1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Vullnetarë të dialogut

Bosnjë-Hercegovina - Trajtim i pabarabartë i personave me aftësi të kufizuara

Jo vetëm vendi, edhe ligjet në Bosnjë-Hercegovinën e pasluftës u shkatërruan. Njerëzit me aftësi të kufizuara i shtynë në cep të shoqërisë. Atyre iu desh të bënin një luftë të gjatë e të vështirë për të drejtat e tyre.

Kjo ishte një pamje e pazakontë për një politikan të Bosnjë-Hercegovinës: Vjekoslav Camber, Ministri i Punëve Sociale të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, për pjesën boshnjako-kroate. Ai mori pjesë në 3 dhjetor të 2012-ës në një aktivitet në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Në mënyrë simbolike ministri qëndronte edhe vetë i ulur në një karrocë invalidi. Me këtë veprim Camber donte të tregonte solidaritet me njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të sensibilizonte shoqërinë për problemet e tyre. Kundrejt tij pati edhe kritika negative. Veprimi i tij u cilësua si tërësisht i papërshtatshëm.

Së bashku jemi më të fortë

Vjekoslav Camber minister i Çështjeve sociale në Bosnjë Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, 3.12. 2012

Vjekoslav Camber minister i Çështjeve sociale në Bosnjë Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, 3.12. 2012

Megjithatë i papërshtatshëm apo jo veprimi ngjalli interesin e mediave duke ia arritur kështu qëllimit që problemet e personave me aftësi të kufizuara në Bosnjë-Hercegovinë të bëheshin të njohuara për publikun. Për shumë vite ato nuk diheshin duke qënë se në vitet e pasluftës vendi po merrej me rindërtimin. "Njerëzit me aftësi të kufizuara ishin lënë të braktisur në një cep të shoqërisë," thotë Tatjana Spasojeviç, kryetare e shoqatës për fëmijët me aftësi të kufizuara "Sunce" (dielli) në qytetin e Derventas në Republikën Srpska, në pjesën serbe të vendit. Veçanërisht bëhet fjalë për ata njerëz, të cilët nuk kanë mbetur invalidë gjatë luftërave të viteve 90-të në Jugosllavi. "Askush nuk është kujdesur për ta," thotë Spasojeviç, veçanërisht në lidhje me fëmijët me aftësi të kufizuara. Ajo vetë është nënë e një vajze shtatë vjeçare të verbër dhe e di se sa të vështirë e kanë nënat dhe baballarët në luftën për të drejtat e fëmijëve të tyre. Nën moton "Së bashku jemi më të fortë" ajo u bashkua me disa prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe themeloi disa vite më parë shoqatën "Sunce". Ky organizëm është një nga të shumtët në Bosnjë-Hercegovinë. Organizata të tilla joqeveritare janë shpesh e vetmja pikë kontakti për njerëzit me aftësi të kufizuara. "Atje ata pranohen, ashtu siç janë dhe nuk mëshirohen", thotë Sanja Zahiroviç nga qendra e informacionit për njerëzit me aftësi të kufizuara "Lotus" në Tuzla të Federatës Boshnjako-Kroate.

Më shumë të drejta për njerëzit me aftësi të kufizuara

Bosnjë-Hercegovina një vend i ndarë

Bosnjë-Hercegovina një vend i ndarë

Njerëzit me aftësi të kufizuara duan vetëm t'u njihen të drejtat e tyre themelore të njeriut: "Ata duan të kenë të drejtën për një jetë normale familjare, të punës, por gjithashtu për t'u arsimuar dhe strehuar, pra të gjitha ato të drejta, që gëzojnë njerëzit normalë", thekson Zahiroviç. Gjithashtu ajo beson se edhe njerëzit me aftësi të kufizuara të pas luftës në Jugosllavi janë lënë në harresë nga shoqëria. Gjithë vendi ishte gërmadhë, po ashtu edhe ligjet e të drejtat. Kjo ka qenë arsyeja që njerëzit, të cilëve aftësia e kufizuar nuk iu shkaktua nga lufta, nuk kanë qenë në gjendje t'i realizojnë të drejtat e tyre në një shkallë të tillë si invalidët e luftës. "Dhe kështu vazhdon të jetë ende. Por ka pasur edhe zhvillime pozitive, veçanërisht në nivel legjislativ", thotë Sanja Zahiroviç. Bosnjë–Hercegovina ratifikoi në vitin 2010 Konventën e OKB-së mbi të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe kjo i rrit shpresat, që të drejtat e këtyre njerëzve do të respektohen më shumë në vitet e ardhshme.

Një vend i përçarë – Një politikë e përçarë për paaftësinë
Bosnjë-Hercegovina është ende një vend i pasluftës, që nuk është ringritur plotësisht. Papunësia është një nga më të lartat në rajon dhe është zyrtarisht mbi 40 për qind. Paga mesatare është rreth 400 euro. Të rinjtë, njerëz të mirëarsimuar, largohen nga vendi, sapo u jepet mundësia e parë. Përveç kësaj vendi është i ndarë në Federatën e Bosnjë-Herzegovinës dhe Republikën Srpska, secila me legjislaturën dhe ekzekutivin e vet. Pra nuk është për t'u habitur që politika për aftësinë e kufizuar ndryshon në dy pjesët e vendit. Më të dukshme janë dallimet në trajtimin financiar për personat me aftësi të kufizuara. Në Federatën e Bosnjë-Herzegovinës shkon në rreth 200 euro, ndërsa në Republika Srpska vetëm 20 euro. Arsyeja për këtë, siç edhe u theksua më herët, është se nuk ka një politikë uniforme, pasi nuk ka një ministri të përbashkët për këto çështje. Një arsye tjetër është se ligjet, që në fakt janë të mira, nuk zbatohen, thonë përfaqësues të organizatave për persona me aftësi të kufizuara. Kjo çon më pas edhe në atë që shoqëria nuk i merr seriozisht.

Zhvillimet pozitive në një pjesë të vendit

Me karrocë invalidi nuk hyn kudo në Bosnjë-Hercegovinë

Me karrocë invalidi nuk hyn kudo në Bosnjë-Hercegovinë

Një kontribut i madh për zhvillimet pozitive të dy-tre viteve të fundit, ka ministria e Çështjeve Sociale të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë pjesë të vendit u krijua një fond në vitin 2010, qëllimi i të cilit ishte promovimi i punësimit të personave me aftësi të kufizuara. Përveç kësaj Ministria Federale e Punëve Sociale bashkëpunon me sukses prej vitesh me organizata për personat me aftësi të kufizuara", thotë ministri Vjekosllav Camber. Një politikë e tillë e ministrisë, që ai drejton, synon pjesëmarrjen e organizatave për aftësitë e kufizuara në jetën publike dhe politike në vend.
Bashkëpunimin e mirë deri më tani me politikanët përgjegjës e konfirmon edhe Sanja Zahiroviç nga Tuzla. Megjithatë në shumë vende duhet bërë një betejë e vështirë, para se të ndërtohen rrugët e posaçme në hyrje ndërtesash për njerëzit me aftësi të kufizuara, apo semaforët për të verbërit. "Si do t'i marrë provimet një studente e ulur në karrocë me rrota, në qoftë se ajo nuk ka ndjekur leksionet, pasi nuk ka një rrugë, që ta çojë në universitet", pyet Sanja Zahirovic. Lufta e gjatë për burime financiare, pranim në shoqëri dhe të drejtat e njeriut për njerëzit me aftësi të kufizuara vazhdon, ndërkohë që aktivistët nuk dekurajohen aspak.