1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Biznese të dyshimta në Vatikan?

Pastrim parash, zbulim sekretesh - apo mos vallë Ettore Gotti Tedeschi ishte për Vatikanin person i parehatshëm? Vatikani nuk flet për arsyet por fakt është që shefi i bankës së Vatikanit duhet të lëshojë postin.

Ettore Gotti Tedeschi

Ettore Gotti Tedeschi

 "Istituto per le Opere di Religione" - Institut për vepra fetare: është e vështirë të besohet se nën këtë titull qëndron një bankë. Është banka e Vatikanit, selisë së Kishës Katolike. Historia e paraardhëseve të saj fillon në shekullin e 19-të. Në formën e sotme dhe emrin aktual ajo ekziston që prej vitit 1942. Në dekadat e fundit bankës i është dashur të përballët shpesh me akuza për përfshirje në biznese të dyshimta. Dorëheqja tani e shefit të bankës Ettore Gotti Tedeschi është një moment i ri krize.

Ndërtesa e bankës së Vatikanit

Ndërtesa e bankës së Vatikanit

Gotti Tedeschi megjithë paralajmërime të përsëritura "nuk ka kryer disa detyra me rëndësi urgjente", u bë e ditur nga Vatikani. Kjo deklaratë ndezi spekulimet për shkakun e vërtetë të dorëheqjes. Disa medie italiane dyshojnë se dorëheqja ka një lidhje me skandalin e ashtuquajtur "Vatileaks", daljen në publik të një numri informacionesh sekrete të Vatikanit. Dokumente konfidenciale iu dhanë medieve, edhe rreth aktiviteteve financiare të Vatikanit. Por rol mund të kenë luajtur edhe hetimet më të hershme kundër shefit të bankës së Vatikanit për shkelje të standarteve kundër pastrimit të parave, edhe pse ato ishin pezulluar.

Një nga bankat më pak transparente në botë

"Banka e Vatikanit është një bankë speciale. Një bankë që administron miliarda, edhe pasuri imobiljare", thotë në bisedë me Deutsche Welle-n profesor Wolfgang Gehrke, ekspert për bankat dhe president i Qendrës Financiare Bavareze. "Një bankë që vepron për llogari të Vatikanit në tregjet financiare dhe që karakterizohet nga mungesa ekstreme e transparencës. Natyrisht është e qartë se kur dikush ka kaq pak transparencë duhet të pranojë që të qarkullojnë zëra nga më të ndryshmit për të në treg."

Sekretet të ruajtura me kujdes - pamje nga arkivi i Vatikanit

Sekretet të ruajtura me kujdes - pamje nga arkivi i Vatikanit

Zell i tepruar nga Ettore Gotti Tedeschi?

"Për shkak të dashurisë për Papën", Ettore Gotti Tedeschi, i cili ka reputacionin e një bankieri të aftë dhe të ndershëm, nuk pranon të prononcohet për akuzat e ngritura nga Këshilli Mbikqyrës i Vatikanit. "Më mirë të hesht, ndryshe do të thoja fjalë të hidhura", citohet ai nga agjencia italiane e lajmeve Ansa. Nëse Gotti-Tedeschi është përpjekur të ndreqë më shumë se duhej dhe nëse kështu ishte bërë i parehatshëm e madje i rrezikshëm, për këto vetëm mund të spekulohet.

Papa Benedikti i XVI është përpjekur të ndryshojë mënyrën jotransparente të punës së bankës. Tendenca pozitive vihet në dukje edhe nga eksperti bankar Gehrke: "Papa u kujdes që banka të pranojë standartet europiane të transparencës, gjë që nuk e kishte bërë më parë. Por duket se kjo nuk funksionon. Askush nuk e di saktë se si punohet në këtë bankë, dhe nëse ka pasur edhe pastrim parash." Ndër të paktët që e dinë këtë është Ettore Gotti Tedeschi dhe këshillat mbikqyrëse të Vatikanit.