1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE kërkon të kushtëzojë ndihmat financiare për Hungarinë

10 Janar 2012

Hungaria është kthyer nën qeverinë e djathtë të kryeministrit Orban në rast problematik të BE. KE është duke parë deri ku ka shkuar shteti me ndikimin mbi insitucionet demokratike.

https://p.dw.com/p/13gwP
Brukseli kundër Budapesti
Brukseli kundër BudapestitFotografi: picture alliance/dpa

Pakënaqësia në Bruksel po rritet. Komisioni Evropian po shqyrton njëkohësisht disa raste, nëse Hungaria ka shkelur marrëveshje evropiane. Dhe në qarqe diplomatike thuhet, se në disa kryeqytete evropiane qeveritarëve po u shteret durimi. Kryeministri hungarez Viktor Orban duhet të hapë rrugë, thuhet. Edhe Parlamenti Evropian e kritikon me forcë qeverinë Orban. Deputeti evropian, liberali Alexander kont Lambsdorff: "Ajo që po bën qeveria në Budapest nën drejtimin e kryeministrit Orban, është në fakt rrëzim i demokracisë nëpërmjet heqjes me rrugë ligjore të së drejtës elektorale. Atje krijohen rregulla dhe institucione, që funksionojnë aq gjatë, saqë edhe një qeveri e re nuk do të mund të bënte më gjë, në rast se në zgjedhjet e ardhshme Hungaria voton për një qeveri tjetër."

Viktor Orban
Viktor OrbanFotografi: picture alliance / dpa

Komisioni Evropian po shqyrton disa ligje hungareze. Është fjala për shembull për pavarësinë e bankës qendrore hungareze. Këtu Komisioni ka dyshime nëse është ruajtur pavarësia e saj. Por bëhet fjalë edhe për një ligj, i cili i nxjerr gjyqtarët në pension të parakohshëm vullnetar (me sa duket për të hequr qafe gjyqtarë të padëshiruar. Më tej, Komisioni po shqyrton edhe nëse enti hungarez për mbrojtjen e të dhënave punon ashtu siç e parasheh e drejta evropiane. Dhe së fundi, bëhet fjalë për një stacion të pavarur radioje në Hungari, të cilin qeveria kërkon ta mbyllë.

Kjo paraqet lëndë të mjaftueshme për procedura të shumta të shkeljes së marrëveshjeve evropiane, mirëpo meqenëse në shumicën e rasteve ato shoqërohen nga ndëshkime të lehta për të paditurin, Komisioni po dikton se ka në duar një instrument shumë më të fuqishëm: Hungaria gjendet në vështirësi ekonomike të mëdha, i duhen para dhe programe ndihme të BE-së dhe të FMN-së. Konti Lambsdorff: "Këto Komisioni Evropian duhet të thotë fare qartë (sikurse Fondi Mondetar Ndërkombëtar): Këto pagesa ndihme i merrni vetëm në qoftë se nuk preken strukturat demokratike në Hungari ose rikthehet në gjendjen e mëparshme atje ku janë ndryshuar negativisht."

Mirëpo deri tani Komisioni ka thënë vetëm, që pavarësia e bankës qendrore hungareze duhet të ruhet, përndryshe nuk ka para. Nga Komisioni thuhet, se komisarja Viviane Reding kërkon tani më shumë: Ose Hungaria ia përshtat ligjet së drejtës evropiane, ose negociatat për pagesat e ndihmave nuk zhvillohen. Për këtë 27 komisionerët do të flasin të mërkurën (11.01.2012).

Budapest- Protesta kundër qeverisë, 2 janar 2012
Budapest- Protesta kundër qeverisë, 2 janar 2012Fotografi: REUTERS

Komisarja Reding është e kënaqur që ka mbështetje nga radhët e veta: Sepse Partia Popullore Evropiane, fraksioni i CDU-së dhe i CSU-së, ka paralajmëruar që mbështet Komisionin. Kjo është diçka e re: Në pranverë 2011 fraksioni më i madh ende hezitonte. Para së gjithash, sepse Orban është nga ky kamp. Edhe socialdemokratët, të gjelbrit dhe të majtët duan ta rrisin trysninë. Liberalët do të donin të shkonin një hap më tej, thotë deputeti i tyre evropian konti Lambsdorff: "Rruga e dytë e mundshme është një procedurë sipas nenit 7 të marrëveshjes evropiane. Mirëpo ky është një top i rëndë, kështu po e quaj njëherë. Kështë bëhet fjalë për t'i hequr Hungarisë të drejtën e votës në Këshillin Evropian. Personalisht jam pro kësaj, që të bëhet përpjekja për të ndjekur këtë rrugë, mirëpo pengesat atje janë shumë të larta."

Heqje të së drejtës së votës nuk ka pasur kurrë në Bashkimin Evropian. Por ndonjëherë mjafton edhe kërcënimi me sanksione.

Autor: Christoph Prößl/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama