1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Britanikët hedhin vështrimin nga Greqia

Më e vonta që prej rizgjedhjes së partisë konservatore në maj, anëtarësia e Britanisë së Madhe në BE është krejt në krye të agjendës politike. Largimi i Greqisë nga eurozona- thikë me dy presa për referendumin.

Për të qetësuar euroskeptikët, kryeministri David Cameron premtoi një referendum. Në fund të vitit 2017 britanikët do të votojnë për mbetjen apo jo në BE. Cameroni vetë do të preferonte ta mbante në BE vendin, megjithatë ai kërkon një reformë të institucioneve dhe ligjeve të BE. Për javë të tëra ai është takuar me politikanë drejtues evropianë, për t'i bindur ata për mbështetje në planet e tij reformuese. Por krizat aktuale - nga Greqia te debati për refugjatët deri në konfliktin me Rusinë - i spostuan objektivat e tij në plan të dytë.

Krizat hedhin hijen e tyre mbi planet reformuese

"Për momentin ka pak njerëz në Bruksel që kanë kohë të mendojnë për Britaninë e Madhe, gjë që do të sillte me vete një reformë të BE", mendon Fabian Zuleeg nga Qendra Kërkimore "European Policy Centre". "Kur të kenë kaluar krizat e tjera, do të kemi mundësi të përqendrohemi këtu."

Reforma të shpejta pra nuk priten, thotë Zuleeg. "Gjermania për shembull do t'i kushtojë vëmendje problemit, por aktualisht është e preokupuar me Greqinë. Por akoma ka kohë deri në referendumin britanik. Po të gjejmë një zgjidhje pa Grexit, atëherë kriza aktuale nuk do të ketë efekt shumë të madh te Britania e Madhe."

Fabian Zuleeg European Policy Centre

Fabian Zuleeg nga Qendra "European Policy Centre"

Dalje nga BE

Shumë analistë e shohin këtë ndryshe: ata janë të bindur se përfundimi i referendumit grek do t'u japë më tepër pushtet lobiistëve kundër BE në Britaninë e Madhe. "Jo-ja e grekëve e bën më me gjasa një Grexit. Po u largua Greqia nga BE, kjo do të ishte thikë me dy presa për David Cameronin", shpjegon Rem Korteweg nga Qendra Kërkimore Londineze "Centre for European Reform". Nga njëra anë, dalja e Greqisë nga BE do të ishte një dëshmi e fortë se marrëveshjet e BE duhen ndryshuar", tha Korteweg. Kjo do t'ia përgatiste Cameronit rrugën për planet e tij reformuese në BE. Nga ana tjetër, disa britanikë mund ta shohin një Grexit si dëshmi, që ideja evropiane nuk funksionon. "Kjo do t'i vështirësonte Cameronit që t'i bindte qytetarët për të qendruar në BE". Prandaj janë euroskeptikët ata që mund të përfitojnë më shumë nga gjendja aktuale.

Pasoja për ekonominë

Kriza aktuale ushtron efekt në ekonominë britanike, mendon Simon Walker, Kryetar i Institute of Directors, një organizatë e drejtuesve të ekonomisë britanike. "Eshtë e vështirë të thuhet se çfarë do të ndodhë, po të largohen grekët nga Euro, por shumë sipërmarrje britanike mund të dëmtohen". Tronditja e tregjeve financiare mund të vërë nën presion shumë shtete, sidomos mesdhetare.