1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

081009 Impfstoffe Pharma

8 Tetor 2009

Shkencëtarët testuan për herë të parë me sukses një vaksinë kundër SIDË-s tek njerëzit. Fjala është për një vaksinë të re, që e ul me gati një të tretën rrezikun e infektimit me virusin HIV.

https://p.dw.com/p/K299
Fotografi: AP

Është një revolucion shkencor, i cili u njoftua në mes të shtatorit. Ata e testuan vaksinën në grupe të mëdha prove me më shumë se 16.000 vetë në Tailandë. Mbrojtje absolute nuk ka ende, por kjo është megjithatë hera e parë që një vaksinë kundër SIDË-s ka rezultat tek njerëzit. Prapa kërkimeve për këtë vaksinë qëndron koncerni farmaceutik Sanofi-Aventis. Koncernit tani i buzëqesh një potencial gjigant biznesi. Por jo vetëm atij. Edhe kërcënimi aktual nga gripi i derrit tregon se biznesi me vaksinat po bëhet për industrinë farmaceutike një biznes, që premton miliarda.

Shpresa është shtuar paksa pas rezultateve të provave, që zgjasnin prej gjashtë vitesh. Për herë të parë që prej zbulimit të virusit HIV në vitin 1983 ka një dëshmi, që vaksina kundër SIDË-s është e mundur, deklaroi Sanofi-Aventis, koncerni farmaceutik francez, i cili është ndër organizatorët e këtyre testeve. Sanofi-Aventis, por edhe koncerne të tjerë farmaceutikë prej një kohe të gjatë kryejnë kërkime shkencore për prodhimin e një vaksine. Nëse francezët do të jenë vërtet të suksesshëm, kjo do të nënkuptonte një potencial të madh biznesi, por përmasat ende nuk mund të llogariten, mendon Peter Lugauer, analist pranë bankës Commerzbank.

AIDS vaccine Thailand
Një pacient me Sidë në Vat Phrabatnampo, Thailandë.Fotografi: AP

"Për firmat farmaceutike ky është një treg miliardësh, në të cilin të gjithë prodhuesit e vaksinave mund të fitojnë shumë mirë. Dhe të gjithë kryejnë kërkime në këtë drejtim. Por do të kalojë një kohë relativisht e gjatë, derisa të jetë e mundur llogaritja e këtij potenciali në vlerën e përgjithshme të firmës."

Numri i infektimeve kohët e fundit është shtuar përsëri, pasi është shtuar edhe moskokëçarja. Sipas OBSH-së çdo ditë në të gjithë globin infektohen 7.500 vetë me virusin e SIDË-s. 33 milionë njerëz në botë janë të infektuar me HIV, numri më i lartë është në Afrikë. Në jug të Saharës janë 22 milionë njerëz të infektuar. Një vaksinë kundër SIDË-s është para së gjithash atje e nevojshme, por edhe për shtresa të popullsisë për të cilat çmimet e larta të medikamenteve janë të paarritshme. Firmat farmaceutike për shitjen e një vaksine në këto vende duhet të jenë të gatshme të bëjnë lëshime për çmimin. Kështu është e imagjinueshme, që firmat ta subvencionojnë çmimin e vaksinës për Afrikën me çmime më të larta në vendet e industrializuara. Edhe OBSH-ja dhe disa vende të industrializuara pritet të ndihmojnë për financimin e vaksinave për Afrikën. Ideja e parandalimit ka triumfuar në sistemet e shëndetësisë në të gjithë botën. Luftimi i sëmundjeve është shpesh disa herë më i shtrenjtë, mendon Peter Lugauer:

Infografik HIV Weltweite Verbreitung Stand: 2007 deutsch
Përhapja e sidës në botë

"Kur është fjala për epidemi të tilla si Sars, gripi i shpendëve, gripi i derrave, çdokush është i ndërgjegjshëm se për shkak të globalizimit rreziqet janë më të mëdha. Kështu është rritur edhe gatishmëria e firmave, institucioneve dhe vendeve për të vepruar në mënyrë parandaluese. Pjesërisht kërcënon edhe rikthimi i sëmundjeve të zhdukura. Edhe në këtë aspekt vaksinat bëhen sërish aktuale."

Deri tani vaksinat me një xhiro prej 16 miliardë dollarësh janë vetëm një përqindje relativisht e vogël në xhiron mbarëbotëre të industrisë farmaceutike prej më shumë se 770 miliardë dollarësh. Por zhvillimi i medikamenteve me xhiro më të madhe se një miliardë dollarë po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Vetëm procesi i kërkimit dhe zhvillimit shpesh përpin shuma miliardëshe. Por vaksinat kanë potencial. Tregu i tyre rritet më shpejt se tregu i farmaceutikës dhe për këtë arsye bëhen interesante për koncernet e mëdha.

"Ky është një model biznesi mjaft i qëndrueshëm dhe me norma shumë të mira rritjeje. Për firmat farmaceutike një strehë stabiliteti në krahasim me biznesin relativisht të luhatshëm farmaceutik. Unë besoj se edhe investimet për zhvillimin e vaksinave do të vazhdojnë pasi kërkesa do të vazhdojë të jetë e lartë."

Autor: Brigitte Scholtes/Eliana Xhani

Redaktoi: Angelina Verbica