1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Bosnjë-Hercegovina në KS: Në dilemë për njohjen apo jo të Palestinës

Bosnjë-Hercegovina gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm dhe mund të shndërrohet në një dëm kolateral. Në KS të OKB-së duhet të deklarohet pro apo kundër kërkesës së palestinezëve.

Karriga me emrin Palestina

Palestina anëtare e OKB-së?

Zgjedhja e Bosnjë-Hercegovinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në fund të vitit 2009, u cilësua nga politikanët në Sarajevë si një sukses i madh dhe shans për profilimin e saj në planin ndërkombëtar. Por nga fundi i mandatit të saj në organin më të lartë të organizatës botërore, Bosnjë-Hercegovina gjendet në një situatë shumë delikate. Ajo tani duhet të përcaktohet për apo kundër kërkesës së palestinezëve për antarësim në OKB.

"Pavarësisht vendimit, Bosnjë-Hercegovina në fund do të shndërrohet një lloj dëmi kolateral i kërkesës së palestinezëve", pohon ish-diplomati boshnjak Hajrudin Somun duke shtuar se "Bosnjë-Hercegovina si anëtare jo e përhershme e KS të OKB-së, kishte rastin të krijojë identitetin e saj në organizatën botërore, por mandatin e saj do të përfundojë me një dështim."

Dilema e madhe

Ambasadori boshnjak në OKB Ivan Barbalic

Ambasadori boshnjak në OKB Ivan Barbalic

Pavarësisht vendimit, pro apo kundër kërkesës së palestinezëve për anëtarësim në OKB, është e qartë që Bosnjë-Hercegovina do t'i prishë raportet më ndonjë prej shteteve mike. Raportet me SHBA-në dhe partnerët evropianë janë për Bosnjë-Hercegovinën shumë të rëndësishme, sikur edhe raportet me vendet arabe dhe ato të fesë islame. Somun thotë se pikërisht SHBA-ja ishte ajo që me Marrëveshjen e Dejtonit i dha fundin luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Ndërkohë që vendet islame kanë ndihmuar shumë materialisht dhe financiarisht rindërtimin e këtij vendi. Analistët në Bosnjë-Hercegovinë pohojnë se ky vend edhe sot varet nga faktorët e fuqishëm ndërkombëtarë, siç janë SHBA dhe Bashkimi Evropian. Por nuk duhet harruar as ndihmat e vendeve islame për rindërtimin e vendit.

"Më së miri neutral, por..."

Millosh Shollaja

Millosh Shollaja

Drejtori i Qendrës për marrëdhënie ndërkombëtare në Banja Llukë, Millosh Shollaja pohon se përmbajtja e Bosnjë-Hercegovinës me rastin e shqyrtimit të kërkesës palestineze do të ishte zgjidhja më e mirë, sepse as brenda vet Bosnjë-Hercegovinës nuk ka një qëndrim unik.

"Krerët e Republikës Srpska janë kundër kërkesës së palestinezëve, që është  përshendetur edhe nga SHBA-ja. Ndërsa Federata e Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të raporteve të mira me vendet islame, me dëshirë do të mbështeste anëtarësimin e palestinezëve. Përmbajtja do të ishte pra zgjidhja më e mirë", thotë Shollaja.

Vendimin për qëndrimin përfundimtar të Bosnjë-Hercegovinës duhet ta marrë me konsenzus presidenca e këtij vendi. Bakir Izetbegoviq mendon se antarësimi i palestinezëve në OKB, do t'i kontribuonte vendosjes së paqës në lindjen e mesme. Përfaqësuesi serb në presidencë Nebojsha Radmanoviq është kundër, ndërsa kroati Zhelko Komshiq nuk është deklaruar ende.

Autor: Samir Huseinovic / Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama