1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Brey: Shqipëria u hodh një hap pas në rrugën drejt Evropës

Dr. Hansjörg Brey, drejtues i Shoqatës së Evropës Juglindore, një organizate ekspertësh në Mynih, mendon se opozita në Shqipëri më e pakta e pranoi dhunën. Ai kërkon nga të dyja palët të mos provokojnë.

default

DW: Zoti Brey, ju i vëzhgoni prej kohësh zhvillimet në Shqipëri. Cili ishte mendimi i parë që ju erdhi, kur dëgjuat lajmet për trazirat e reja të përgjakshme në Shqipëri?

Brey: Unë sigurisht u tremba kur mësova për zhvillimet. Mendimi im i parë është që Shqipëria u hodh një hap pas për shkak të këtyre përplasjeve, në përpjekjet për të arritur një pajtim midis qeverisë dhe opozitës dhe pikërisht në rrugën për në BE. Besoj se këtu është arritur një shkallëzim i tillë i situatës, e cila prej së jashtmi perceptohet se palët nuk janë në rrugë për t'u pajtuar me njëra-tjetrën, gjë që e hedh pas procesin e demokratizimit.

DW: Si e vlerësoni mënyrën e veprimit të opozitës? A mendoni se lufta legjitime kundër korrupsionit përzihet edhe me përdorimin e dhunës?

Brey: Unë mendoj se opozita aktualisht të paktën e pranon përdorimin e dhunës. Natyrisht që lufta kundër korrupsionit është legjitime, ne patëm aferën rreth ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta dhe dorëheqjen e tij, por fakt është që për fat të keq ka korrupsion edhe në radhët e opozitës. Kështu që të dyja forcat politike këtu nuk dallohen kaq shumë. Kjo e bën këtë luftë edhe pak të besueshme, sepse asnjë forcë politike në Shqipëri, të paktën forcat kryesore politike atje, nuk janë të pakritikueshme për korrupsion. Edhe për kryetarin e opozitës, Edi Rama ka dyshime se ka lidhje të ngushta me degën e imobilieve në Shqipëri, pra problemet janë në fakt tek të gjitha palët.

DW: Doni të thoni se opozita nuk e luan aktualisht rolin që duhet të luante?

Brey: Po, ajo nuk e luan rolin që duhet të luante. Mendoj se detyrë e opozitës është që të shfrytëzojë mjetet parlamentare për të vepruar kundër shkeljeve.

DW: Të krijohet përshtypja atëherë se në Shqipëri lufta bëhet vetëm për pushtet. Ju kuptova drejt?

Brey: Po, ashtu është. Kemi një ndeshje për pushtet dhe për fat të keq, siç po e shohim tani në një nivel shumë të ulët.

DW: A konstatoni element të një puçi në kryengritjen e opozitës, siç thotë qeveria?

Brey: Besoj se ndoshta kjo është një shprehje shumë e fortë, por fakt është se përdorimi i dhunës u pranua nga opozita, dhe ky është një fakt.

DW: Çfarë duhet të kishte bërë ndryshe opozita dhe qeveria, çfarë duhet të bëjnë ato ndryshe?

Brey: Unë besoj se të dyja palët duhet të përpiqen që të gjejnë një formë të komunikimit me njëri-tjetrin, pra një dialog, i cili e respekton edhe kundërshtarin. Duhet të shmangen provokimet, si ato p.sh. kur para pak kohësh kryeministri, kështu e mësova të paktën, e karakterizoi Ramën si element të dëmshëm të degjeneruar, ky nuk është stil i mirë dhe me të vërtetë një provokim. E rëndësishme është që konflikti të mos dalë në rrugë, përndryshe në fund ka vetëm të humbur, tek të dyja palët.

DW: A mendoni se shqiptarët duhet të llogarisin për një kohë të gjatë që do të kenë institucione të dobëta dhe herë pas herë të paguajnë për këtë edhe një taksë gjaku?

Brey: Besoj se ajo që pritet për fat të keq është që reformat e nevojshme të institucioneve të ngecin në vend, për aq kohë sa forcat politike e bllokojnë në mënyrë reciproke njëra-tjetrën. Mund të shpresosh vetëm që kundërshtarët të vijnë në vete dhe që të mos provokojnë viktima të tjera, kjo është vendimtarja tani.

DW: Ashpërsia me të cilën zhvillohet lufta politike në Shqipëri, ka të bëjë me temperamentin e njerëzve apo me faktin e një demokracie të dobët?

Brey: Unë besoj se ka të bëjë në përgjithësi me trashëgiminë shumë të rëndë të diktaturës dhe me demokracinë ende të dobët që kjo përplasje kryhet tani me kaq ashpërsi dhe natyrisht në një njëfarë mënyre me natyrën e kundërshtarëve. Pra kemi kalibra specifikë politikë, e kam fjalën për Edi Ramën dhe zotin Berisha, që ndeshen me njëri-tjetrin.

DW: A duhet të imponojë BE me detyrim zgjidhje, në një kohë që shqiptarët duhet t'i zgjidhin vetë problemet e tyre? A është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm presioni nga jashtë?

Brey: Presioni nga jashtë është i pashmangshëm. Ne nisemi nga fakti që është në interesin e politikanëve të Shqipërisë që të ndërmarrin hapa specifikë reformues. Shqiptarët duan të bëhen anëtarë të BE dhe atëherë duhet të sillen në përputhje me këtë, besoj që edhe nga ana e BE kjo duhet t'u bëhet e qartë shqiptarëve.

Intervistën e zhvilloi Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 26.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/1037Y
  • Data 26.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/1037Y