1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Brey: Publiku ndërkombëtar flet me shumë zëra. Në vende si Shqipëria kjo është krejtësisht kundraproduktive

Gazetari Thomas Brey duke komentuar zgjedhjet lokale në Shqipëri, vëren: "Në thelb duhet të vijë situata kur për një shqiptar të mos luajë rol se kush është në pushtet në qytetin e tij ose në vendin e tij."

Dr. Thomas Brey, drejtues i Zyrës së Ballkanit të DPA-së në Beograd

Dr. Thomas Brey, drejtues i Zyrës së Ballkanit të DPA-së

Dr.Thomas Brey është që prej vitit 2004 drejtues i zyrës së Ballkanit të Agjencisë gjermane të lajmeve DPA. Brey është njëri nga njohësit më të mirë të Ballkanit, pasi i ka mbuluar për DPA-në që nga Beogradi ngjarjet e Ballkanit në vitet 1983-1993, ndërsa 1994-2003 ishte korrespondent i DPA-së nga Vjena.


DW: Raporti i delegacionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, siç u citua nga DPA kritikon zhvillimet pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri, si "jo në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike." A tingëllon disi i papritur ky deklarim, po të kesh parasysh mospozicionimin ndërkombëtar deri tani?

Brey: Si t'ju them, mendimi nuk është edhe kaq i qartë. Vërtet që OSBE-ja dhe BE-ja thonë që këto zgjedhje nuk qenë në përputhje me standartet demokratike perëndimore, por ato nuk thonë qartë nëse rinumërimi ishte i kundërligjshëm. Jo më larg se dje, ambasadori i OSBE-së në Tiranë iu përgjigj në mënyrë shumë shmangëse një pyetje dhe tha: ju lutem, bëhet fjalë për zgjedhjen vetëm të një kryetari bashkie dhe na lini të presim se si do të përfundojnë tani të gjitha paditë që janë bërë në gjyq.

DW: Raporti të cilin e citon DPA flet gjuhë të qartë, ndoshta në Tiranë përfaqësuesit ndërkombëtarë flasin me një gjuhë tjetër?

Brey: Këtu qëndron tamam një pjesë e problemit. Publiku ndërkombëtar flet me shumë zëra. Natyrisht që në vende si Shqipëria kjo është krejtësisht kundraproduktive. Kjo ka të bëjë me faktin se organizatat që janë përfaqësuar fort në Tiranë si OSBE-ja, BE-ja, OKB-ja janë (për nga struktura) me shumë shtresa dhe nuk flasin me një zë, secili merret me punën e vet: amerikanët, evropianët...evropianët nuk janë të të njëjtim mendim as brenda vetes. Kështu që në interpretimin e këtyre zgjedhjeve dëgjon shumë versione që nuk krijojnë pamje të qartë.

DW: Atëherë është gjë e mirë që unë kam në mikrofon një ekspert të Ballkanit, cili është mendimi juaj?

Brey: Unë e shoh të gjithën në mënyrë shumë kritike. Natyrisht unë nuk jam ekspert juridik, por nuk të duhet të jesh ekspert për të tundur kokën me mosbesim përballë këtyre fakteve: si mund të ndodhë që në Tiranë u numëruan për dy javë vetëm 250.000 vota të vlefshme, që të të duhen dy javë për të numëruar 250.000 vota, një shifër që s'është asgjë, mund të kishte shkuar secili personalisht brenda kësaj kohe për ta vlerësuar votën e tij. Dhe pastaj, si qe e mundur që votat e shtuara në numërimin e mëvonshëm, rreth 300, si u desh kaq kohë sa të numërohen? Patëm një zgjedhje personash, njerëzit mund të vendosnin për Bashën ose për Ramën, midis këtyre personave nuk ka asgjë tjetër. E gjitha duhet të jetë e mundur të bëhet shumë më shpejt se për 14 ditë, ose gjithsej 15 ditë. Këtu është me vend një skepticizëm shumë i madh.

DW: Po, por tani Lulzim Basha është fituesi zyrtar i zgjedhjeve dhe kjo vjen në fund të një procesi votimi, nuk kemi të bëjmë me emërimin e një personi, të cilin mund ta tërheqësh. A mund të shpallet i pavlefshëm një votim si ky?

Brey: Këtë e kam të vështirë ta them. Partia socialiste ka thënë se do të nxjerrë në rrugë anëtarët e saj. Unë besoj se BE-ja, OSBE-ja dhe SHBA-ja janë në një situatë kur vërtet nuk dine ç'të bëjnë me këtë gjendje. Ajo që do të na ishte dashur shumë më parë, do të kishte qenë një deklarim i hapur i bashkësisë ndërkombëtare se kështu nuk mund të ecet më tej. Pasi u investuan miliona në përgatitjen e këtyre zgjedhjeve dhe u dërguan qindra vëzhgues, nuk mund të tërhiqesh kështu nga e gjitha. Këtu ka qenë i dëshirueshëm një pozicionim shumë më i fortë dhe i vendosur i bashkësisë ndërkombëtare.

Të dielën ka zgjedhje në Maqedoni dhe ne kemi aty të njëjtat probleme. Në Shqipëri kemi problemin që gjithka është e politizuar. Partitë kanë klientelën e tyre në këtë vend të vogël, e këtu bëhet fjalë vetëm për zbatimin e interesave dhe jo për zbatimin e vendimeve demokratike. Në Shqipëri është i politizuar edhe aparati i nëpunësve civilë shtetërorë, gjykatat janë të politizuara, askund nuk kemi ekspertë të pavarur që të vendosin për të mirën e vendit. Në Gjermani kemi një situatë ekstreme tjetër, një shtresë nëpunësish civilë, e cila shpesh është më e fuqishme se përfaqësuesi politik, se ministri. Ministrat ndërrohen, nëpunësit civilë mbeten, jo si në Shqipëri që çdo herë pas zgjedhjeve ndërrohet i gjithë aparati i nëpunësve civilë. Ky është një problem i madh. Në Shqipëri kundërshtarët politikë janë kundërshtarë personalë, e urrejnë njëri-tjetrin. Kjo është e papërfytyrueshme për Evropën Perëndimore. Në Ballkan gjithçka duket e orientuar në skemën e natyrës: luftë me rezultat fitimtar dhe të humbur. Dhe i humburi duhet të nxirret krejt jashtë loje, kurse fitimtarit i lejohet të përcaktojë gjithçka. Këto janë kritere, të cilat nuk janë të krahasueshme me rrethanat e Evropës Perëndimore.

DW: A mund të zgjidhet situata nga një komision apeli, pra Kolegji Zgjedhor si tani?

Brey: Është gjithnjë mirë dhe një hap para, kur kundërshtarët, sepse është fjala për persona, pra Edi Rama dhe Berisha, kur ata vijnë në çfarëdo mënyre qoftë në të njëjtën tryezë. Puna është se bashkësia ndërkombëtare është përpjekur gjithnjë për ndërmjetësim. Në tryezë në sipërfaqe gjërat kanë funksionuar. Sapo kundërshtarët janë çuar nga tavolina, ata janë kthyer në modelet e vjetra të sjelljes.

DW: Po cila është atëherë zgjidhja?

Brey: Mund të shpresohet, po kjo është disi teorike, që zhvillimi i ekonomisë, rritja e mirëqënies t'i zbusë dhe relativizojë këto probleme. Në thelb duhet të vijë situata kur për një shqiptar të mos luajë rol se kush është në pushtet në qytetin e tij ose në vendin e tij. E rëndësishme duhet të jetë që politikanët ta çojnë përpara vendin, t'i bëjnë detyrat e tyre, që ekonomia të zhvillohet me vrull.

Intervistoi: Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora