1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borchardt fton opozitën socialiste të zërë vendet e saj në Kuvendin e Shqipërisë

30 Shtator 2009

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt i ka apeluar sot opozitës socialiste që të zërë vendet e saj në Kuvend. Sipas tij, bojkoti do të krijonte vetëm probleme në fushën e reformave

https://p.dw.com/p/Jupe
Në foto ambasadori gjerman, Bernd Borchardt
Në foto ambasadori gjerman, Bernd BorchardtFotografi: DW / Arben Muka

Në mënyrë sistematike diplomatët përendimorë dhe zyrtarë nga institucionet ndërkombëtare që janë të interesuar për zhvillimet në Shqipëri kanë apeluar tek Partia Socialiste, si partia më e madhe e opozitës që të heqë dorë nga bojkoti i kuvendit. Sot ka qenë radha e ambasadorit gjerman në Tiranë Bernd Borchardt që të komentojë dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë të ftojë opozitën që të bëhët pjesë e jetës parlamentare. "Bashkimi Evropian ka dhënë tashmë një deklaratë mjaft të qartë në lidhje me këtë. Rekomandimi im do të ishte që të shohim drejt të ardhmes dhe ato rekomandime që janë bërë tashme dhe në raportin e OSBE- ODIHR-it të merren parasysh dhe të zbatohen", tha ambasadori.

Logoja e OSBE -ODIHR-it
Logoja e OSBE -ODIHR-it

Për një pjesë të kërkesave të opozitës mund të ketë zgjidhje ligjore

Në argumentin e tij ai iu referua mos arritjes së shumicës së cilësuar në Kuvend, një mekanizëm që përdoret kur votohen ligje të rëndësishme. Duke qenë se votat aktuale të mazhorancës janë vetëm 74 nga 140 gjithësej, Bernd Borchardt kërkoi që në diskutimin dhe votimin e ligjeve të rëndësishme si pjesë e reformave të ishin dhe deputetët socialistë. "Sigurisht që për një gjë të tillë janë të nevojshme vendimet që ndërmerren në parlament. Për shumicën prej tyre nevojitet një shumicë e cilësuar e votave. Për disa pjesë të reformës në drejtësi kjo do ta vështirësonte punën", tha kryediplomati gjerman në Tiranë.

Ai ka tentuar që të bindë dhe shumicën se për një pjesë të kërkesave që bën opozita mund të kishte dhe zgjidhje ligjore. "Nuk jam nje ekspert i Kushtetutës dhe kodit zgjedhor shqiptar ndaj dhe nuk mund të jap një vlerësim në lidhje me këtë. Por megjithatë ka dhe kërkesa të tjera të opozitës, të cilat mund të zbatoheshin dhe viheishin në jetë. Po përmënd p.sh, ndryshimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiove e Televizioneve, KKRT, apo të bordit të Radio Televizionit Publik, RTSH. Pra, ka disa kërkesa që nga ana ligjore mund të realizohen", komentoi sot në Tiranë ambasadori i Gjermanisë Bernd Borchardt.

Selia e Partisë Socialiste në Tiranë
Selia e Partisë Socialiste në TiranëFotografi: DW

Deputetët e PS-së nuk pranojnë të marrin pjesë në seancat plenare

Nga ana e saj Partia Socialiste (PS) në opozitë ka marrë një vendim në kongresin e saj të jashtëzakonshëm që u mbajt pas zgjedhjeve të 28 qershorit, se "do të ketë marrëdhënie të kushtëzuara me Kuvendin e Shqipërisë". Ajo ka paraqitur një paketë me 8 kërkesa, ku më kryesoret kanë të bëjnë me hetimin e zgjedhjeve parlamentare, PS i quan ato si "të dhunuara nga mazhoranca" dhe e konsideron rezultatin e votimeve si "të deformuar".

PS ka 65 deputetë nga 140 që janë gjithësejt. Deputetët e saj nuk e kanë bërë ende betimin për marrjen e mandatit, pasi nuk kanë pranuar të marrin pjesë në seancat plenare dhe në punën e komisioneve të përhershme deri siç thonë ata në plotësimin e kërkesave të tyre.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Esat Ahmeti