1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bruksel: Ashton takon Thaçin dhe Daçiç

Pas dështimit të procesit zgjedhor në veri të Kosovës, shefja e diplomacisë europiane, Ashton pret në Bruksel kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë.

Këtë të mërkurë (06.11) shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton do të zhvillojë bisedime me kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç. Ashton do të diskutojë mbi hapat e mëtejshëm në procesin zgjedhor në Kosovë si dhe për zbatimin e marrëveshjes së muajit prill mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Zgjedhjet komunale që u zhvilluan ditën e dielë, (03.11) në Kosovë ajo i vlerësoi si thelbësore për të ardhmen e Kosovës, ndërsa dënoi ashpër incidentet e dhunshme në veriun e Mitrovicës. «Ne i dënojmë incidentet e dhunshme në Veri të Mitrovicës, që cënuan ecurinë në përgjithësi të rregullt të votimeve në pjesën tjetër të Kosovës", tha zëdhënësja e të ngarkuarës së BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë Catherine Ashton, Maja Kocijancic, të hënën (04.11.2013) në Bruksel. Të gjithë votuesit kanë të drejtë pjesëmarrjeje në zgjedhje në një mjedis të sigurt dhe pa dhunë. Incidentet duhet të hetohen pa vonesë, u tha më tej në Bruksel.

Pikërisht kjo temë do të jetë edhe në fokus të takimit të sotëm. Votimet në veriun e Mitrovicës u dëmtuan nga incidentet e së dielës mbrëma, kur persona të maskuar ndërhynë dhe shkatërruan kutitë e votimit në disa vendvotime, duke detyruar largimin e komisionit të zgjedhjeve dhe të përfaqësuesve të misionit të OSBE-së. Nga ana tjetër misioni i Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të tre nëntorit, vlerësoi se, megjithë incidentet që ndodhën në veri të Kosovës, procesi zgjedhor ishte i mirë apo siç thuhet “i kënaqshëm”, në shumicën e vendvotimeve që vëzhguesit e BE-së kanë qënë prezent. Këtë konstatim e bëri shefi i misionit vëzhgues të BE-së në Kosovë, Roberto Gualtieri, në një konferencë për media ditën e martë (05.11). Ai tha se zgjedhjet komunale ishin të një rëndësie të posaçme, sepse për herë të parë mbaheshin në të gjithë territorin e Kosovës. “Ato ishin bazuar në Marrëveshjen e arritur në Bruksel mes dy kryeministrave Thaçi dhe Daçiç në Bruksel”, theksoi Gualtieri.