1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Boshllëqet në konceptin e sigurisë e kthyen Loveparade në tragjedi

Pas tragjedisë në Paradën e Dashurisë shtohet trysnia ndaj organizatorëve për mangësi në organizimin e sigurisë. Të shtunën në Duisburg humbën jetën 19 vetë dhe u lënduan 340 të tjerë.

Pamje pas panikut të shkaktuar në Duisburg

Pamje pas panikut të shkaktuar në Duisburg

Një dokument i brendshëm administrativ dëshmon sipas informatave të "Spiegel online" boshllëqet në konceptin e sigurisë të një ndër aktiviteteve më të mëdha në Duisburg. Hapësira e vënë në dispozicion për të festuar ka plotësuar kushtet për pranimin e vetëm 250 mijë njerëzve. Por në të vërtetë aty janë lejuar të hyjnë mbi 1.4 milionë vizitorë.

Loveparade Duisburg 2010 Massenpanik

Festa që u kthye në tragjedi

Prokuroria vazhdon edhe të hënën (26.07) hetimet e saj. Ajo dëshiron të sqarojë, nëse koncepti i sigurisë ka qenë i mjaftueshëm. Drejtuesi i shtabit të krizës në Duisburg, Wolfgang Rabe, deklaroi në një konferencë shtypi se ia ka dorëzuar prokurorisë të gjitha dokumentat që dispononte.

Loveparade Duisburg 2010 Massenpanik

Panik masiv

Nga ana tjetër kancelarja gjermane Angela Merkel u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe kërkoi sqarimin e shpejtë të shkaqeve të tragjedisë: "Për shumë të rinj që donin të merrnin pjesë në këtë ngjarje me gëzim, natyrisht që janë ndeshur me një përvojë shumë të vështirë dhe tani kanë kujtime të tmerrshme. Ne duhet të bëjmë gjithçka është e mundur në mënyrë që diçka e tillë të mos përsëritet më", tha Merkel. Si pasojë e tragjedisë të shtunën humbën jetën 19 vetë. Sipas të dhënave të para ndër viktimat ka edhe nënshtetas të huaj.

NO FLASH Loveparade Duisburg 2010 Massenpanik

Mbipopullim. Ambientet në Duisburg nuk ishin të përshtatshme për 1,4 milionë vetë

Si ndodhi tragjedia

Në orët e vona të së shtunës mbrëma Parada e Dashurisë po vazhdonte ende. Nga altoparlantët e mëdhenj të vendosur në hapësirat e stacionit të dikurshëm hekurudhor të mallrave në qytetin Duisburg dëgjohej ende muzika techno, disa mijëra njerëz po vallëzonin dhe vazhdonin festën e tyre. Ndërkohë që disa helikopterë shpëtimtarë po silleshin në ajër mbi vendin ku kishte ndodhur tragjedia, siç duket shumë prej pjesëmarrësve në paradë nuk e kishin kuptuar ende se çfarë kishte ndodhur.

Hannelore Kraft

Hannelore Kraft, kryeministre e landit Renani Veriore- Vestfali

Pse nuk u ndërpre Love Parade

Në mënyrë që të evitohej ndonjë panik masiv i mundshëm organizatorët vendosën që të mos ndërpresin menjëherë paradën të shtunën. Wolfgang Rabe, drejtues i shtabit të krizës në qytetin e Duisburgut sqaroi se:

Loveparade Duisburg 2010 Massenpanik

"Pas peshimit të të gjitha aspekteve të sigurisë shtabi i krizës së qytetit vendosi që të mos ndërpresë menjëherë aktivitetin. Ne deshëm që kjo shfaqje të mbarojë në qetësi dhe kështu të evitonim edhe ndonjë panik tjetër të mundshëm. Ne ndërpremë edhe trafikun urban në drejtim të qytetit Duisburg në mënyrë që të pengojmë dyndjen e mëtejshme të vizitorëve."

Ndërkohë janë dhënë hollësi të reja për shkaqet e katastrofës. Sipas njohurive të fundit shkaktare e tragjedisë në të cilën humbën jetën 19 vizitorë të paradës nuk ka qenë siç supozohej në fillim paniku i shkaktuar në një tunel. Djemtë dhe vajzat janë ngjitur në disa shkallë të ngushta urgjence dhe në një skelë për altoparlantët dhe kanë rënë nga lartësia. Ata kishin provuar që të arrijnë më shpejt në hapësirat ku po zhvillohej parada.

Pikëllim në Gjermani

Me tronditje dhe pikëllim reaguan politikanët ndaj ngjarjeve gjatë Paradës së Dashurisë në Duisburg. Presidenti Christian Wulff tha se shpresonte që të afërmit e të plagosurve të marrin shpejt ndihmë. Kryeministrja e landit të Renanisë Veriore - Vestfalisë, Hannelore Kraft, tha se i gjithë vendi mban zi për të rinjtë dhe të rejat që donin të festonin paqësisht dhe që humbën jetën gjatë dramës së llahtarshme.

Autor: Moritz Börner/Ahmeti/Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 26.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OU4C
  • Data 26.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OU4C