1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bolivia vatër krize

Gottfried Stein, Buenos Aires13 Shtator 2008

Kërcënime, fajësime dhe shenja të para shtendosjeje

https://p.dw.com/p/FHjB
Një grup studentësh duke djegur një ndërtesë të kompanisë shtetërore Entel në Santa Kruz.Fotografi: picture-alliance /dpa

Presidenti bolivian Morales po përpiqet ta rishpërndajë pasurinë e vendit në favor të shumicës indiane të popullsisë, gjë që has në rezistencën e fortë të shtresës së lartë, të bardhë. Tani, në konfliktin midis qeverisë dhe opozitës së djathtë ka shenja të para të shtendosjes.

Pamjet u transmetuan të premten gjatë gjithë mbrëmjes në ekranet boliviane: Presidenti venezuelas Hugo Chavez deklaronte solidaritetin e tij me homologun Evo Morales. Në rast se ai do të vritej, tha Chavez, atëherë do të dërgoj trupa në Bolivi. Përgjigjja nuk vonoi shumë, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë boliviane , gjenerali Luis Trigo, deklaroi qartë:


"I themi presidentit të Venezuelës Hugo Chavez dhe bashkësisë ndërkombëtare: Ushtria kundërshton çdo përzierje të jashtme, e çfarëdo forme apo origjine qoftë, dhe ne nuk do të lejojmë që një ushtri e huaj të shkelë në tokën tonë. Kundërshtojmë energjikisht çdo formë përzierjeje të huaj në çështje, që janë kompetenca kombëtare."


Derisa Chavez i hedh benzinë zjarrit dhe do ta ndërkombëtarizojë konfliktin, të papajtueshëm qëndrojnë përballë njëri-tjetrit përkrahësit e presidentit Morales, shumica indianë, dhe pasuesit e 5 guvernatorëve të provincave me komitetet e tyre qytetare, të cilët kërkojnë më shumë autonomi. Ruben Gamarra, zëvendësministër i qeverisë:


"Përgjegjës për këto ngjarje të pakëndshme janë pikërisht guvernatorët dhe komitetet. Më e keqja është se ata nuk heqin dorë nga këto qëndrime, por e acarojnë gjendjen duke bërë thirrje për dhunë."


Në trazirat e ditëve të fundit që i ngjajnë luftës civile humbën jetën të paktën 14 vetë, dhjetëra u plagosën, u zaptuan aeroporte, u hodhën në erë gazsjellës dhe u shkretuan zyra të qeverisë. Veçanërisht fort po luftohet në provincën Pando, ku qeveria ka vendosur tani njëfarë gjendje rrethimi dhe ka dërguar trupa shtesë. Derisa vëzhgues të pavarur bëjnë përgjegjës për dhunën para së gjithash grupe vandalësh të komiteteve qytetare, opozita fajësoj presidentin. Jorge Quiroga, kryetar i partisë konservatore:


"Nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë, më e rëndësishmja është qetësia në rrugë, qeveria do të jetë përgjegjëse për ngjarjet dhe për mosmarrje masash, për vendimin e dërgimit të pararojës speciale. Nëse ajo nuk e garanton rendin, mund të kemi shumë të vrarë dhe dhunë të paparë."


Së paku ka shenja të para shtendosjeje. Guvernatori i provincës Tarija i ofroi bisedime presidentit, ofertë që u pranua të premten në mbrëmje prej zëvendëspresidentit Linea. Përsëri bëhet fjalë për pikat kryesore të mosmarrëveshjes: mbajtja e një takse për energjinë prej Moralesit, autonomia e diskutueshme për rajonet, dhe kushtetuta e re, e cila planifikohet të miratohet me anë të një referendumi. Por bisedimet e mëparshme mbi këto tema kanë qenë pa rezultat. Prandaj Waldo Albarracin, avokati bolivian i popullit, është skeptik:


"Procesi për konsolidimin e dialogut duhet vënë në lëvizje sa më parë, por duhet të ketë edhe përpjekje për regjistrimin e hapave të parë për fillimin e dialogut në të dyja palët, në mënyrë që në një takim konkret partnerët të mos paraqesin vetëm qëndrimet e tyre, por të arrihen marrëveshje të përkohshme."