1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Bomba e "Bild am 'Sonntag"

Teksti ishte i shkurtër, por shkaktoi shumë reagime. Gazeta bulevardeske "Bild am Sonntag" ka botuar një koment me përmbajtje armiqësore ndaj fesë islame. Pasoja: reagime të shumta dhe indinjatë e thellë.

Tema ka shkaktuar tek shoqatat dhe rrjetet e ndryshme reagime të shumta dhe indinjatë të thellë. "Komentet duhet të polarizojnë, duhet të jenë subjektive dhe ndonjë herë të shkaktojnë dhimbje", shkruan autori i komentit më të njohur këto ditë në Gjermani, para pak javësh në një gazetë austriake. Këtë synim të tij Nicolaus Fest e ka arritur me komentin e botuar në gazetën "Bild am Sontag". Reagimet në Twitter dhe Facebook, por edhe në qarqet politike kanë qenë kryesisht negative.

Edhe tek vetë njerëzit brenda redaksisë së gazetës "Bild" ka pasur reagime kontradiktore. Ndërkohë që tek bota arabe ky minikoment ka arritur madje në vendin e parë në disa portale online. Por çfarë ndodhi?

Islami në Gjermani = racizëm i importuar?

Në një koment të botuar në gazetën "Bild am Sonntag", e cila me 1,2 milionë ekzemplarë është gazeta më e lexuar e fundjavës në Gjermani, feja islame paraqitet në mënyrë paushale si pengesë për integrim. Autori Nicolaus Fest, zëvendëskryeredaktor i gazetës, deklarohet vetë si "ateist mik i fesë". Autori thotë se nuk ka kurrfarë problemesh me hebrenjtë, të krishterët dhe budistët, por ka probleme me fenë islame. Myslimanët e rinj në Gjermani kanë rënë mesatarisht më shumë në sy për vepra kriminale. Ai pengohet edhe nga përbuzja, që shkon deri në gatishmëri për vrasje e fesë islame ndaj grave dhe homoseksualëve.

A është feja një faktor, që pengon integrimin, shkruan autori në fund të komentit dhe jep një përgjigje provokative: në rastin e fesë islame po, ndërsa tek fetë tjera më parë do të thosha jo. Ai sugjeron që këto fakte të merren parasysh edhe me rastin e trajtimit të kërkesave për azil dhe ardhjen e emigrantëve. Konkludimi i Fest: "Unë nuk kam nevojë për racizëm të importuar, nuk kam nevojë as për gjërat, për të cilat angazzohet feja islame."

Shqetësimet në rrjete

Kualifikimet e tilla të këqija për fenë islame kanë shkaktuar reagime të menjëhershme në familjen e madhe të gazetës "Bild". Kai Diekmann, kryeredaktor i gazetës ditore "Bild", ka shkruar menjëherë një kundërkoment. Tenori i tij: lufta kundër islamizimit po, por jo edhe shpifje ndaj fesë islame. Refuzimi paushal i ndonjë feje nuk ka vend në gazetën "Bild". Deputeti ekologjist Özcan Mutlu e quan racizëm të pastër kritikën e fesë islame nga komentatori Fest. Ai thotë se nuk ka mundur t'u besojë syve të tij, kur e ka parë titullin e komentit.

Kryeredaktorja e botimit të fundjavës Marion Horn është vetëdijësuar për rëndësinë e komentit vetëm pas reagimeve të shumta. Në reagimin e saj të parë në Twitter ajo e ka mbrotur autorin ("Feja për mua nuk luan ndonjë rol, … por ai ka diçka kundër intolerancës"). Por më vonë ajo u detyrua të mbrohet. "Ne nuk jemi armiq të fesë islame! Kërkoj falje për përshtypjen e krijuar."

Stefan Niggemeier

Stefan Niggemeier

Gazetari Stefan Niggemeier është i befasur me kërkimin falje për "pështypjen e krijuar", por jo edhe për vetë komentin.

Reagimet kanë qenë shumë të qarta edhe nga radhët e deputetëve. Ekologjisti Volker Beck ka kërkuar që të gjithë muslimanëve në Gjermani t'u kërkohet falje. "Një kovë me ndytësira", e quan politikani i SPD Jonas Westphal këtë koment të gazetës "Bild". Ndërsa Niema Movassa nga e Majta është e indinjuar me nxitjen e racizmit. Vetë autori ishte në fillim pak i impresionuar dhe i gëzohej kësaj "vale të mrekullueshme të reagimeve".

"Bild" mbetet temë e kryetitujve

Gjermania po e përjeton aktualisht jo vetëm debatin për antisemitizëm, por edhe kundërthëniet për integrimin e pjesëtarëve të fesë islame. Të dy temat janë nxitur nga shkrimet e gazetës "Bild". Të premten (25.07.2014) gazeta e ka vënë një titull të përbashkët "Kurrë më urrejtje ndaj hebrenjëve", mbi figurat e njohura si Angela Merkel dhe Joachim Gauck. Aksioni kundër antisemitizmit ka shkaktuar ragime pozitive. Ndërsa komenti i "Bild am Sonntag" shtron pyetjen: a thua provokimi ishte i qëllimtë?