1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Boshnjakët në Kosovë të pakënaqur me pozitën e tyre

Për Deutsche Welle-n, kryetari i shoqatës së boshnjakëve kosovarë në Gjermani, Z. Osman Destanoviq flet për raportet e pakicës boshnjake me përfaqësitë diplomatike të Kosovës në Gjermani dhe ato me komunitetin shqiptar.

Në foto, Osman Destanoviqi

Në foto, Osman Destanoviqi

Konsullata e Republikës së Kosovës në Frankfurt mbi Majn ka organizuar një pritje me rastin e trevjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ftesës së konsullit Astrit Zemaj i ishin përgjegjur shumica e përfaqësive diplomatike në këtë qytet.

Pamje nga pritja në Villa Bonn të Frankfurtit me rastin e trevjetorit të pavarësisë së Kosovës

Pamje nga pritja në Villa Bonn të Frankfurtit me rastin e trevjetorit të pavarësisë së Kosovës

Të ftuar ishin edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme kosovare, që veprojnë në Gjermani. Në mesin e tyre edhe kryetari i Shoqatës së boshnjakëve nga Kosova në Gjermani, zoti Osman Destanoviq. Ai në mikrofonin tonë fillimisht flet për pozitën e boshnjakëve në Kosovë:

„Kjo është deklaratë politike edhe pse unë nuk jam politikan. Por unë flas si njeri dhe si një aktivist boshnjak, si një përfaqësues i një shoqate të boshnjakëve, dhe t'ju them të drejtën ne lehtë mund t'i hedhim hi syve njëri-tjetrit, por nga kjo nuk kemi asgjë. Ne duhet të ballafaqohemi me të vertetën dhe problemet ekzistuese t'i zgjidhim së bashku, në interes të boshnjakëve, të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës. Unë dhe njerëzit që mendojnë si unë nuk janë plotësisht të kënaqur me pozitën e boshnjakëve në Kosovë. Së pari: problemi më i madh për boshnjakët është decentralizimi i Kosovës. Neve na janë premtuar tri komuna dhe gjatë dhjetë viteve të fundit nuk e kemi fituar asnjë. Si pasojë e mos përmbushjes së këtij premtimi ne kemi një shpërngulje masive të boshnjakëve nga Kosova. Për këtë ekzistojnë edhe të dhëna statistikore të cilat mund të vërtetohen edhe në Kosovë…kryesisht bëhet fjalë për rajonin e Pejës, por edhe për rajone të tjera si Prizreni, Mitrovica dhe pjesa veriore e Kosovës", - sqaron Destanoviq.

Shumica e boshnjakëve, sikur dhe pjesa dërmuese e mërgatës tjetër kosovare, janë vendosur në Gjermani. Pas fillimit nga puna të ambasadës dhe shërbimeve konsullore në Gjermani janë vendosur kontaktet edhe me përfaqësuesit e minoriteteve. Konsulli kosovar në Frankfurt mbi Majn, Astrit Zemaj shpjegon:

Në foto, konsulli Astrit Zemaj

Në foto, konsulli Astrit Zemaj

„Ne kemi filluar me shërbimet konsullore që nga 15 qershori i vitit të kaluar. Shërbimet tona konsullore padyshim kanë sjellë edhe risi të tjera, kanë bërë një lëvizje në aspektin e prurjeve të reja dhe afrimit me konsullatën dhe këshu që edhe minoritetet d.m.th. pakicat të cilat jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe pakicën serbe, boshnjake, romë etj. Ata kanë filluar të vijnë dhe të orientohen aty ku duhet: në institucionet e Republikës së Kosovës dhe është nder dhe privilegj, që në këtë formë të jesh i afërt me të gjithë qytetarët e saj“.

Me kontaktet e deritanishme me përfaqësitë diplomatike kosovare në Gjermani shprehet i kënaqur edhe Osman Destanoviq:

"Sa i përket punës së konsullatës sonë këtu në Frankfurt dhe ambasadës dhe konsullatës në Berlin unë kam vetëm fjalë falenderimi. Janë në një nivel maksimal kulture dhe sjellje evropiane. Lirisht mund të them, se të gjithë ne kosovarët mund të jemi krenarë me përfaqësuesit tanë diplomatikë... Si ambasada ashtu dhe konsullatat janë të gatshme, që nëse kemi nevojë të na ndihmojnë. Deri tani nuk kemi kërkuar ndihma, por në të ardhmen me siguri që bashkëpunimi do të jetë më i ngushtë dhe nëse do të ketë nevojë diçka ne nuk presim të ketë ndonjë problem“.

Ashtu si zoti Destanoviq, për thellim të bashkëpunimit flet edhe konsulli Zemaj:

Në foto, Osman Destanoviqi dhe Astrit Zemaj

Në foto, Osman Destanoviqi dhe Astrit Zemaj


"Kontaktet kanë filluar që nga ardhja e ambasadës sonë në Berlin. Ambasadori Mirdita dhe stafi i tij kanë pasur disa takime edhe me komunitetin boshnjak të Kosovës, shoqata e të cilëve është në rrethin tanë konsullor dhe ne padyshim që do t'i ftojmë edhe këtu në konsullatë por një lajm i mirë është që ne tashmë i kemi vizituar ata dhe jemi ne planifikim të një takimi të përbashkët me komunitetin boshnjak të Kosovës i cili jeton në Gjermani. Për këtë kemi pas bashkëpunimin e plotë dhe përkrahjen e udhëheqësit të këtij komuniteti, zotit Osman Destanoviq kështu që bashkëpunimi i ndërsjelltë padyshim që do të jetë edhe në të ardhmen“.

Ndërkaq kryetari i Shoqatës së boshjakëve nga Kosova të diapsorës në Gjermani ka edhe një apel për politikanët në Kosovës në prag të formimit të qeverisë së re:

"Normalisht formimi i çdo qeverie në Kosovë nënkupton edhe përfshirjen e përfaqësuesve të pakicave.Unë apeloj tek politikanët shqiptarë të mos kërkojnë në mesin e boshnjakëve vetëm puthadorë por partnerë pasi puthadorët do t'i sjellin ata në një pozitë të keqe, ndërkohë që parnerët do ta thonë edhe atë që nuk iu pëlqen atyre. Sot politikanëve shqiptarë nuk iu duhen më puthadorët, tani e kanë shtetin e tyre dhe tani ne të gjithë duhet të marrim pjesë secili në formën e tij, që të japim kontributin për përparimin e këtij shteti, që ai një ditë të bëhet pjesë e Evropës.“

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani



  • Data 19.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10KSz
  • Data 19.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10KSz