1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Brexit-i duhet të kalojë në Dhomën e Ulët

Gjykatësit e High Court of Justice në Londër këmbëngulin për një votim për Brexit-in në Parlament.

Rruga për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian po bëhet gjithnjë e më me gunga, madje kaotike. Nga njëra anë kryeministrja britanike Theresa May ende nuk e di se çfarë dhe si do të negociojë me partnerët evropianë. Nga ana tjetër shkalla e parë e High Court of Justice i dha asaj një shuplakë në fytyrë, sepse vendosi që për daljen nga BE-ja mund të vendosë vetëm parlamenti.

Deri tani, zonja e hekurt e Brexit-it donte t'i referohej një privilegji mbretëror, i cili do t'i lejone asaj ta anashkalonte Parlamentin si sovranin e vërtetë. Përmbaruesja konservatore e Brexit-it besonte deri tani se referendumi i suksesshëm i qershorit mjaftonte ligjërisht për ta katapultuar Britaninë e Madhe nga BE-ja. Gjykatësit në Londër mendojnë ndryshe. Ata këmbëngulin për një votim në Parlament.

Çudi pa fund

Qesharak është fakti se kërkesën për hapjen e procesit në gjykatë e bënë një menaxhere financash dhe një parukjere dhe jo, siç mund të mendohej, nga deputetët. Por tani jemi mësuar me shumë gjëra në sagën e Brexit-it. Pas gënjeshtrash dhe mashtrimesh në fushatën zgjedhore nga ana e nacionalistëve që synonin Brexit-in, një ministri të Jashtëm mjaft të çuditshëm, që ngre sot një flamur e nesër një tjetër në varësi të erërave populiste, përpjekjet e çuditshme ligjore për daljen apo nga BE-ja nuk të habisin më.

Riegert Bernd Kommentarbild App

Bernd Riegert

Theresa May njoftoi se do të shkojë menjëherë për apel në Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar (Supreme Court of the United Kingdom). Në rast se ajo e fiton procesin në fillim të dhjetorit, atëherë ajo mund t'i përmbahet planit kohor që ka caktuar vetë për Brexit-in. Deri në fund të muajit mars 2017 ajo do të informojë partnerët e BE-së që do të përdorë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës. Ky nen përcakton fillimin e negociatave për daljen nga BE-ja që duhet ë zgjasin dy vjet. Në rast se edhe Gjykata Supreme vendos që vendimin duhet ta marrë Parlamenti, gjërat do të komplikohen. Sepse nëse nevojitet një ligj i vërtetë, që kërkon miratimin e të dy dhomave, kjo mund të zgjasë me muaj të tërë. Qeveria mund të fillojë një procedurë emergjente për legjislacionin. Por edhe kjo mund të kundërshtohet sërish në gjykatë.

E paqartë është gjithashtu edhe nëse kryeministja konservatore do të arrijë të ketë në Parlament një shumicë për fillimin e Brexit-it. Për këtë çështje nuk është i një mendjeje as edhe grupi i saj parlament. Është e paqartë se çfarë kursi do t'i japë Parlamenti kryeministres: një Brexit të fortë me një shkëputje të plotë nga tregu i brendshëm i BE-së, apo një Brexit të butë që lejon edhe tregtinë, por gjithashtu edhe migrimin e fuqisë punëtore? E pamundur është që parlamentarët ta injorojnë plotësisht vullnetin e popullit në referendum dhe ta ndalojnë daljen e Britanisë nga BE-ja .

Zgjedhje të reja?

E mundur është gjithashtu që kryeministrja, të caktojë që në muajin shkurt zgjedhje të reja. Nëse i fiton ato ajo mund ta konsolidojë pushtetin e saj në parlament. Ose jo? Gjithësesi - Britania e Madhe po shkon përsëri drejt trazirash të forta politike. Gazeta "Daily Mail", megafoni luftarak i Brexit-it po flet që tani për "mashtrim për Brexit-in". Kurse nacionalisti Nigel Farage flet për "zemërim të masave".

Bashkimit Evropian nuk ka si t'i pëlqejë e gjitha kjo. Nëse Brexit-i vonohet më tej, vazhdon pasiguria. Drejtuesit e vendeve të BE-së i kanë kërkuar koleges britanike që t'i nisë sa më shpejt dhe konkretisht negociatat, meqë britanikët duan të dalin patjetër jashtë BE-së. Askush në Bruksel nuk mendon se Brexit-i mund të stopohet në sallat e gjykatave britanike apo në parlament. Brukseli nuk ka më shumë ndikim ndaj britanikëve kokëfortë. Prandaj deviza është: të presim dhe të shohim si do të vazhdojnë gjërat.

Ne gëzohemi për mendimin tuaj për këtë koment. Na shkruani!