1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Brukseli kerkon hapa konkret në dialogun Prishtinë - Beograd

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së janë takuar në Luksemburg me homologët e tyre nga Ballkani. Për shkak të pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm kosovar, takimi është mbajtur sipas formulës Gimnih.

default

Ashton gjatë vizitë në Sarajevë

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së kanë kërkuar nga Beogradi dhe Prishtina që të intensifikojë përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve, në dialogun i cili po zhvillohet në Bruksel për çështjet teknike.

Deri tani në këtë dialog nuk është arritur asnjë marrëveshje konkrete përfundimtare, ndonëse pala kosovare thotë se janë përgatitur gjashtë draftë-rezoluta, të cilat duhet të miratohen. Fjala është për marrëveshjet lidhur me çështjet që janë hapur në fillim të dialogut, siç janë regjistrat civilë, telekomunikacioni, vulat në dogana, liria e lëvizjes e tjerë. Problemi më serioz që është paraqitur kohët e fundit, është insistimi i Beogradit që me Kosovën të mos nënshkruajë marrëveshje. Nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte, sipas politikanëve në Beograd, që Serbia duhet të njoh mëvehtësinë e Kosovës. Me kërkesë të Beogradit është shtyrë edhe raundi i dialogut i parashikuar të mbahet me 14 dhe 15 qershor.

Kosovo Aussenminister Enver Hoxhaj

Enver Hoxhaj

Pritjet e diplomatëve evropianë

Diplomatët e Bashkimit Evropian pohojnë se përfaqësuesja e Kosovës në dialog me Serbinë, Edita Tahiri duket më e gatshme të pranojë propozime, sesa përfaqësuesi i Serbisë Borislav Stefanoviq. Ka pasur edhe raste kur Tahiri ka marrë përgjegjësinë mbi vete edhe për çështje të ndieshme, për dallim prej palës serbe, thonë ata.

Zyrtarët evropianë në Luksemburg kanë kërkuar nga Serbia që të gjejë një zgjidhje në këtë drejtim, sepse kjo do të lehtësonte rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit e BE-së presin që marrëveshjet e para konkrete të arrihen në takimin e radhës, i cili do të mbahet në fund të këtij apo në fillim të muajit të ardhshëm në Bruksel.

Vuk Jeremic EU Balkan Gipfel in Sarajevo Bosnien und Herzegowina

Vuk Jeremiq

Takimi në Luksemburg i ministrave të jashtëm të BE-së u mbajt në kuadër të "Forumit për Ballkanin Perëndimor", siç është mbajtur edhe në qershor të vitit të kaluar në Sarajevë. Në këtë takim ishte edhe shefja e diplomacisë evropiane, Chaterine Ashton si dhe komisioneri për zgjerimin e BE Stefan Füle. Ashton ka informuar ministrat për rezultatet e vizitës së saj në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq përsëriti shpresat e Beogradit që Serbia deri në fund të vitit të fillojë negociatat për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi është i mendimit se Kosova nuk mund të jetë kusht për afrimin e Serbisë me BE. Këtë e ka thënë edhe presidenti serb Boris Tadiq gjatë vizitës së tij të fundit në Bruksel, duke shtuar se Serbia kurrë nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti