1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bisedimet vendimtare për Greqinë

Udhëheqësit e eurozonës arritën një marrëveshje unanime për një plan të tretë ndihme financiare për Greqinë. Fjala është ndihma në këmbim të reformave, që kërkojnë nga Athina shumë më tepër se deri tani.

Baza e negociatave është "lista e mizorive", që u hartua nga ministrat e Financave të Eurogrupit dhe iu dërgua kryetarëve të shteteve për vendimin përfundimtar. Reagimet ndërkombëtare ishin pjesërisht të ashpra, hashtagu #thisisacoup ("ky është puç") qe trend në twitter. Sidomos në shtypin anglosakson, si psh në gazetën Guardian, u fol për "poshtërimin e grekëve", komentatori amerikan Paul Krugman shkruante se "kjo është më shumë se hakmarrje, është shkatërrimi total i sovranitetit kombëtar."

Deri të mërkurën parlamenti në Athinë do të miratojë dhe do të çojë përpara reformat strukturore, që janë kërkuar gjithmonë dhe nuk janë vënë në jetë asnjëherë. Njësimi i taksës së vlerës së shtuar, reformimi i sistemit të pensioneve, ristrukturimi i bankave, privatizimi i rrjetit të energjisë, futja e një ligji të procedurës penale, instalimi i një kufiri për shpenzimet, lejimi përsëri në Athinë i trojkës famëkeqe, garantimi i pavarësisë së entit të statistikave - dhe më origjinalja nga të gjitha kërkesat - çpolitizimi i administratës greke.

Ministrat e financave kanë përmbledhur katalogun e plotë të reformave të kërkuara nga kreditorët që nga fillimi i programeve të ndihmave në vitin 2010, nga të cilat deri tani është zbatuar vetëm një pjesë e vogël nga qeveritë e ndryshme. Kushtet janë shumë më të ashpra se sa propozimet e fundit të qershorit, sepse kushtet ekonomike që atëherë janë përkeqësuar në mënyrë dramatike, tha nga Eurogrupi.

Grindje për fondin e mirëbesimit

Debate pati edhe për pika të tjera: Kreditorët duan t'i parkojnë pasuritë greke me vlerë prej rreth 50 miliardë euro në një fond mirëbesimi, si garanci për programin e ri të ndihmës, që do të përfshijë 86 miliardë. Si lokacion për këtë u propozua Luksemburgu, Alexis Cipras duhet të bërë rezistencë të ashpër. Propozimi mbështetet sidomos nga Gjermania dhe duhet të ketë ndërprerë herë pas here bisedimet, kështu së paku u tha gjatë natës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pohoi se pasuritë greke nuk do të arrijnë kurrë një shumë të tillë dhe mund të kenë më së shumti vlerën shtatë miliardë eurosh. Interpretimet e atyre, që ndodhin në bisedime, përcaktohen nga zëdhënës dhe diplomatë të ndryshëm, që kalojnë nganjëherë edhe te gazetarët.

Greqisë i nevojiten urgjent para

Burimet greke thonin se për Cipras është shumë i rëndësishëm premtimi për ristrukturimin e borxhit. Përveç kësaj ai nuk e do FMN-në si pjesëtar të programit të ri, refuzon zgjidhjen me fondin e mirëbesimit, dëshiron në rradhë të parë një kredi të re për raste emergjente ELA nga Banka Qendrore Europiane (BQE). Dhe kjo sa më parë, sepse bankat greke nuk kanë më para. BQE nga ana e saj e kushtëzon ndihmën e saj me fillimin e bisedimeve për një program të ri ndihme. Por më parë parlamenti në Athinë duhet të miratojë paketën dhe një sërë ligjesh për reforma. A është e mundur kjo brenda një jave? Apo duhet të bëhet më parë një ristrukturim i qeverisë, pa krahun e majtë të Syrizës?

Grexiti 5 vjeçar nuk gjen përkrahës

Nga vendimi i samitit u përjashtua që gjatë natës tullumbacja për grexitin e përkohshëm. U tha që kjo as që diskutohet për palën greke. Franca ka vendosi këtu urat për grekët. Sa e thellë është diferenca ndërmjet Parisit dhe Berlinit në këtë çështje, është heret të vlerësohet. Hollandezët nga ana e tyre mbajnë anën e përfaqësuesve të linjes së fortë veriore dhe kërkojnë ndër të tjera një rishikim të masave, me të cilat Syriza ka anulluar reformat e qeverisë paraardhëse. Këtu luftohet për çdo detaj, nga të dyja palët. Fillimisht mbetet e hapur, se si mund të rikrijohet besimi te Athina. Këto janë kushtet, të cilat kancelarja gjermane i pati cilësuar në fillim si monedhën më të çmuar.