1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brahimi angazhohet për armëpushim

Kersten Knipp / Esat Ahmeti20 Tetor 2012

I dërguari special i OKB-së Brahimi angazhohet për një armëpushim në Siri gjatë festës së Kurban Bajramit. Edhe pse argumentet e tij janë të fuqishme, shanset për armëpushim janë të vogla.

https://p.dw.com/p/16To7
Fotografi: dapd

Edhe pse shanset janë të vogla ato ekzistojnë. Lakhdar Brahimi, i dërguari special i OKB-së dhe Ligës Arabe, dëshiron t'i shfrytëzojë ato. Ai nuk dëshiron të heq dorë nga arrtitja e një armëpushimi gjatë festës së Kurban Bajramit, nga data 26 deri në 28 Tetor. Prandaj ai ka udhëtuar për në Damask për të ndërmjetësuar ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Dhe ai ka mjaft arsye për ta bërë këtë. Kjo për faktin se lufta që deri tani u kushtoi me jetë rreth 30 mijë njerëzve gjithnjë e më shumë nga Siria po ndikon edhe në vendet fqinje. Duke i nisur nga betejëzat mes shiitëve dhe sunitëve në Liban, përleshjet luftarake të herë pas hershme në kufirin sirian-turk, përgatitjet për misionin e sigurimit të armëve siriane kimike në Jordani deri te fluturimet e dyshuara iraniane mbi hapësirën ajrore irakiane: ndikimet e konfliktit sirian vërehen gjithnjë e më shumë në tërë rajonin.

Prandaj Brahimi duhet të mbetet aktiv dhe të ndërmjetësojë. Por ndërmjetësimi i tij mund të bëhet shumë i vështirë, shpreh drojën e tij, Paul von Maltzahn, zëvendëskryetar i Shoqatës Gjermane për Politikë të Jashtme. Sepse përpjekjet për ndërmjetësim të Brahimit i rrezikon para së gjithash një gjë: besimi i palëve ndërluftuese se mund të arrijnë fitoren me forcën e armëve. Të dyja palët llogarisin me mundësitë për të mposhtur armikun dhe për të shpëtuar në këtë mënyrë nga kompromiset dhe koncesionet. "Dhe për aq kohë sa ky besim nuk do të tronditet, të dy palët do të vazhdojnë të luftojnë njëra-tjetrën."

Fitore me çdo çmim: Pamje nga qyteti Aleppo
Fitore me çdo çmim: Pamje nga qyteti AleppoFotografi: Reuters

Luftë në shumë fronte

Por edhe në qoftë se optimizmi i dy palëve do të zhduket nën presionin e përleshjeve, prapëseprapë do të jetë shumë e vështirë që të githa grupet të sillen në një tryezë bisedimesh, druan Neil Melvin, drejtor programi i Institutit Ndërkombëtar për Hulumtime të Paqës (SIPRI) në Stamboll. Si mund të inkurajohen palët për bisedime kur njëra prej tyre, opozita pra, ka kohë që nuk flet më një zë? Një nga vështirësitë më të mëdha të konfliktit sirian qëndron në faktin se opozita në vend nuk është e unifikuar, thotë Melvin i cili përballet me dinamikën e konflikteve të armatosura dhe zbutjen e tyre. Brenda opozitës ekzistojnë forca sektare që i përkasin besimeve të ndryshme fetare. Kësaj i shtohen edhe grupet etnike të tilla si kurdët, lidhjet e të cilëve shtrihen përtej kufijve sirian. "Pra, nuk bëhet fjalë për një konflikt në mes të dy palëve, por në disa fronte. Dhe këto fronte lëvizin vazhdimisht." Paralelisht me negociatat mes palëve Lakhadar Brahimi duhet të kujdeset që të sigurojnë një qëndrim të unifikuar të opozitës siriane.

Sigurisht që fragmentimi është para së gjithash shkak i presionit të regjimit të Assad-it ndaj opozitës si dhe në pjesë të madhe presioni i popullatës civile. Kundërshtarët e Asadd-it e kanë akuzuar qeverinë për përdorimin e bombave thërrmuese përdorimi i të cilave ndalohet me ligjet ndërkombëtare. Ato për shembull janë përdorur në sulmin e aviacionit ajror të kryer në bastionin e rebelëve Maaret al-Numan, në rrugën me rëndësi strategjike Damask-Aleppo. Sipas të dhënave të ekipeve shpëtimtare vetëm si pasojë e këtij sulmi u vranë 44 njerëz. Vetëm të enjten (18.10.) thuhet të jenë vrarë të paktën 135 njerëz. Një presion i tillë nuk mund të mbetet pa pasoja, thotë Melvin. "Një pjesë e popullatës civile siriane largohen nga vendi dhe kjo bën që konflikti të kalojë jashtë kufirit sirian. Të tjerë besojnë se ata kanë nevojë për të mbrojtur veten dhe familjet e tyre. Gjithë kjo e komplikon një konsensus bazë mbi të cilën do të mund të përfundonte lufta."