1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bravo!

11 Korrik 2010

Vend të tretë në Kampionatin Botëror të futbollit në Afrikën e Jugut. Vend mëse i merituar me futbollin që luajti ekipi gjerman.

https://p.dw.com/p/OGFo

Bravo, ne jemi krenarë që ju kemi ju! Këtë ua themi me dëshirë lojtarëve të kombëtares. Vendi i tretë në këtë Kampionat Botëror është merituar me kontribut të jashtëzakonshëm. Lojtarët na dhanë momente të jashtëzakonshme. Edhe shumë vjet të tjera ne do të kujtojmë: E mban mend, 2010 në Afrikën e Jugut, në ndeshjen me Anglinë për të dalë në çerekfinale? E mban mend golin që nuk iu quajt anglezëve, më pas sulmi i ekipit tonë deri në arritjen e rezultatit 4:1. E mban mend, cerekfinalen kundër Argjentinës? Kur Thomas Müller, Basiatn Schëeinsteiger dhe Mesut Özil, shkatërruan mbrojtjen e latinoamerikanëve dhe i dërguan ata në shtëpi me 4:0.

Nga Nobodies në stars

Ta themi me dorën në zemër, kujt ia kishte marrë mendja para zhvillimit të ndeshjeve se ky ekip i ri do të shkëlqente? Ekipi gjerman u festua në gjithë botën për futbollin e tij ofensiv. Talente që jo shumë kohë më parë luanin në ekipet e të rinjve dhe të panjohur ende jashtë Gjermanisë, shpërthyen zinxhirin më të mirë mbrojtës në botë. Raportuesit ndërkombëtarë të ndeshjeve ushtronin shqiptimin e emrave të lojtarëve gjermane, në shenjë respekti për artin e ri të futbollit gjerman.

Jo vetëm tifozët në Gjermani u mërzitën, kur ekipi gjerman nuk luajti me formë të mirë në ndeshjen me Spanjën. Kudo tifozët lanë të kuptohej se u vinte keq, që ekipi gjerman nuk arriti deri në finale.

Kohë për të perfeksionuar lojën

Brengosja nuk është e nevojshme. Këtij ekipi i takon e ardhmja. Thomas Müller, zbulimi më i madh i këtij kampionati është 20 vjeç, Mesut Özil 21, Sami Khedira 23 vjeç. Edhe vetë lojtarët kryesues, si Bastain Schweinsteiger ose kapiteni Philipp Lahm, janë në mes të njëzetave. Ata do të vazhdojnë të luajnë së bashku edhe për një kohë të gjatë, kështu që kanë kohë të perfeksionojnë futbollin e tyre të kombinuar. Talente të reja janë duke ardhur. Puna shembullore e përgatitjes së të rinjve në Ligën Gjermane të Futbollit po tregon frytet e veta. Rezervati me këta lojtarë të rinj me shkollim të lartë teknik dhe taktik premton një të ardhme të artë për futbollin gjerman.

Autor: Stefan Nestler/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi