1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bota "ideale" e diktaturës së RDGJ - ekspozitë në Shqipëri

Në Ambasadën Gjermane në Tiranë është hapur një ekspozitë me pamje nga RDGJ para vitit 1989. Fotot janë realizuar nga fotografi Harald Schmitt nga Hamburgu, korrespondent i revistës “Stern” dhe janë shoqëruar me tekste.

Vizitorë në ambjentet e ekspozitës

Vizitorë në ambjentet e ekspozitës

Ekspozita, që është në kuadër të javëve të kulturës gjermane në Shqipëri, është një rikthim në kohën e diktaturës, në një realitet që ende sot konsiderohet si i huaj. Ajo është një ngacmim për memorien e vizitorëve shqiptarë për periudhën gati gjysëm shekullore, që jetuan nën regjimin më të egër diktatorial në vendet ish komuniste.

Duke ndjekur në mënyrë kronologjike kolazhin e fotove, salla e madhe në ambasadën gjermane ngacmon kujtimet e vizitorëve të pranishëm. Arredimi krijon ndjesinë e ndjekjes së një filmi dokumentar nga periudha e komunizmit. Pavarësisht se janë fiksuar momente nga jeta në Republikën Demokratike Gjermane, thuajse në një gjatësi vale vizitorëve shqiptarë iu duket se janë në kujtimet në po të njëjtën periudhë, por në vendin e tyre.

Ekspozita tërheq vëmendjen me paralelizmat kohore

Ekspozita tërheq vëmendjen me paralelizmat kohore

Paralelizma simbolike me diktaturën në Shqipëri

Radhë e gjatë njerëzish përpara një dyqani ushqimor në Berlinin Lindor; grupe të rinjsh që marshojnë me krenari me rastin e një kongresi të partisë; një taracë pallati ku duket denduri antenash televizori që janë kthyer nga Perëndimi, për të shikuar më shumë se sa lejohet; nje ‘tabelë nderi' në një prej ndërrmarrjeve në RDGJ; pamje nga spartakiada rinore dhe studentore nën moton ‘ne mbrojmë atdheun tonë socialist'; parrulla dhe banderola tipike të periudhës së regjimit komunist etj., etj. Çdo foto përmban detaje jetësore nga periudha e para 1989-s në pjesën gjermane, e cila funksiononte sipas modelit të vendeve të ish Bllokut Komunist.

“Unë jam Elmira. Një pjesë e jetës time i përket periudhës së diktaturës. Jam shumë e impresionuar. Më kujtohen ato kohët kur ne bënim stërvitje ushtarake, bënim roje nderi nëpër monumente dhe vë re paralelizmat kohore, paçka se tek ne masat ishin më shtrënguese dhe liria ishte më e kufizuar. Edhe ne në kohën tonë dukeshim mirë në fotografi, por së brendshmi kishte një lloj dhimbjeje që njerëzit e mbanin nga brenda.”

Eksponatet paraqiten të komentuara nga historianë gjermanë

Eksponatet paraqiten të komentuara nga historianë gjermanë

Mësuesja nga Tirana, pasi e ka kaluar disa herë koleksionin fotografik ngre një pyetje për shoqet e saj: “A mundet që dhe në Shqipëri të ketë një fotoekspozitë të tillë?” Dhe po vetë përgjigjet: “Kërkon kohë, kërkon një gjykim më të ftohtë mbi të shkuarën. Nuk duhet politizuar, sepse ajo që ka ndodhur duhet të trajtohet si një histori.”

Trajtim me qetësi i së kaluarës

Bledar Dollakut i kanë bërë përshtypje notat realiste, pa ngjyra të errëta në karakterizmin e asaj periudhe. Siç thotë ai për DW, në këtë mënyrë ata japin mesazhet e dështimit të atij sistemi që i ‘futi njerëzit në rresht', e që kur i rishohim tashmë na duken vërtet qesharake.

“Syri i fotografit i kombinuar me tekstin e një historiani mendoj se mund të jetë një shembull se si mund të punohet me të kaluarën. Sa më shumë informacione të ketë, me sa më shumë këndvështrime të ndryshme, mendoj se aq më shumë shërben për t'i treguar atyre që nuk e kanë përjetuar se si ishte kjo e kaluar. Një gjë tjetër që të bën përshtypje është dhe qetësia dhe relaksi se si sillen gjermanët me të kaluarën e tyre, gjë që neve shpesh herë na mungon”.

Në mesin e vizitorëve në mjediset e ambasadës gjermane ka dhe më të rinj në moshë, të cilët periudhën e diktaturës në Shqipëri e kanë mësuar nga të tjerët. Blerta, piktore në profesion, shikon elementët profesionalë në realizmin e fotove.

“Unë sapo kisha lindur në atë periudhë dhe nuk mund të bëj një krahasim. E kam thjesht në memorie, histori që më janë treguar nga të tjerët dhe filloj e ballafaqoj. Ka ngjashmëri, sepse njerëz jemi, vetëm gjuha ndryshon. Ndihesh mirë që kujtime të tilla ruhen dhe për ne brezin e ri është një kujtim, do të dimë për çfarë të flasim”.

Fotoeskspozita “Bota idale e diktaturës? – Sundimi dhe jeta e përditshme në RDGJ”, e cila do të qëndrojë hapur deri më 28 tetor në mjediset e Ambasadës Gjermane në Tiranë, është një realizim i fotografit Harald Schmitt me tekstet shoqëruese nga Stefan Wolle. Ajo është mbështetur nga Fondacioni për Zbardhjen e Historisë së Diktaturës të Unionit Socialist Gjerman, SED dhe revista e njohur gjermane “Stern”, si një kontribut në studimet historike-politike.

Autor: Arben Muka/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 19.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Phb7
  • Data 19.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Phb7