1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Biznes me leverdi: trafikantët përdorin anije mallrash

Anije të vjetra mallrash, të ngarkuara plot me qindra refugjatë: trafikantët e njerëzve në Mesdhe me sa duket po ndjekin një taktikë të re. A mban përgjegjësi për këtë politika e BE për refugjatët?

360 refugjatët e anijes "Ezadeen" janë në vend të sigurt. Në disa strehime në Italinë e Jugut i ndanë autoritetet sirianët. Ata u zbuluan të enjten në mbrëmje nga rojet bregdetare italiane në një anije mallrash pa drejtues, rreth 150 kilometra larg qytetit bregdetar Crotone. Është hera e dytë brenda pak ditësh që trafikantët e njerëzve i lënë në duart e fatit qindra refugjatë në një anije të vjetër. Bashkimi Evropian tregohet i alarmuar.

Politikë cinike

Me sa duket trafikantët me anijet për skrap po ndjekin një taktikë tjetër. "Ky është reagim ndaj faktit që Evropa nuk e vazhdon operacionin "Mare Nostrum" të Italisë. Tani industria e trafikantëve ndjek rrugë tjetër", ankohet Karl Kopp, ekspert për Evropën i Organizatës së të Drejtave të Njeriut "Pro Asyl" në intervistë me Deutsche Welle-n.

"Mare Nostrum" është emri i një operacioni shpëtimi në det, të iniciuar nga Italia - si reagim ndaj mbytjes së më shumë se 400 refugjatëve para ishullit italian të Lampeduzës në tetor 2013. Po këto janë ditët e fundit të këtij operacionio, sepse qeveria e Romës nuk dëshiron t'i përballojë edhe më tej shpenzimet prej nëntë milionë eurosh në muaj. Një pjesë të këtyre detyrave e ka marrë përsipër që prej vjeshtës një mision i BE me emrin "Triton": shtatë anije, katër avionë të rojes bregdetare dhe një helikopter janë në dispozicion të agjencisë së mbrojtjes së kufirit Frontex.

Por ndryshe nga "Mare Nostrum", "Triton-i" mund ta kryejë aktivitetin e tij vetëm para brigjeve të BE - dhe jo direkt para Afrikës së Veriut. Fundi i "Mare Nostrum" pritet që t'i shtojë rreziqet për refugjatët. "Kapacitetet e shpëtimit në det u ulën me vetëdije, llogaritet vdekja e njerëzve dhe pastaj dëgjohen ankesa për strategjitë e reja të trafikantëve të njerëzve. Kjo është cinike", e komenton zëdhënësi i Pro-Asyl Kopp këtë vendim.

Moti shkaku më i rëndësishëm?

Përdorimi i anijeve të mallrave mund të jetë një reagim ndaj këtij zhvillimi politik. Anijet me mallra kanë edhe përparësi të tjera: madhësia e tyre i bën ato të përshtatshme që të përdoren edhe në mot të keq, në dallim nga varkat e peshkatarëve ose nga varkat e gomës - dhe ato mund të përshkojnë distanca shumë më të mëdha.

Frontex-i sheh edhe motin si shkak qendror për tendencën që vëren që prej një çerek viti agjencia për mbrojtjen e kufirit të BE. "Kjo nuk ka të bëjë me përfundimin e "Mare Nostrum", por ndoshta para së gjithash me motin", i thotë drejtori ekzekutiv i Frontex-it, Gil Arias Fernandez gazetës Süddeutsche Zeitung.

Jo vetëm rrugët, por edhe metodat e trafikantëve kanë ndryshuar. Deri tani ata u jepnin vetëm një telefon satelitor refugjatëve dhe i linin në mëshirën e fatit. Tani për të lëvizur një anije mallrash duhet një ekipazh profesionist. Ky ekipazh qëndron ditët e para në bord, dikur e kalon në autopilot komandimin e anijes dhe zhduket. Udhëtimet nuk bëhen me anije mallrash më të sigurta. Në rastin e anijes së mallrave"Blue Sky M", kursi i anijes me motor të ndezur ishte caktuar i tillë që anija po ecte në drejtim të shkëmbinjve të bregdetit.