1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Blue Card, ende asnjë ndryshim në tregun gjerman

Monika Lohmüller / Elona Elezi23 Nëntor 2012

Jo shumë njerëz kanë dëgjuar apelin e deritanishëm: programi i rekrutimit të tregut të jashtëm të punës në Gjermani, Blue Card, nuk ka tërhequr shumë punëtorë. Mbase imazhi i vendit ka nevojë për më shumë lustër.

https://p.dw.com/p/16olW
Pamje simbolike: karta blu
Fotografi: picture-alliance/chromorange

Është versioni evropian i Green Card-it amerikan, vetëm se ka ngjyrë blu dhe quhet Blue Card. Që kur u prezantua në Gjermani në muajin gusht, pengesat që ndalojnë të huajt të cilët s´janë pjesë e BE-së nga marrja e vendeve të punës, duket se janë ulur paksa.

Blue Card lejon të diplomuarit që vijnë nga shtetet jo anëtare të Bashkimit Evropian për të gjetur vende pune, nga të cilat mund të fitojnë të paktën 44.800 euro në vit (57.536 dollarë në vit), nga 66. 000 euro që ka parashikuar më parë legjislacioni gjerman. Leja e punës është e vlefshme për një periudhë fillestare prej 3 vitesh. Por deri tani, nuk ka shumë interes për këto karta.

A do të jetë Blue Card një dështim i plotë? Është ende herët, thotë Stefan Hardege nga Shoqata e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Gjermane (DIHK). Ajo që duhet bërë tani, thotë ai, është rritja e ofensivës gjermane në kërkimet që ajo ka për një treg të aftë pune. "Kemi nevojë për një politikë më efikase informimi dhe një fushatë reklame që të nxjerrë në pah avantazhet e Gjermanisë."

Gunilla Fincke nga Këshilli i Ekspertëve të Fondacioneve Gjermane mbi Integrimin dhe Migracionin (SVR) gjithashtu beson se ta quash Blue Card që tani si një dështim, do të ishte e nxituar. Ajo evidenton se që prej dekadash Gjermania ka ndërtuar reputacionin si një vend ku nuk emigrohet. Këtë imazh s´mund ta ndryshosh brenda natës vetëm me anë të adoptimit të një legjislacioni, thotë Fincke. Ajo sugjeron që komisionerë të veçantë të emigracionit të ndihmojnë aplikantët e kualifikuar në ambasadat gjermane jashtë vendit.

Dr. Gunilla Fincke
Dr. Gunilla FinckeFotografi: David Ausserhofer

Pengesat e tregut të punës

Në foto: inxhinier nga India në një fabrikë gjermane makinerish.
Mungesë punëtorësh të kualifikuar, me njohuri të mira në sektorët e makinerive dhe inxhinierive.Fotografi: picture-alliance/dpa

Shumë industri në Gjermani prej shumë vitesh kanë përjetuar një mungesë punëtorësh të kualifikuar, me njohuri të mira në sektorët e makinerive dhe inxhinierive, por gjithashtu probleme në hulumtim dhe zhvillim, si dhe infermieri. "Këto janë sektorët ku shumë kompani kanë pasur probleme në plotësimin e vendeve vakante," thotë Hardege. "Dhe ata nuk janë vetëm në kërkim të inxhinierëve dhe të diplomuarve, por edhe në kërkim të aplikantëve të përshtatshëm për tregti."

Vlerësime nga Instituti për Studimin e Tregut të Punës (IZA) tregojnë se do të ketë një mungesë prej 240 mijë inxhinierësh në Gjermani në vitin 2020. Christoph Metzler, nga Instituti për Kërkimet Ekonomike në Këln (IW), mendon se Blue Card është një sinjal i qartë dhe pozitiv për punëtorët e huaj të cilët aplikojnë për punë në Gjermani.

Por Metzler beson se ballafaqimi me "mendjet e ndritura" ka nevojë për një fushatë reklamuese. Ai thekson se nën kujdesin e koorporatës gjermane "Diversity Charter", 1250 kompani janë zotuar për të mirëpritur punonjës nga jashtë kufijve.

Metzler gjithashtu tregon për nisma të qeverisë federale ose autoriteteve rajonale. "Ka një portal interneti nga qeveria federale, ku të themi se një inxhinier nga India mund të mësojë më shumë rreth jetës në Gjermani dhe të dijë se çfarë të presë prej saj," thotë ai. Do të ketë gjithashtu edhe një hartë botërore të shumëllojshme: "Në këtë hartë aplikantët mund të shikojnë se çfarë nismash dhe aktivitetesh ka në vendet e tyre, të cilat mund t´i ndihmojnë ata për të gjetur një vend pune në Gjermani." Metzler përmend Institutin Gëte dhe vendet ku mund të merret informacion i rëndësishëm.

Njohja e diplomave dhe kualifimeve

Punonjësit që jetojnë në Gjermani me diploma apo kualifikime të huaja janë përballur për shumë kohë me një betejë të vështirë për gjetjen e punëve të përshtatshme. Shumë shpesh kualifikimet e tyre nuk njiheshin zyrtarisht dhe kështu që ata nuk mund të punonin në profesionet e tyre. Metzler mirëpret lëvizjen e qeverisë për të hequr këtë pengesë.

Ka gjithashtu një platformë online qendrore gjermane e quajtur "bq-portal", ku kompani të huaja dhe Dhomat e Tregtisë mund të njihen nga afër dhe të familjarizohen me edukimin dhe sistemet e trajnimeve në shtete të tjera.

Kur një diplomë apo kualifikim i huaj njihet në Gjermani, ajo zakonisht krahasohet me një diplomë gjermane që i përshtatet. Nëse kualifikimet e huaja nuk përmbushin kushtet e kërkuara në Gjermani, aplikantët e huaj kanë avantazhin e skemave të veçanta për të përftuar kualifikimet e përshtatshme.