Borisov: Kosova pjesë e Samitit të BE-së që mbahet në Sofje | Ballkani | DW | 16.04.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Borisov: Kosova pjesë e Samitit të BE-së që mbahet në Sofje

Kryeministri i Bullgarisë, vendi i të cilit kryeson presidencën e BE-së, tha në Prishtinë se “nëse Kosova dhe Serbia nuk nënshkruajnë marrëveshje normalizimi, atëherë asnjëra nuk mund të aderojnë në BE”.

Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov, tha në Prishtinë se Kosova do të përfaqësohet në Samitin e Bashkimit Evropian që do të mbahet me 16 dhe 17 maj të këtij viti në Sofje. Në këtë mënyrë, Borisov hoqi pikëpyetjet nëse Kosova do të marrë pjesë apo jo në këtë Samit për shkak të kundërshtimit të Spanjës e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov vendi i të cilit kryeson presidencën e BE-së, po qëndron për vizitë në Kosovë, ku takoi dy udhëheqësit më të lartë të shtetit, Presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj.

"Kosova do të përfaqësohet në Samit ashtu siç e kanë njohur mbi 100 shtete. Ndërsa, për ato që nuk e kanë njohur, do të gjejmë një zgjidhje”, tha Boyko Borisov. Kryeministri i Bullgarisë, në një konferencë të përbashkët për medie me Presidentin e Kosovës, porositi Prishtinën dhe Beogradin që të vazhdojnë dialogun në përmirësimin e raporteve.

Zgjidhini mosmarrëveshjet

"Kur jam në Beograd me miqtë e mi gjithmonë e përmend shokun tonë Hashim Thaçi. Dialogu duhet të vazhdojë, sepse në Bashkimin Evropian do të pranohen shtete pa probleme. Nuk keni alternativë, ju jeni të obliguar të zgjidhni problemet me Serbinë”, tha Boyko Borisov, duke porositur Kosovën dhe Serbinë që të mos kthehen në të kaluarën. Kryeministri i Bullgarisë mori shembull përmirësimin e raporteve të vendit të tij me Maqedoninë, ndërsa, tha se shpreson që edhe Athina e Shkupi t'i zgjidhin problemet.

"Ju bashkë me serbët jeni të detyruar t'i zgjidhni mosmarrëveshjet dhe atëherë Bashkimi Evropian të dy palëve do ju shoh me sy tjetër”, tha Boyko Borissov duke siguruar që "perspektiva evropiane e Ballkanit është e padiskutueshme”, por tha se "për këtë qëllim Ballkani duhet të ndryshoj, e jo Bashkimi Evropian për hir të Ballkanit”.

"Bashkimi Evropian është deklaruar se nuk importon kriza brenda BE-së. Vendet aspirante duhet t'i zgjidhin problemet para se të aplikojnë për integrim në BE. Nëse nuk nënshkruhet një marrëveshje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë as Serbia dhe as Kosova nuk do të mund të aderojnë në BE”, tha Boyko Borisov.

Thaçi: Bullgaria një vend mik

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga ana e tij, tha se presidenca bullgare e BE-së me të drejtë i ka vënë rëndësinë e duhur zgjerimit. Sipas tij, "Bashkimi Evropian do të jetë i plotë vetëm atëherë kur Kosova dhe e tërë Evropa Juglindore të jenë pjesë e tij”, tha Presidenti Thaçi, duke ritheksuar përkushtimin e Kosovës në dialog me Serbinë.

"Kosova kërkon jo vetëm që të vazhdojë dialogu me Serbinë, por edhe ta kthejë atë në një proces të mirëfilltë të pajtimit dhe të ndërtimit të paqes së qëndrueshme në rajon”, tha Presidenti Thaçi.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i kërkoi kryeministrit bullgar që shteti i tij, ta mbështesë rrugën evropiane të Kosovës dhe të ndihmojë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe në procesin e njohjeve të shtetit të Kosovës.

"Kosova ka nevojë për miqtë e saj në procesin e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në BE. Bullgaria është një vend mik nga i cili presim mbështetjen në këtë proces. Kosova do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim ekonomik dhe politik me këtë vend. Ne e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën që mund të kemi partneritet të ngushtë”, tha Ramush Haradinaj.

Spanja vazhdon kundërshtimin

Mediet në rajon ka kohë që shkruajnë se pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sidomos Spanja, po kundërshtojnë pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e BE-së që mbahet me 16 dhe 17 maj në Sofje të Bullgarisë. Madje thuhej se kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, vendi i të cilit nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës dhe as pasaportat kosovare, "nuk do të pranojë që të jetë pjesë e një fotografie të përbashkët të pjesëmarrësve të Samitit ku do të jetë edhe përfaqësuesi i Kosovës”. Se si do të gjendet zgjidhja për shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës akoma nuk dihet, ketë e tha edhe kryeministri i Bullgarisë, mirëpo, Boyko Borisov zyrtarisht e ftoi presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që të jetë pjesë e Samitit të BE-së.