur. Dhe unë nuk dua ta fsheh zhgënjimin tim ", tha Avramopulos, duke iu referuar veprimtarisë së shteteve anëtare në lidhje me rivendosjen dhe shpërndarjen e refugjatëve nga Turqia, Greqia dhe Italia.

Në mars vendet e BE-së vendosën që deri në maj t'i shpërndanin 20.000 refugjatët dhe azilkërkuesit nga Greqia dhe Italia për shtetet e tjera të BE-së. Deri tani janë rishpërndarë vetëm 355 vetë. "Rishpërndarja është solidaritet. Dhe solidariteti nuk mund të zbatohet sipas tekave", kritikoi Avramopulos.

Edhe në pritjen e drejtpërdrejtë të refugjatëve nga Turqia gjendja nuk duket shumë më e mirë. Që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes BE-Turqi më 4 prill, në vendet e BE janë zhvendosur vetëm 177 sirianë. Vendet pritëse janë Suedia, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Lituania.

Të gjitha vendet e tjera të BE-së i shmangen përgjegjësisë, kritikoi komisioneri Dimitris Avramopulos. Megjithatë, ai tha se 12.000 premtime teorike për rilokim. Komisioni Evropian pret që deri në korrik nga Turqia të jenë transferuar për në BE rreth 2,000 sirianë.

Brukseli lavdëron Ankaranë

Turqia po i respekton në masë të madhe detyrimet e saj sipas marrëveshjes me BE-në, vlerësoi ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere në Bruksel. Megjithatë, lavdërimin për marrëveshjen BE-Turqi e ndoqi dhe kritika. "Zhvillimet e brendshme në Turqi na mbushin me shqetësim. Për to duhet të diskutohet gjithashtu mes partnerëve." Veprimet e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan kundër parlamentarëve, tha de Mazère "hedhin një hije në marrëdhëniet tona. "

Agjencia kufitare e BE-së Frontex konfirmoi se numri i refugjatëve dhe i emigrantëve, që nisen nga bregdeti turk në drejtim të Greqisë, ka rënë në mënyrë dramatike. Në prill nëpërmjet kësaj rruge në ishujt grekë erdhën vetëm 2.700 vetë. Kjo është 90 për qind më pak se në muajin mars. Përmes rrugës së mbyllur të Ballkanit arritën në mars të këtij viti rreth 3800 refugjatë dhe migrantë në Austri dhe Gjermani.

Problemi i fundit i marrëveshjes së BE-së me Turqinë është liberalizimi i vizave. Ministrat po mendojnë për përfshirjen e një klauzole për ngrirjen e marrëveshjes në rast se pas liberalizimit të vizave nga Turqia do të vijnë shumë njerëz për të kërkuar azil në Gjermani, si në rastin e vendeve të Ballkanit.

BE-ja nuk respekton premtimet

Greqia është sipas mendimit të Komisionit Evropian ende në prag të një katastrofe humanitare, sepse në vend ka rreth 51.000 azilkërkues që presin për procesin e shqyrtimit të kërkesavepër azil. Rreth 9.000-10.000 prej tyre vazhdojnë të jetojnë në kampin e Idomenit, kurse nëpër ishujt grekë presin rreth 7,000 azilkërkues për procedurat e tyre.

Pas marrëveshjes për procedurën e përshpejtuar me Turqinë këta duhet të ekstradohen sërish të gjithë për në Turqi, por procedurat në ishujt grekë ecin më ngadalë nga sa qe vendosur në samitin e BE-së në fund të marsit.

Arsyeja: vendet e BE-së dërguan shumë më pak personel nga sa kishin kërkuar si mbështeje agjencitë e BE-së për mbrojtjen e kufirit dhe azilin, Frontex dhe EASO. Nga gjithsej 472 gjyqtarë për çështjet e azilit, dy muaj pas samitit kanë ardhur në Greqi vetëm 63.

Nga ana tjetër gjykatësit në ishullin Lesbos nuk i refuzojnë kërkesat e azilkërkuesve automatikisht, sikurse mendonte në fakt BE-ja pas marrëveshjes së saj me Turqinë. Nga 174 kërkesa për 100 prej tyre gjyqtarët vendosën t'u lejojnë parashtruesve të vazhdojnë udhëtimin në territorin grek.