1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bläss - Rafajlovski: Hetim i pavarur për ngjarjet e 21 janarit dhe fillimi i dialogut mes palëve

Ekspertja politike gjermane, ish zv. presidente e Bundestagut gjerman, Petra Bläss - Rafajlovski thotë se politikanët e Tiranës duhet të heqin dorë urgjentisht nga kultura e sharjeve reciproke dhe gjuha e urrejtjes.

default

Petra Bläss - Rafajlovski

DW: Si i vlerësoni zhvillimet e fundit politike në Tiranë?

Petra Bläss- Rafajlovski: Jam shumë e gëzuar që demostrata e të premtes së kaluar, ishte paqësore, gjë që e vlerësoj si një zhvillim shume pozitiv jo vetëm për Shqipërinë por edhe për BE dhe më gjerë, pasi ajo tregoi që ka mënyra paqësore proteste, që duhet të jetë prioritet në Shqipëri. Kam ndjekur tre muajt e fundit të vitit të kaluat në terren në Shqipëri, kulturën e mungesës së dialogut, shkëmbimin e epiteteve nga klasa politike, pra kulturën e sharjeve, fyerjeve, akuzave reciproke dhe dhe fjalimet plot urrejtje. Çfarë mund të prodhojë një politikë e tillë? Mungesën e dialogut, pa dyshim. Por nga ana tjetër tragjedia e 21 vjanarit mund të shihet si një shans për palët që të ulen në tryezën e bisedimeve për të diskutuar seriozisht. Nga ana tjetër që kjo të ndodhë, historia na ka dhënë mësimin që hapi kryesor është mbështetja tek faktet, pra tek ajo që ndodhi. Dhe për këtë natyrisht ka vetëm një mënyrë: zbatimi i ligjit dhe funksionimi i drejtësisë. Përndryshe ka gjasa që të ndodhin konflikte të tjera potenciale. Është e domosdoshëm zbatimi i ligjit dhe që sistemi gjyqësor të merret me faktet.

DW: Kjo do të thotë marrja e përgjegjësive përkatëse për atë që ndodhi apo?

Petra Bläss- Rafajlovski: Mendoj që gjithë klasa politike , pavarësisht se cilës anë i përkasin kanë një përgjegjësi shumë të madhe për të interpretuart se çfarë ndodhi. Mendoj se çdo fjalë dhe ton ka rëndësinë e vet. E kuptoj sesa barrë e rëndë është dalja nga kjo situatë por është e domosdoshme që të hiqet dorë nga mendimi që pala tjetër është armiku dhe akuzat ndaj saj, apo nga ai stil i të bërit politikë që mbështetet në akuza të ndërsjellat për korrupsion, stil që nuk sjell rezultate . Mendoj që pikërisht tani dhe jo më vonë është momenti i kthesës së klasës politike që ajo të jetë shumë e ndershme dhe pastaj pas hetimeve të arrijë në vendime dhe hapa përfundimtare që ky ose ai person që ka përgjesi për këtë apo atë veprim të largohet nga pozita që ka. Por kjo duhet bërë në mënyrë të rregullt nga gjykata dhe jo në bazë të interpretimeve të njërës apo të tjetrës palë.

DW: Si e komentoni ju moszbatimin nga policia të gjashtë fletë-arresteve që Prokuroria e Përgjithshme ka lëshuar për hetimin e gjashtë gardistëve? Hetim nuk do të thotë ndjekje penale, gardistët, pasi ata mund të rezultojnë nga hetimi edhe të pafajshëm?

Petra Bläss- Rafajlovski: Çështja kyçe është pavarësia e gjyqësorit dhe kjo është sfida kryesore e Shqipërisë. Por jo vetëm për Shqipërinë por edhe për anëtaret e reja të BE, si Bullgaria dhe Rumania. Por padyshim përgjegjësia bie mbi dy palët. Kur je nëqeveri ke përgjegjësi të veçantë, por edhe opozita ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e atmosferës së protestës apo revoltës popullore. Protestat kërkojnë një drejtim profesional për të shmangur çdo lloj dhune, Protesta si ajo e 21 janarit mund të çojë në spirale ku dhuna sjell vetëm dhunë. Por hapja zjarr dhe vrasja e demostruesve pa dyshim është një krim. Pra organizim i një proteste shoqërohet me përgjegjësi sesi duhet të drejtuar masa e njerëzve që marrin pjesë në të. Nuk dihet se çfarë ndodh me mijra njerëz që kanë dalë në rrugë për shkak të krizës ekonomike, ngjarjeve që lidhen me informacion shtesë për korrupsion në radhet e politikanëve që për fat të keq nuk është ndonjë lajm i ri në Shqipëri.

DW: Si e shikoni rolin e faktorit ndërkombëtar në kapërcimin e situatës aktuale?

Petra Bläss- Rafajlovski: Jam krejt e sigurtë që tani Shqipëria ka nevojë për një mbështetje aftatgjatë nga faktori ndërkombëtar. Por situatën duhet ta zgjidhin në radhë të parë padyshim politikanët e Tiranës dhe jo ndërkombëtarët. Çështja është të gjenden politikanë nga të dyja palët që të jenë gati për të dialoguar. Dhe jam optimiste se këta njerëz ekzistojnë dhe se duhet të ulen në tryezën e bisedimeve. Natyrisht që do të ketë një presion të madh nga BE për t'u ulur në bisedime. Ngjarjet e fundit janë një kthim pas në procesin integrues evropian të Shqipërisë. Dhe ky është një turp për klasën politike pasi integrimi në BE nuk është për politikanët por për popullin e Shqipërisë. Prandaj besoj tek populli për të tejkaluar këtë situatë. Njerëzit në Shqipëri e kuptojnë sesa destruktive është kjo situatë pasi ata e kanë përvojën e ngjarjeve të 1997-ës dhe e dinë se në cilin drejtim mund të shkojnë të tilla protesta dhe atmosferë. Por nuk duhet nxirë gjithçka: ka edhe zhvillime dinamike, pozitive por gjithsesi kjo që ndodhi është një kthim pas.

DW: Pra drejtësi e pavarur, përgjegjësi e dy palëve për të nisur dialogun. A janë këto sfidat e momentit?

Petra Bläss- Rafajlovski: Hapi i parë është tejkalimi i kësaj situate. Që do të thotë zbatim i ligjit, drejtësi funksionale, fillim i dialogut. Pastaj vjen sfida e zgjedhjeve lokale, ajo e zhvillimit të tyre paqësor. Këtu presioni është shumë, shumë i lartë nga BE dhe faktori ndërkombëtar. Shqipëria duhet të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky është prioritet i prioriteteve. Nuk ka rëndësi se kush i fiton ato. Respektimi procedurave është domosdoshmëri dhe kundërshtimi i fuqishëm i çdo lloj presioni mbi zgjedhësit.

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 31.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/107za
  • Data 31.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/107za