1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Blerja e votave përmes punësimit në sektorin publik në Maqedoni

Në Maqedoni punësohen në prag të zgjedhjeve mijëra vetë në shërbimet publike. Me këtë partia në pushtet VMRO-DPMNE blen vota për të siguruar pushtetin. Por shumë të punësuar rrinë në shtëpi, sepse nuk kanë ç'të punojnë.

Të shtangur shikonin më 6 tetor 2013 me mijëra maqedonas orë pas ore në pritje që në mesditë të nxirren numrat e llotarisë. Ishte kjo një ngjarje interesante, me pjesëmarrjen edhe të disa ministrave. Fituesit nuk i prisnin miliona euro, por një vend pune në sektorin e shërbimit publik. Për shumë njerëz në Maqedoni kjo është sikur të fitojnë në llotari, sepse puna në shërbimet publike konsiderohet si një punë shumë e mirë dhe e sigurtë.

Me një papunësi prej rreth 28 % dhe me të ardhura mesatare prej rreth 350 euro në muaj, Maqedonia radhitet ndër vendet më të varfara në Evropë. Ekonomia është e dobët, borxhet e shtetit tepër të larta dhe ato po rriten nga viti në vit. Ndaj i gjithë kombi me vëmendje shikonte nxjerrjen e numrave me fat, që do të zinin një vend pune në shërbimet publike. Për 1.600 vende kishin konkurruar më shumë se 30.000 kandidatë.

Zgjedhësit besnikë

Punësimi i qindra apo mijëra njerëzve në shërbimet publike në Maqedoni nuk është ndonjë risi. Në veçanti pas ardhjes në pushtet të partisë konservatore VMRO-DPMNE dhe krijimit të koalicionit me BDI në vitin 2006, është rritur jashëzakonisht numri i të punësuarve në shërbimet publike. Në studimin më të ri të Fondacionit Bertelsmann thuhet se në gjashtë vitet e fundit numri i të punësuarve në shërbimet publike është rritur nga 90.000 në 150.000. Ndërkohë që Maqedonia ka rreth dy milionë banorë. "Qeveria e ka shtuar numrin e të punësuarve në shërbimet publike për të zgjeruar bazën e mbështetjes politike", thuhet në raportin e Bertelsmann. Ndërsa Komisioni Evropian në raportin më të ri për gjendjen në Maqedoni kërkon "përmirësimin e gjendjes dhe luftimin e politizimit të shërbimit publik."

Përveç një numri tepër të madh të të punësuarve në shërbimet publike, buxhetin e shtetit në Maqedoni e ngarkojnë edhe mbi rreth 270.000 pensionistë dhe 100.000 persona që marrin ndihma sociale. "Buxheti i shtetit në këtë mënyrë shndërrohet në një institucion social, ku më e rëndësishmja është që të punësuarit të marrin rroga", pohon Zoran Ivanovski nga Universiteti Juglindor në Tetovë. Rreth 15 % e rrogave paguhet nga buxheti. Me punësimin e madh, autoritetet po e ruajnë qetësinë sociale dhe kjo jep efekte të mira në zgjedhje për partitë në pushtet, sepse ata që janë punësuar nga një qeveri, sërish do ta votojnë atë.

Rroga edhe kur rrinë në shtëpi

Shumë të punësuar në shërbimet publike nuk kanë farë pune. Mediat maqedonase pohojnë se shumë prej të punësuarve nuk vijnë fare në punë, e megjithatë marrin rroga. Shpesh nuk kanë vend në zyra ku duhet të punojnë, sepse ato janë të mbushura. Agjencia maqedonase për punë shpjegon se "shumë të punësuar të shërbimeve të ndryshme janë të ndarë në vende të ndryshme" - por nuk japin të dhëna konkrete se ku janë ata.

Biljana Jovanovska, ish drejtore e Agjencisë mendon se kjo fushatë i shërben mbledhjes së votave për partinë në pushtet VMRO-DPMNE. "Punësimet më të mëdha bëhen në prag të zgjedhjeve, sepse qëllimi është rritja e numri të votuesve", thotë Jovanovska.

Për keqpërdorime të këtilla njoftojnë muajt e fundit edhe mediat. Para zgjedhjeve të vitit 2011, dy gazetare të televizionit tani të mbyllur A1, Natasha Stojanovska dhe Sashka Cvetkovska, kishin zbuluar edhe listat e zgjedhësve të VMRO-DPMNE. Në këto lista ishin jo vetëm emrat e atyre që ishin të detyruar të japin votat për këtë parti, por edhe të paktën dhjetë persona të familjarëve të tyre. Rasti i "Listave" nuk ka zbuluar asgjë të re, por ka dëshmuar atë që e kanë ditur të gjithë: ekziston një sistem i blerjes së votave, pohon Cvetkovska për Deutschen Welle.

Numri më i madh i personave në këto lista është punësuar në shërbimet publike. Një pjesë e këtyre personave e ka konfirmuar këtë edhe në bisedat telefonike me këto gazetare. Ata kanë thënë se është dashur të premtojnë votat e tyre, ndryshe nuk do të punësoheshin. "Njerëzit janë shantazhuar me një vend pune, me vende pune për vajzën, djalin, apo për nipat...", thotë Sashka Cvetkovska. Për këtë rast ka hetuar edhe prokuroria, por askush nuk është denuar.

"Sistemi është jashtë kontrollit"

Loja po vazhdon. Në prill në Maqedoni do të zgjidhet një president i ri. Pak ditë pas vendosjes për këtë të parlamentit, në fillim të shkurtit, në gazetë u botuan me qindra konkurse për vende pune në shërbimet publike. Sipas të dhënave zyrtare, janë planifikuar edhe 4.000 vende "të subvencionuara" pune, të cilat i përkasin sektorit privat, por financohen nga buxheti i shtetit.

Ndaj kritikave të opozitës, është përgjigjur kryeministri dhe kryetari i partisë në pushteVMRO-DPMNE Nikola Gruevski: "Nuk kam asnjë informatë se është shkelur ligji". Në Maqedoni nuk ka asgjë të re, thotë Sashka Cvetovska. "Sistemi është jashtë kontrolli. Nuk ekziston kurfarë dallimi mes shtetit dhe partisë. Do të habitesha sikur të ndryshonte diçka."