1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

BQE nuk ia mbyll Greqisë rubinetin e parave

Banka Qendrore Evropiane nuk do t'ia mbyllë Greqisë rubinetin e parave. Kredi emergjente do të vazhdojë të jepen në shumën e mëparshme. Por kjo është vetëm një pikë uji në shkretëtirë.

Pa të ndihmat e të ashtuquajturës "Emergency Liquidity Assistance" nga Banka Qendrore Evropiane bankat greke kërcënohen nga falimentimi, sepse ato nuk mund të marrin më të holla nga BQE-ja në mënyrën konvencionale. Fakti që shumë grekë janë duke tërhequr masivisht paratë nga llogaritë e tyre bankare, sepse kanë frikë nga një falimentim i shtetit, e përkeqëson edhe më tej situatën.

Sipas informacioneve të BBC ministri grek i Financave, Janis Varufakis, mendon t'i mbajë të mbyllura bankat të hënën, që të ndalë kështu rrjedhjen e më shumë të hollave prej tyre.

Kritikë ndaj kredive të përhershme BQE-së

Javën e kaluar këshilli drejtues i BQE-së është mbledhur thuajse çdo ditë për të diskutuar në lidhje me të ashtuquajturën "Emergency Liquidity Assistance", apo si njihen shkurt ndihmën ELA. Ato kanë pasur së fundi një volum prej 90 miliardë eurosh. Kreditë i jap Banka e Greqisë, megjithatë, këshilli drejtues i BQE-së duhet t'i miratonte ato dhe mund t'i ndalete me një shumicë prej dy të tretave të votave. Gjithësesi edhe në radhët e BQE-së po shtohen kundërshtimet në lidhje me kreditë emergjente.

Greqia mbetet pjesë e Eurozonës

Megjithë problemet dhe mundësinë e një falimentimi të shtetit Greqia do të vazhdojë të jetë pjesë e Eurozonës. Këtë nuk e theksuan vetëm politikanët evropianë, por edhe kryeministri grek Cipras.

Në fjalën e tij përpara parlamentit grek ku u vendos për për mbajtjen e një referendumi, për propozimin e mëparshëm të masave të kursimit dhe të reformave, të propozuara nga kreditorët ndërkombëtarë, Cipras theksoi se askush nuk mund ta nxjerrë Greqinë nga Eurozona.

"Dita e së vërtetës do të vijë për kreditorët", deklaroi Cipras. Greqia nuk do të dorëzohet. Për referendumin e planifikuar për të dielën e ardhshme, grekët duhet të thonë një "jo të madhe për ultimatumin" e kreditorëve, kërkoi Cipras. Kryeministri u tregua njëkohësisht i bindur se përmes një "jo-je krenare", do të forcohej pozicioni i Greqisë përballë kreditorëve, megjithëse ata i refuzojnë të paktën për tani bisedimet e mëtejshme me Athinën.

Sipas vlerësimeve të eurogrupit fundi i programit të ndihmave për Greqinë do ta detyrojë qeverinë e Athinës për të marrë masa emergjente. Ndërsa qeveria e Athinës do që vetë grekët të votojnë për kushtet e kreditorëve dhe për pagimin e 18 miliardë eurove të mëtejshme nga paketa e ndihmave.