1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bota e shokuar pas sulmit në Nisë

Sulmi në Nisë ka tronditur mbarë botën. Krerë shtetesh e politikanë botërorë i shprehin solidaritetin Francës dhe e cilësojnë atë si një sulm ndaj botës sonë të lirë.

Reagimet të tronditura në botë pas sulmit në Nisë. Presidenti amerikan, Barack Obama u shpreh se "e dënoj me forcë aktin." Ai i siguroi Francës solidaritet dhe partneritet në zbardhjen e sulmit. "Kjo ditë e Festës kombëtare do të na kujtojë rezistencën e jashtëzakonshme dhe vlerat demokratike që e kanë bërë Francën një vend frymëzues për të gjithë botën", tha Obama. Ndërsa kandidati republikan për fushatën parazgjedhore presidenciale në Amerikë, Donald Trump shtyu prezantimin e kandidatit të tij për postin e zëvendëspresidentit. "Para kësaj ngjarjeje të tmerrshme, heq dorë nga ky akvitet", u tha.

KS: Sulm barbar dhe frikacak

Në një deklaratë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bëhet fjalë për një "sulm terrorist barbar dhe frikacak." Terrorizmi është një nga kërcënimet më të madhe për paqen botërore dhe sigurinë ndërkombëtare, thuhet në deklaratë.

Edhe nga Europa vijnë mesazhe mbështetje për Francën në këtë ditë të rëndë. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker shkroi se "ne do ta luftojmë brenda dhe jashtë BE-së terrorizmin. Bashkësia ndërkombëtare qëndron e bashkuar "kundër dhunës dhe urrejtjes." Ndërsa presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk e siguroi Francën për mbështetjen. "Ne e dënojmë këtë tragjedi dhe do ta vazhdojmë luftën tonë kundër ekstremizmit dhe dhunës." Liderë të samitit Aziatik-Europian të mbledhur në Ulan Bator e dënuan sulmin.

Në Francë sundon zi dhe tronditje e thellë për sulmin e ri. Presidenti francez François Hollande paralajmëroi kundërgoditje të fortë. "Franca u sulmua në ditën e Festës Kombëtare, e cila simbolizon lirinë. Asgjë nuk do të na bëjnë të zbusim luftën kundër terrorizmit. Ne do t'i përforcojmë aksionet tona në Siri dhe Irak. Do të godasim ata që na sulmojnë në tokën tonë."

Gauck: Vlerat e Revolucionit Francez janë edhe vlerat tona

Edhe në Gjermani u dënua akti barbar në Nisë. Presidenti gjerman Joachim Gack i shkroi presidentit francez se 14 korriku është simbol për "vlerat e Revolucionit Francez që janë edhe vlerat tona." Kancelarja Merkel u shpeh për një "sulm vrasës masiv". "Këtë ditë ne solidarizohemi me miqtë tanë në Francë. Gjermania qëndron krah Francës në këtë luftë kundër terrorizmit, e bashkuar me shumë të tjerë. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier u shpreh se "Ne mbajmë zi me Francën në këto momente të vështira dhe qëndrojmë të bashkuar krah tyre. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre dhe me të gjithë popullin francez. "

Edhe Presidenti Putin e dënoi sulmin si mizor dhe cinik. "Kemi parë më se njëherë që për terrorizmin, morali njerëzor është absolutisht i huaj, viktimat e tij janë civilë të pafajshëm, ndër to gra dhe fëmijë."