1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bllokim në Veri: Konvojet e KFOR-it pengohen nga serbët

Serbët në veriun e Kosovës refuzojnë të largojnë nga rrugët barrikadat edhe pas njoftimit të forcave paqeruajtëse se ato duhet të largohen qysh sot (18.10). Në këtë mënyrë situata në Veri mbetet e pandryshuar.

KFOR pengohet

KFOR

Në mëngjesin e së martës, rreth orës 10:00, dy konvoje të KFOR-it filluan misionin e tyre për të furnizuar trupat e KFOR-it në portat në Jarinje dhe Bërnjak nëpërmjet rrugëve në veri të Kosovës. Mirëpo, ato nuk u lejuan të kalojnë në barrikadat e vëna nga serbët. Në një njoftim të shkruar të forcave paqerujatëse, thuhet se: “Qëllimi i Komandantit të KFOR-it është të testojë lirinë e lëvizjes në përputhshmëri me kërkesën për largimin e barrikadave.

Sipas rezultateve të misionit të rifurnizimit, KFOR-i do të ndërmarrë veprimet e mëtuejshme e të duhura. Misioni i KFOR-it është të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurtë si dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës nga të gjitha komunitetet. KFOR-i do të vazhdojë ta bëjë këtë fuqishëm, me kujdes dhe me paanshmëri, në pajtueshmëri të plotë me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e KFOR-it, duke mos sqaruar nëse do të ndërmerren veprime për largimin e barrikadave.

Pamje nga barrikadat serbe

Pamje nga barrikadat serbe

Serbët kërkojnë shtyrje afati

Ndërkohë, medilat lokale serbe, njoftojnë se përfaqësuesit e serbëve të Veriut të Kosovës i kanë kërkuar KFOR-it që të presë deri ditën e mërkurë, kur serbët do të mblidhen në asamblenë e komunave serbe të Kosovës, për të diskutuar veprimet e mëtutjeshme. Sidoqoftë situata e pandryshuar mbetet në të gjitha rrugët e veriut të Kosovës. Ato vazhdojnë të jenë të barrikaduara nga serbët lokalë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti i tha DW-së, se situata e sigurisë për momentin është e qetë.

“Barrikadat vazhdojnë të qëndrojnë ashtu siç kanë qenë në rrugë. Në dy barrikada, në atë afër urës kryesore mbi Lumin Ibër në Mitrovicë dhe në barrikadën në fshatin Zupq të komunës së Zubin Potokut, vazhdojnë të jenë të tubuar qindra persona serbë nga të gjitha kategoritë, përfshirë këtu edhe fëmijë e gra dhe persona të moshave të ndryshme”, tha zëdhënësi Besim Hoti.

Kryeministri Hashim Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi

Thaçi optimist për Veriun

Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci, gjatë një vizite në Vushtri të martën, jo larg Mitrovicës, u shpreh optimist se në Veriun të Kosovës do të funksionojë rendi dhe ligji, si edhe do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave. “Kosova ka bashkëpunim të ngushtë me ndërkombëtarët, EULEX-in, KFOR-in dhe amerikanët, ajo çfarë është duke ndodhur në Veri është përgjegjësi dhe angazhim i përbashkët”, tha kryeministri Thaçi, duke u rikujtuar serbëve se qeveria e tij, do të jetë pranë qytetarëve pa dallim etnie.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 18.10.2011
  • Autor Lindita Arapi
  • Fjalët kyç veriu, thaçi, kfor
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/12uOe
  • Data 18.10.2011
  • Autor Lindita Arapi
  • Fjalët kyç veriu, thaçi, kfor
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/12uOe