1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bosnja - Qeveria e shpëtimit kombëtar rrugëdalja e vetme

Në Tuzëll është ngritur një iniciativë për krijimin e qeverisë së ekspertëve ose qeverie të shpëtimit kombëtar. Ekonomistët besojnë se kjo është zgjidhja e vetme në këto momente ndërsa juristët janë skeptikë.

Biznesmenët e Kantonit të Tuzllës (TK) prezantuan disa nga kërkesat konkrete për të përmirësuar situatën e përgjithshme jo vetëm në kanton por në të gjithë vendin. Ideja është për të formuar një qeveri që do të përbëhej nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe e cila do të punonte vetëm për të mirën e qytetarëve. Faruk Shirbegoviq, një anëtar i Këshillit Ekonomiko-Social të Kantonit të Tuzllës, por edhe një nga biznesmenët më të suksesshëm në vend, thotë se së pari duhet të përcaktohet se kush do të formojë këtë qeveri: "Duhet të zgjidhet një qeveri që do të përbëhet nga ata që dëshirojnë të kontribuojnë për përmirësimin e situatës dhe të cilët nuk kanë ngjyrime politike. Gjendja e tanishme tregon se situata nuk është e mirë. Të gjithë e kanë injoruar ekonominë dhe ishin të pandjeshëm ndaj gjendjes shoqërore. Objektivi kryesor i qeverisë së re duhet të jetë rritja e punësimit dhe nxitja e bizneseve të reja."

"Shteti plaçkit popullin"

Në foto: Duljko Hasiq

Në foto: Duljko Hasiq

Ideja është e mirë, pajtohen shumë ekonomistë por edhe biznesmenët. Duljko Hasiq nga Dhoma e Tregtisë së Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, thotë se në situatën aktuale kjo është zgjidhja më e mirë dhe e vetme: "Formimi i qeverisë së ekspertëve apo shpëtimit kombëtar është me të vërtetë rrugëdalja e vetme dhe aktualisht zgjidhja e vetme."

Qeveria apo qeveritë e shpëtimit në të gjitha nivelet në Bosnjë e Hercegovinë patjetër që do të duhej të kenë më pak ministri dhe nënpunës e të jenë më efektive se sa aparati aktual i madh administrativ që është krejtësisht i paefektshëm, vërejnë ekspertët. Ata shtojnë se qeveria e re do të mund të tregonte rezultatet e para brenda disa muajve dhe efekti i plotë do të realizohej brenda dy viteve. Ekonomisti Aleks Milojeviq pretendon se ka zgjidhje dhe ajo mund të realizohet përmes një organizimi të tillë përkatësisht nëpërmjet një qeverie të shpëtimit kombëtar. "Është thjesht e pabesueshme se si kjo qeveri qeveris vendin prej 20 vjetësh dhe nuk është në gjendje të hapë një ndërmarrje por vetëm di të shesë dhe të marrë hua. Ka me siguri njerëz në vend të cilët janë në gjendje të krijojnë një model të ri të qeverisë dhe të dalim nga kjo krizë. Shumë lehtë dhe shumë shpejt."

Milojeviq beson se shpejt mund të dilet nga kriza

Në foto: Aleksa Milojeviq

Në foto: Aleksa Milojeviq

Milojeviqi thekson se fillimisht duhet të zgjidhet sistemi i privatizimit dhe të arrihet deri te pronësia masive e aksioneve si mënyra e vetme për të marrë kompanitë e mëdha: "Ne po shohim se që kur është bërë privatizimi i ekonomisë dhe ekonomia ka mbetur në duart e individëve, shteti nuk bën asgjë, por vetëm plaçkit popullin dhe këtë pasuri ia dorëzon disa individëve duke shpresuar se ata do të drejtojnë ekonominë, gjë që është gabim."

Në radhë të parë interesat e qytetarëve

Prandaj qeveria e shpëtimit kombëtar do të përbëhej nga njerëz pa parti, dmth njerëz të cilët do të punojnë në interes të popullit, e jo për interesat e qendrave të caktuara të pushtetit. Shirbegoviq pajtohet me konstatimin që sot në Bosnjë-Hercegovinë është e vështirë të gjesh njerëz të cilët nuk janë përkrahës të asnjë partie politike, por është e rëndësishme që ata të mos punojnë për interesat e tyre, por për interesat e popullit: "Nuk ka rëndësi nëse një anëtar i qeverisë është mbështetës i një partie, por në radhë të parë angazhimi i tij duhet të jetë për të përmirësuar situatën. Dhe ky duhet të jetë qëllimi kryesor i qeverisë."

Në foto: Faruk Sirbegoviq

Në foto: Faruk Sirbegoviq

Mundësitë kushtetuese

Por në fund shtrohet pyetja: A është formimi i një qeverie të tillë, një qeverie ekspertësh apo shpëtimit kombëtar e mundur në bazë të kushtetutës dhe në ç'mënyrë ajo do të funksiononte në praktikë? Omer Ibrahimagiq, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Sarajevë, thotë se asnjë nen i kushtetutës së Bosnjës dhe Hercegovinës nuk e parasheh një lloj të tillë organizimi: "Zakonisht në vende të tjera parashihet krijimi i një qeverie teknike gjë që nuk e parasheh kushtetuta në Bosnjë-Hercegovinë. Ky mund të jetë vetëm një rekomandim i një grupi apo qytetarëve drejtuar Kuvendit të Kantonit që gjatë formimit të qeverisë së re të kenë parasysh që në postet e ministrave të caktohen ekspertë të fushave të ndryshme, të cilët do të ndihmonin për të përmirësuar situatën në shoqëri. Por problemi është se partitë kanë njerëzit e tyre dhe një qeveri e tillë do të mund të formohet vetëm me vullnetin e partive politike dhe çështja është nëse kjo do të ishte ajo që kërkohet aktualisht", thotë Ibrahimagiq.