1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Blogerja e Maltës Daphne Caruana Galizia vritet në një sulm me bombë

Caruana Galizia, një gazetare investigative, e cila e lidhi kryeministrin e Maltës, Muscat me skandalin e Panama Papers, ka humbur jetën pasi një bombë shkatërroi veturën e saj.

Një nga gazetaret më të njohura investigative të Maltës u vra të hënën kur një bombë shpërtheu në automjetin e saj, pak pasi ajo qe nisur nga shtëpia. Daphne Caruana Galizia shkruante në një blog të njohur, që vinte në pah korrupsionin në nivele të larta, duke përfshirë edhe nivelet më të larta.

Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat tha të hënën se "nuk do të lërë gur pa lëvizur" për të kërkuar personat që ndodhen pas sulmit, që vrau njërën nga kritiket e tij më të njohura.

Lidhje mes pushtetit dhe Panama Papers

Televizionet lokale raportuan se Caruana Galizia, e cila kishte nxjerrë në pah lidhje midis Maltës dhe informacioneve që ndodhen në të ashtuquajturat Panama Papers kishte bërë një kallëzim në polici më herët këtë muaj, për shkak të kërcënimeve që kishte marrë.

Midis të tjerave, ajo kishte shkruar se gruaja e Muscat-it, Michelle, si dhe ministri i tij i Energjisë dhe shefi i stafit të qeverisë kanë pasur kompani në Panama. Si Muscati, ashtu edhe e shoqja i hodhën poshtë akuzat.

Krimi e ka shokuar Maltën, ku ndodhin pak krime.  Udhëheqësi opozitar Adrian Delia e quajti vrasjen "masakër politike" dhe e quajti atë treguese për "kolapsin e plotë të rendit dhe ligjit në vend".

Gazeta amerikane Politico në vitin 2017 e quajti Caruana Galizia si një nga 28 personat që po "formësojnë, trondisin dhe po vë në lëvizje" Evropën.