1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Blerja e mundshme e tankeve gjermanë nga Arabia Saudite shkakton vorbull

Arabia Saudite ka interes të blejë tanke luftarake gjermane. Sipas një raporti të revistës informative "Spiegel" qeveria gjermane ka sinjalizuar miratimin e saj për shitjen. Opozita është kundër.

Tanket luftarakë Leopard 2A7+

Tanket luftarakë Leopard 2A7+

Qeveria gjermane nuk përgënjeshtron, po hesht. Ajo hesht në lidhje me pyetjen, nëse shitja e tankeve luftarake gjermane Arabisë Saudite është lejuar vërtet. Më shumë se 200 tanke tejet moderne të tipit Leopard 2A7+ thuhet, se duan të blenë sauditët, sipas raporteve të pakonfirmuara 44 i kanë blerë tashmë. Për firmën gjermane të armative Krauss-Maffei Wegmann ky do të ishte një biznes miliardësh.

Qeveria e arsyeton heshtjen e vet me procedurën speciale, që vlen në Gjermani për eksporte armatimesh në të ashtuquajtura vende "kritike": Këshilli Federal i Sigurisë është një komision i kabinetit nën kryesinë e kancelares, në të cilin marrin pjesë disa ministra. Ai takohet në mënyrë të fshehtë, për këtë arsye opinioni gjerman nuk mëson fillimisht gjë për lejet e dhëna për eksport. Prandaj ministri i jashtëm Guido Westerwelle nuk nxori informacione në lidhje me mbledhjen. "Këto mbledhje janë konfidenciale, ato janë të fshehta. Për këtë arsye nuk mund t'u jap përgjigje në lidhje me spekulime dhe as nuk do ta bëj një gjë të tillë."

Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle

Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle

Për eksporte armatimesh në vende me të cilat Gjermania nuk është aleate, vlejnë rregulla të rrepta. Në rast se nuk respektohen të drejtat e njeriut ose në rast se ka tensione në rajon, atëherë tregtia e armatimeve nuk lejohet. "Jo livrime në zona krize", është përcaktimi detyrues. Megjithatë, herë pas here bëhen përjashtime, për të cilat mund të lexohet një ose dy vjet më vonë në raportet e eksporteve të armatimeve të qeverisë gjermane.

Megjithëse në këtë rast është ende e paqartë, nëse tregtia do të realizohet, të tre partitë opozitare në parlament reaguan me ashpërsi të madhe. Një tregti e tillë është e paligjshme, tha kryetarja e Të Gjelbërve Claudia Roth. "Arabosauditët ishin ata që ndihmuan Bahrejnin të shtypte lëvizjen për demokraci em anë të nxjerrjes së tankeve. Është Arabia Saudite, që përzihet në mënyrë masive në biznesin e terrorizmit ndërkombëtar dhe që mbështet vazhdimisht strukturat e talibenëve. Për mua kjo është një katastrofë absolute besueshmërie e politikës së jashtme gjermane."

Claudia Roth të Gjelbërit

Claudia Roth të Gjelbërit

Edhe socialdemokratët e shohin tejet me skepticizëm eksportin e mundshëm të tankeve luftarake gjermane në Arabinë Saudite. "Arabia Saudite shtrihet në mes të një fuçie baruti, nuk ka përse të livrojmë edhe shkrepset", deklaroi sekretarja e përgjithshme e Partisë Socialdemokrate Andrea Nahles. "Arabia Saudite bën pjesë ndër shkelësit më të rëndë të të drejtave të njeriut në rajon", u indinjua Klaus Ernst, kryetari i Partisë E Majta. Me sa duket qeveria gjermane vepron sipas motos: Tanket më vdekjeprurëse për shtypësit më të këqqnj, kritikon Ernst.

Ministri i jashtëm Westerwelle deklaroi pasi u pyet disa herë për qëndrimin e tij ndaj një tregtie të tillë armatimesh,...

"…se ne kërkojmë partneritet dhe e zgjerojmë në interesin e politikës së jashtme të vendit tonë edhe me shtete të tilla në botën arabe. Me shtete të tilla, të cilat me siguri edhe në çështje të drejtësisë ose të shoqërisë civile kanë opinione të ndryshme kundrejt nesh."

Klaus Ernst, E Majta

Klaus Ernst, E Majta

Se a duhet interpretuar kjo fjali, që ministri i jashtëm është në favor të marrëveshjes së armatimeve me Arabinë Saudite, ky është spekulim. Së paku opozita do ta ngrejë këtë çështje në parlament dhe do të kërkojë atëherë edhe një herë shpjegime.

Autor: Nina Werkhäuser/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama