1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Brahimi ende pa plan për Sirinë

I ngarkuari i Kombeve të Bashkuara dhe i Ligës Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi, informon për të parën herë të hënën pasdite (24.9.) Këshillin e Sigurimit mbi gjendjen në Siri. Gjendja është tepër e rëndë.

Lakhdar Brahimi

Lakhdar Brahimi

Asnjë fjali nuk e bën më të qartë sesa kjo se në çfarë dileme gjendet Lakhdar Brahimi: "Veç e veç, çdo anëtar i Këshillit të Sigurimit më mbështet; do të ishte mirë sikur ta bënin edhe të gjithë së bashku."

I ngarkuari për Sirinë informon fuqitë botërore, në dijeni të pafuqisë së instancës më të lartë të Këshillit të Sigurimit. Pas tri javësh në detyrë Brahimi i ngjanë paraardhësit të tij të zhgënjyer Kofi Annan. Ai dështoi po aq prej paaftësisë së palëve në konflikt për të lëvizur nga qëndrimet e tyre sa edhe prej mbështetjes së mangët në Këshillin e Sigurimit. Në rast se kjo gjendje nuk ndryshon, atëherë edhe Brahimi s'do të dijë më tutje e do t'i duhet të dorëzohet.

Lakhdar Brahimi

Brahimi: Mbështetja mungon...

Stacionet e paracaktuara, të asaj që ai e ka pranuar se është një punë e paarritshme, Brahimi i ka vizituar: Vizita të paraqitjes te Liga Arabe, te Assadi dhe te opozitarët, në kampe refugjatësh në Jordani dhe në Turqi. Tani pra te OKB-ja.

Brahimi nuk ka plan. Nuk kam ende plan, thotë ai, se si mund të ndalet konflikti me gjithnjë e më shumë të vrarë, dhunë e krime lufte. Vetëm skica të cilat i paraqet me zhdërvjelltësi zëdhënësi i tij Ahmad Fawsi, ashtu siç e bënte edhe për shefin e tij të fundit Kofi Annan.

"Ka nevojë për lëvizje në dy fronte: duhet të ndalet dhuna dhe të nisë një proces politik. Për këtë duhet jo vetëm mbështetje nga qeveria dhe nga opozita, po edhe nga vendet me ndikim dhe me interesa në Siri", thotë ai.

Pengesa të shumta

Luftimet në Siri

...luftimet vazhdojnë.

Siç dihet, të dyja mungojnë. Për këtë arsye aktualisht mund të konsiderohet e detyrueshme vetëm thënia e Brahimit në lidhje me misionin e tij. "I pamundur; jo krejt, por pothuajse. Këtu nuk bëjnë derman as fjalët e bukura." Ndërsa Fawsi thotë: "Ne lëvizim aq shpejt sa ç'është e mundur, mirëpo vetëm kur kjo bëhet e mundur."

Kësisoj në lidhje me temën e Sirisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së edhe më tej ka vetëm fjalime, me siguri shumë fjalime. Zhvillimet e rëndësishme politike - mungojnë. Posi, Brahimi mund të arrinte diçka mendon paraardhësi Annan (me kusht që fuqitë botërore të jenë të një mendjeje). Siç dihet, ato nuk janë të një mendjeje. Ose janë vetëm verbalisht. Sidoqoftë, (për këtë nuk është i sigurt vetëm Annani) vetëm sirianët nuk ia dalin. Alternativa: Vazhdimi i luftës civile pa fund të dallueshëm.