1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Borchardt: Aplikimi për kandidat të BE- vendim sovran i Shqipërisë, momenti jo i përshtatshëm

Kryeministri Berisha paraqiti sot te presidenca çeke e BE kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit në BE. Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Bernd Borchardt sjell vlerësimin gjerman për këtë e marrëdhëniet bilaterale

Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Bernd Borchardt

Ambasadori i RFGJ në Tiranë, Bernd Borchardt

DW: Zoti Ambasador, Shqipëria aplikon sot në Pragë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Si pritet të jetë reagimi i Gjermanisë? Cilat janë argumentat pro aplikimit të sotëm dhe cilat janë rezervat ndaj tij?

Bernd Borchardt: Të bëjë tani aplikimin për statusin e vendit kandidat për anëtarësim me BE është natyrisht një vendim sovran i Shqipërisë dhe Gjermania do ta respektojë atë. Qeveria Federale ka mbështetur dhe inkurajuar vendimet e Kwëshillit të BE ne Samitin e Selanikut, në vitin 2003, që kanë qenë shpesh të konfirmuara nga institucionet e ndryshme të BE.

Nga ana tjetër Gjermania, ashtu si vende të tjera anëtare te BE-së, e ka bërë të qartë që nuk është tani momenti më i mirë për të bërë aplikimin. Aktualisht Gjermania dëshiron të shmangë një debat mbi zgjerimin me anëtarësime të reja në BE. Një debat të tillë do të dëshironim ta bënim, vetëm kur BE-ja të ketë zgjidhur çështjet e tij të brendshme, që do të thotë pasi të jetë ratifikuar dhe hyrë në fuqi Traktati i Lisbonës.

Hapi i ardhshëm pas aplikimit të sotëm do të jetë përcjellja e kërkesës për statusin pranë Komisionit Europian dhe kërkesa e Komisionit ndaj vendeve anëtare të BE për t'u pozicionuar në lidhje me kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim pëmes një vlerësimi shumë të detajuar. Ky është një hap cilësor, i cili duhet të ndërmerret në unanimitet nga të gjithë vendet anëtare të BE-së. Organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qershor do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë vendim. E njëjta gjë vlen edhe për Raportin e Progresit, të cilin Komisioni i BE-së do ta paraqesë në tetor.

DW: Marrëveshja e Lehtësimit të vizave mes Shqipërisë dhe BE ka hyrë në fuqi që prej një viti. Si ka ecur kjo Marrëveshje për lëvizjen drejt Gjermanisë të kategorive të qytetarëve që përfitojë prej saj? A kanë qenë të besueshme dokumentat e deritanishme të identitetit? A ka kërkuar zyra konsullore e Ambasadës gjermane dokumenta shtesë si çertifikata personale të lindjes apo edhe familjare?

Bernd Borchardt: Marrëveshjen e Lehtësimit të Vizave e shoh si një hap të rëndësishëm përpara. Afërsisht 1/3 e aplikuesve të vizave nuk paguajnë më tarifat e vizave në Ambasadën Gjermane, kurse pjesa tjetër e aplikuesve, 2/3 e përfitojnë vizën kundrejt tarifave të reduktuara.

Një tjetër hap përpara është fakti, që për ne është bërë më e lehtë të japim viza me shumë kalime. Numri i vizave me shumë kalime pothuajse është trefishuar që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave më 01.01.2008. Ndërsa lidhur me besueshmërinë e pasaportave, për fat të keq na duhet shpesh të konstatojmë se qytetarët, të cilëve u është refuzuar viza, aplikojnë sërish me një pasaportë të re, me të dhëna pak të ndryshuara. Ky nuk është një argument kundër pasaportave, meqë ra fjala ato janë prodhuar në Gjermani, por kundër procesit të lëshimit të tyre.

DW: Aplikimi me sukses i Marrëveshjes se Lehtësimit të Vizave është një prej parakushteve të Komisionit Europian ndaj Shqipërise për liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë. Në qarqet politike të Tiranës flitet që kjo mund të ndodhë aty nga fundi i këtij viti, 2009-ës. A është realiste kjo mundësi apo thjesht produkt i politikës?

Bernd Borchardt: Çështja e liberalizimit të vizave është një çështje teknike. Bashkimi Europian ka formuluar të ashtuquajturën „visa liberalization road map“. Aty paraqiten kushtet që duhet të plotësohen nga secili prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që BE të heqë detyrimin e vizës. Një nga këto kushte është zbatimi me sukses i Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave, por edhe pasaporta më të mira, një sistem i integruar sigurie për kufinjtë dhe pika të tjera të rëndësishme për sigurinë e brendshme të BE-së. Sapo të jenë përmbushur këto kushte, Komisioni Evropian do t'u propozojë vendeve anëtare heqjen e detyrimit të vizave.

Vendimi lidhur me këtë propozim duhet të merret në bazë të parimit të shumicës. Pra, vendet e veçanta të BE-së nuk kanë mundësinë të bllokojnë këtë vendim me anë të vetos. Se kur do ta bëjë Komisioni këtë propozim për Shqipërinë, kjo varet nga rezultatet e verifikimit prej tij të kryerjes së reformave në Shqipëri. Ekspertë të Komisionit kanë qenë para pak kohësh në Shqipëri. Komisioni ka deklaruar publikisht se nuk beson në heqjen e detyrimit të vizave për Shqipërinë në vitin 2009.

DW: Si e vlerësoni klimën politike në Shqipëri, performancën që partitë politike dhe shoqëria civile po bëjnë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009?

Bernd Borchardt: Shoh, se klima politike parazgjedhore në Shqipëri ngadalë po ashpërsohet. Deri diku kjo është diçka normale. Për ne është e rëndësishme që zgjedhjet të vlerësohen „të lira dhe të ndershme“. Ky do të jetë një test edhe për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Qeveria, e cila përgatit zgjedhjet, mban mbi supe një përgjegjësi të madhe në lidhje me këtë. Shqetësimi im është që shpërndarja e kartave të identitetit për qytetarët shqiptarë, të cilët nuk kanë pasaportë, po ecën shumë ngadalë. Shumë nga kolegët e mi dhe unë kemi druajtje, se mos një numër i konsiderueshëm njerëzish që nuk kanë pasaportë, më 28 qershor 2009 nuk do të kenë as kartë identiteti. Masat shtesë të shpalluara nga qeveria për të lehtësuar sidomos pajisjen e personave në nevojë kanë qenë të dobishme. Ajo që mendoj është se duhet bërë gjithshka e mundur për krijimin e parakushteve, në mënyrë që deri më 28 qershor çdo qytetar që nuk posedon një pasaportë dhe që dëshiron të ketë një kartë identiteti të mund ta përfitojë atë.

DW: Gjermania është një nga vendet më të rëndësishme të BE që mbështet fuqimisht Shqipërinë në procesin e integrimit europian. A mund të thoni disa nga treguesit me kuptimplotë të kësaj mbështetjeje? Cilat priten të jenë disa nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij viti edhe në planin e marrdhënieve dy palëshe?

Bernd Borchardt: Gjermania e mbështet Shqipërinë në shumë fusha: jo vetëm politikisht përsa i përket aspiratës së saj për anëtarësimin në NATO dhe tani në BE. Gjermania e sheh të ardhmen e Shqipërisë në BE. Se kur mund të bëhet Shqipëria anëtare e BE-së, kjo varet para së gjithash nga vetë Shqipëria, e pikërisht nga reformat në Shqipëri. Dëshiroj të theksoj veçanërisht ndihmën shumë të madhe të Gjermanisë për Shqipërinë qe nga viti 1988. Që prej këtij viti, Gjermania ka akorduar më shumë se 800 milion euro për zhvillimin e Shqipërisë. Vitin e fundit ne e e rritëm kontributin tonë për zhvillimin e Shqipërisë në mbi 90 milion euro për një hark kohor 2 vjeçar. Kjo nënkupton një dyfishim të kontributeve të deritanishme të Gjermanisë. Me infrastrukturën e krijuar dhe konsulencën e financuar nëpërmjet këtyre fondeve Gjermania jep një kontribut konkret në afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me BE-në. Përsa i përket ngjarjeve në nivel dypalësh, do të doja të kujtoja që edhe në Gjermani këtë vit do të zhvillohen zgjedhje të rëndësishme. Më 23 maj do të zgjidhet një president i ri federal dhe më 27 shtator Parlamenti i ri, ndërsa në qershor do të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Në vjeshtë do të organizojmë sërish Javët Gjermane nën moton: „Tetori Gjerman“. Në qendër të tyre këtë vit do të jetë tema „20 vjet nga rënia e murit të Berlinit“. Fundi i regjimit komunist në vendet tona është një temë e cila prek si gjermanët ashtu edhe shqiptarët. Përmes një sërë aktivitetesh dëshirojmë të informojmë lidhur me ngjarjet historike në Gjermani dhe të ftojmë në debate dhe shkëmbime.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Auron Dodi



  • Data 28.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hfxq
  • Data 28.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Hfxq