1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Blendi Klosi: Profesioni - rruga e vetme e emigrimit në Gjermani

BE ofron mbështetje prej 30 milionë eurosh për arsimin profesional në Shqipëri. Ministri shqiptar i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi mbi punësimin në Gjermani, të riardhesuarit si edhe shanset e shkollimit profesional.

Deutsche Welle: Z. Ministër, numri i azilkërkuesve të riatdhesuar në Shqipëri nga autoritetet gjermane po rritet. Çfarë masash po merren nga Ministria juaj, që të riatdhesuarit dhe familjet e tyre të rifillojnë jetën në Shqipëri dhe njëherazi të shmangen tentativa të mundshme emigrimi të paligjshëm?

Blendi Klosi: Kjo është një çështje shqetësuese për Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, (MMSR) jo vetëm në kuadër të strategjisë dhe perspektivave të punësimit por edhe të krizave sociale, që përfshijnë individë dhe familje që iu futën rrugës së emigrimit të paligjshëm, pasi një pjesë të madhe të kursimeve të tyre ata i harxhuan në tregun ilegal të transportit të emigrantëve. Ne po punojmë fort për mundësira të tjera për të rinjtë shqiptarë, qofshin ata që kthehen ose jo nga emigracioni, që të mos zgjedhin rrugën ilegale për të shkuar në Gjermani e vendet e Europës së fortë ekonomike, por që të kenë mundësi që nëpërmjet arsimimit profesional, kualifikimeve, marrjes së një zanati, zejeje më shumë të jenë të gatshëm për një treg më normal pune. Në Gjermani ka një ligj për punëkërkuesit e rregullt, për ata që duan ta fitojnë vendin e punës nëpërmjet profesionit dhe tani situata është shumë më e lehtësuar se disa vite më parë. Të rinjtë dhe të rejat që kërkojnë të emigrojnë në Gjermani apo Itali dhe kanë një profesion qoftë edhe fare të thjeshtë mund të jenë pjesë e këtij tregu pune, por duhet të tregojnë që kanë një profesion dhe janë të denjë për punë. Në Gjermani ka sot rreth 150 profesione të munguara dhe dhjetëra mijëra vende pune, por duhen punëtorë të kualifikuar që kontribuojnë drejtpërsëdrejti për ekonominë gjermane, familjen e tyre dhe sistemin e pensioneve në Gjermani.

Cilat janë nismat konkrete në këtë drejtim?

Ne kemi ndërmarrë disa nisma, kemi vendosur raporte intensive me qeverinë gjermane dhe përfaqësues të lartë të saj, unë vetë kam qënë 3 herë në muajt e fundit për bisedime me lande të ndryshme të Gjermanisë dhe janë hapur disa kanale komunikimi. Sot them me një ndjesi shumë pozitive, që për qytetarët e Shqipërisë që duan të emigrojnë në Gjermani kemi disa opcione emigrimi përmes profesioneve, kemi akademitë e para, ku Akademia e mirënjohur gjermane DEKRA ka trajnuar dhe profilizuar tanimë të parët infermierë shqiptarë, punonjes socialë, punonjës hotelesh që janë të gatshëm për tregun gjerman të punës. Ndoshta kjo nuk shihet si një arritje, pasi ata do të duhej të punonin në vendin e tyre, por ne nuk i futemi këtij debati se është një zgjedhje e tyre. Së shpejti do të celebrojmë kursin e parë të infermiereve të kualifikuara nga Akademia DEKRA të trajnuar nga trajnues gjermanë, të gatshëm të gjejnë kontrata pune fikse në Gjermani dhe të kenë paga të larta për nivelin e punës që do të bëjnë. Jemi në rrugë të mbarë: dua të ripërsëris që ka një rrugë për të emigruar në Gjermani: kjo është rruga përmes profesioneve, punës së denjë. Shqipëria dhe Gjermania si edhe vende të tjera të BE janë pjesë e Konventës së ILO-s, që mbështet punën e denjë dhe lëvizjen e lirë për punë të denjë. Pra, ka shumë mundësira. Për të riatdhesuarit ka një strategji qeveritare, që është miratuar në 2010-ën, tani po punojmë për strategjinë e re.

Çfarë përfshin kjo strategji?

Thelbi i saj është riaftësimi i të riatdhesuarve në disa etapa: që nga pritja në aeroport, ofrimi i gjithë shërbimeve të para të pritjes, shoqërimi nga aeroporti në shtëpitë e tyre, trajtimi me ushqime dhe veshmbathje në ditët e para të ardhjes në Shqipëri; ka pika ku bëhen këto shërbime dhe çohen në shtëpi me shpenzimet e shtetit. Të riatdhesuarit janë të mirëpritur edhe nga shërbimet e kujdesit social dhe qëndrat e formimit profesional, ku trajnimet në profesionet ku ata dëshërojnë të mësojnë janë pa pagesë si ndihmë e ofruar nga shteti shqiptar. Janë këto mundësi dhe hapësira, me të cilat ne përpiqemi t'ua bëjmë kthimin më të lehtë dhe gjithmonë i informojmë që të zgjedhin rrugën e denjë të punësimit, të profesionit dhe jo rrugën ilegale që ka ” 0” shanse punësimi në Gjermani.

Cili është numri i të riatdhesuarve që MMSR po ofron mbështtje?

Nuk ka shifra të sakta. Në shumicën e rasteve të riatdhesuarit janë individë, ka nga ata që nuk pranojnë të paraqiten pranë zyrave pritëse në Aeroportin e Rinasit ose në pikat tona kufitare dhe po ashtu nuk shprehen për nevojën e ofrimit të shërbimeve që përmenda më lart. Ne vazhdojmë të jemi shumë të vëmendshëm që korrektësia e pritjes dhe e shërbesës së parë të jetë një tipar dallues i këtij procesi. Do të vazhdojmë të jemi në kontakt të vazhdueshëm me organet e qeverisë gjermane. Kemi praktikë pune komunikimin me përfaqësuesit e qeverisë gjermane në Shqipëri, programin e mbështetjes gjermane GIZ, për të patur mundësi që në zyrat tona të punës të krijohen sportele të veçanta pritjeje për të riatdhesuarit si edhe të tjerë që duan të shkojnë të punojnë në Gjermani. Ata duhet të njohin legjislacionin gjerman, ligjin e ri gjerman sesi mund të emigrohet në Gjermani.Tani procedura është thjeshtuar shumë për shtetasit shqiptarë dhe të rajonit.

Z.Ministër, ju sapo keni lançuar Nismën për Nxitjen e Punësimit. A mund të paraqisni, ju lutem sesi kjo nismë do të realizohet konkterisht, si do të kthehet në një mekanizëm efikas për punësmin e rinisë, qytetarëve të papunë, mes tyre edhe të ish- azilkërkuesve?

Qeveria Rama përmes programeve të nxitjes së punësimit, të cilat janë pesë fishuar në krahasim me vetëm dy vjet më parë, ka vënë në dispozicion 500 milionë lekë që janë pjesë e nxitjes së punësimit. E kemi menduar shumë qartë, përfshirë edhe marrëdhëniet me BE për ta shpërndarë këtë mbështetje buxhetore në bazë të disa projekteve që targetojnë grupe që kanë shumë vështirësi të futen në tregun e punës. Deri tani ka patur një shpërndarje për të gjitha bizneset që kërkonin mbështetje buxhetore për të hapur vende të reja pune. Në programet e reja qeveritare ne targetojmë grupe me problematika të caktuara: të rinjtë dhe të rejat, që e kanë të vështirë të hyjnë vetë në tregun e punës, jo vetëm ata që janë të pakualifikuar por edhe të diplomuarit. Ne i punësoimë duke i vënë në provë për tre muaj, pastaj ata marrin një kontratë një vjeçare, që mbulohet nga buxheti i shtetit për të patur mundësi që të futen në tregun e punës ashtu si duhet. Bëhet fjalë për grupe vulnerabël si romët, egjyptianët, njerëz me aftësi të kufizuar, gratë dhe vajzat, sidomos nënat me fëmijë të vegjël. Jemi përpjekur gjithashtu që gjithë mbështetja jonë të shkojë në grupet e të rinjve dhe të rejave, pasi ndihet shumë e nevojshme që këto grupe të kenë mbështetje nga shteti për t'u futur në tregun e punës.

DW: Z. Ministër, padyshim ka vullnet të dukshëm politik nga qeveria, por krahas tij duhet edhe "karburanti", që të çojë përpara strategjinë, nismat. A keni mbështetje nga buxheti i shtetit, nga donatorë ndërkombëtarë?

Blendi Klosi: Për këtë strategji nuk kemi ndonjë mbështetje buxhetore. Por kemi një mbështetje të madhe nga Delegacioni i BE për Shqipërinë, si një vend kandidat për anëtarësim dhe si një qeverisje që ka një strategji kombetare për punësimin dhe aftësimin profesional. Mbështetja buxhetore e BE arrin në 30 milionë Euro për tre vitet në vazhdim. Kemi mbështetje të madhe nga disa donatorë të fuqishëm, qeveri mike, me të cilat kemi një partneritet shumë serioz dhe afatgjatë që do të ndikojnë në ngritjen në Shqipëri të një grupi shumë të mirë shkollash profesionale, që i kemi quajtur “Shkolla të Ekselencës”, të cilat janë brenda sistemit kombëtar të arsimit profesional prej 40 shkollash dhe qëndrash profesionale aktive. Një grup i shkëputur prej tyre, prej 15 shkollash do të jenë “Shkolla të Ekselencës”, jo vetëm nga mësim- dhënia ndryshe, pasi sistemi do të jetë i njëjtë, por nga laboratorët, trajnimet, curriculat mësimore më të mira dhe nga disa standarte europiane në mësimdhënie. “Shkollat e ekselencës” do të prodhojnë profesionistë të denjë për tregun e punës, shumë të mirë për tregun shqiptar dhe paga e tyre do të jetë disa herë më e madhe nga ajo e atyre që nuk kanë kualifikimin si ata. Përmes këtyre shkollave do të prodhohet një gjeneratë e re e profesionistëve shqiptarë për tregun shqiptar dhe rajonal të punës. Jemi në rrugë të mbarë, pasi mbështetja nga donatorët në këtë aspekt është për t'u marrë shumë në konsideratë.

Cila është mbështetja gjermane në shkollimin profesional?

Kemi mbështetje të madhe nga qeveria gjermane përmes GIZ dhe KfW, Bankës për Zhvillim dhe Bashkëpunim, e cila do të futet në tregun e arsimit profesional duke mbështetur dy shkolla të reja: shkollën e Kamzës që do të marrë një mbështetje të madhe për ta transformuar atë në dy shkolla të plota: industriale, politeknike dhe tjetra bujqësore. Kemi një mbështetje të vazhdueshme edhe nga qeveria zvicerane që do të fokusohet në tre shkolla në 3 rajone: Shqipëria Veriore, e Mesme dhe Jugore: Shkolla e Lezhës do të jetë një nga pikat kulmore të kësaj mbështetjeje, ku do të krijojmë disa qendra ekselence dhe modele per t'u ndjekur; qeveria italiane na jep mbështetje për shkollën e Durrësit, të transformuar tanimë në një shkollë të Ekonomisë së Detit, duhet shumë punë për këtë industri të re në Shqipëri; programi qeveritar “Coooperazione Italiana” do të mbështesë transformimin e dy shkollave: atë bujqësore “Rakip Kryeziu” në Fier dhe shkollën industrialo- bujqësore në Lushnjë, dy qëndra këto të ekselencës së arsimit profesional, të orientuara nga bujqësia. Qeveria austriake vazhdon të japë mbështetje në tre shkolla hotelerie, mobilerie dhe turizmi edhe këto të ndara në tre rajone të Shqipërisë. Projekte te organizatave të Kombeve të Bashkuara mbështesin gjithë strategjinë. Në shtator të vitit të ardhshëm do t'u ofrojmë nxënësve të klasave të nënta, që duan të zgjedhin shkollat tona profesionale, një sistem shumë të mirë ekselence që mund të jetë realisht sistemi më i mirë i arsimit profesional në rajon. Kjo është ambicia jonë.

Z. Ministër, bashkëpunimi rajonal është parë si një nga çështjet e rëndësishme të Procesit të Berlinit, të inicuar para 2 vitesh nga Kancelarja gjermane Angela merkel, për t'i dhëne impulse të reja procesit të afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) me BE, ndër to edhe Shqipëria. Si po ecën bashkëpunimi rajonal për nxitjen e punësimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës?

Nisma e bashkëpunimit rajonal pati frutin e saj të parë me një arritje shumë të madhe për ne, me krijimin e zyrës “Shqipëria - Zyra e Bashkëpunimit Rinor” për të gjithë rajonin. Përfaqësues të ministrive, qeverisë, të shoqërisë civile, përfaqësues të kabineteve kryeministrore nga 6 vendet e BP morën një vendim unanim që Shqipëria të jetë selia qëndrore e kësaj zyre. Kjo do të bëjë që shoqatat tona rinore dhe ato të gjithë të rinjve në rajon të kenë mundësi, që përmes kësaj zyre, të fitojnë projekte e të aplikojnë në projekte të përbashkëta. Zyra do të ketë përfaqësues në nivel të lartë politik në fushën rinore, shoqëria civile i ka krijuar rrjetet e veta, është shumë më përpara se politika, shumë më aktive se politika. Jemi në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt do të kemi produkte konkrete. Do të vazhdojmë fushatën tonë për nxitjen e arsimit profesional dhe kualifikimin e të rinjve shqiptarë nëpërmjet punës. Synojmë që të rritet ndërgjegjësimi se arsimimi profesional nuk është thjesht një arsimim më shumë, por një mekanizëm kyç që ndikon drejtpërsëdrejti në nivelin ekonomik të jetës sonë.