1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bisedimet pritet të jenë të gjata dhe të vështira - Samit në Bruksel

Sot (11.12.) krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së takohen në Bruksel për takime të nivelit të lartë. Ky do të jetë samiti i fundit i BE-së nën presidencën franceze të Këshillit të BE-së.

Presidenti francez Nicolas Sarkozy duke folur në samitin e Brukselit, 14 mars 2008

Presidenti francez Nicolas Sarkozy duke folur në samitin e Brukselit, 14 mars 2008

Në përfundim të presidencës së Këshillit të BE-së, presidenti francez Nicolas Sarkozy synon të heqë nga tryeza e negociatave edhe disa çështje të vështira. Objektivi i shpallur është: arritja e rezultateve të prezantueshme në tre temat e mëdha, ekonomi, mbrojtje e klimës dhe reformë kushtetuese. Presidenti i Komisionit të BE-së José Manuel Barroso:"Ky është ndoshta samiti më vendimtar i viteve të fundit. Për mua personalisht është samiti më i rëndësishëm, në të cilin marr pjesë si president i Komisionit të BE-së. Ai do të jetë një test i vërtetë për Evropën."

Bisedimet e nivelit të lartë do të jenë sërisht një provë për Bashkimin me pyetjen se deri në ç'masë interesat kombëtare mund të harmonizohen me ato mbarëevropiane dhe sfidat globale.

Kancelarja gjermane Angela Merkel duke folur për mediat në Bruksel, 14 mars 2008

Kancelarja gjermane Angela Merkel duke folur për mediat në Bruksel, 14 mars 2008

Relativisht i pakontestueshëm duket se është reagimi i përbashkët ndaj krizës mbarëbotërore financiare dhe ekonomike, megjithë parashiket e zymta për të ardhmen. Do të diskutohet një paketë mbarevropiane në ndihmë të ekonomisë, propozuar nga Komisioni i BE-së me një shumë prej 200 miliardë eurosh. Këtu do të merren parasysh programet konjukturore ekzistuese të vendeve të veçanta anëtare. Gjermania merr pjesë me 32 miliardë euro, Franca me 26 miliardë euro.

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbetet megjithatë tejet e rezervuar në dhënien e premtimeve të tjera BE-së. Ndihma financiare shtesë do të miratohet më e herëta vitin e ardhshëm, megjithë trysninë nga Brukseli, Londra dhe Parisi.

Presidenti francez Nicolas Sarkozy, dhe kryeministri polak Donald Tusk, 6 dhjetor 2008

Presidenti francez Nicolas Sarkozy, dhe kryeministri polak Donald Tusk, 6 dhjetor 2008

Por për çështjet themelore ka unitet, u shpreh presidenti francez Nicolas Sarkozy: "Ne e analizojmë situatën ashtu si Zonja Merkel dhe dua të them se nuk ka më diferenca. Ku qëndrojnë të përbashkëtat? Së pari edhe Zonja Merkel mendon se kriza është e rëndë, këtë ajo në e ka konfirmuar. Së dyti, kancelarja gjermane e konsideron rigjallërimin e ekonomisë një nevojë aq urgjente sa në Gjermani janë marrë tashmë masa përkatëse."

Konsensusi do të jetë më i vështirë për Sarkozy-në dhe Merkel-in në objektivat e BE-së për mbrojtjen e klimës, të negociuara në mars të 2007 nën presidencës e Gjermanisë. Tani ato duhet të finalizohen. Ndër të tjera, duhet reduktuar deri në vitin 2020 me 20 për qind emetimi i dioskidit të karbonit, dhe duhet rritur me 20 për qind eficienca energjitike. Në këtë pikë priten deri në orët e para të mëngjesit negociata të vështira. Polonia p.sh. ngul këmbë në rregulla të veçanta pasi ajo deri më sot 95 për qind të energjisë e përfton nga centralet me qymyrguri. Ngjashëm pozicionohen edhe vende të tjera evropiano-lindore.

Udhëheqësit Evropianë në Brukses, 13 mars 2008.

Udhëheqësit Evropianë në Brukses, 13 mars 2008.

Në çështjen e pazgjidhur të kushtetutës së BE-së këtë fund viti duket se ka lëvizje. Qeveria irlandeze do t'ua paraqesë për herë të dytë në referendum qytetarëve marrëveshjen e Lisbonës. Pika themelore është megjithatë zvogëlimi i planifikuar i Komisionit të BE-së. Irlandezët kërkojnë të kenë një komisar të përhershëm të BE-së në Bruksel. Kjo mund të pranohej, nga kryetarët e BE-së, megjithëse jo me dëshirë, nëse ata do të vendosnin njëzëri që edhe në të ardhmen çdo vend anëtar të kishte një komisar përkatës. Presidenti i Komisionit të BE-së Barroso: "Nuk është problem të kemi një Komision me 27 ose më shumë anëtarë. Por kjo nuk është zgjidhja që parashikohet në marrëveshjen e Lisbonës, megjithëse lejohet prej saj. Pra nëse ky është një kusht i rëndësishëm për Irlandën, unë personalisht do ta mbështesja."

Një zgjidhje kompromis, kjo është e qartë. Por ajo i ofron politikanëve perspektivën e hyrjes së shpejti në fuqi të marrëveshjes së Lisbonës për reformën e BE-së. Nuk është sekret se Nicolas Sarkozy, dëshëron që të arrihen vendime konkrete në të tre fushat. Për këtë, thuhet në Bruksel, në rast nevoje ai do ta zgjasë samitin deri të shtunën në mëngjes.

DW.COM

  • Data 11.12.2008
  • Autor Susanne Henn / Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GDb2
  • Data 11.12.2008
  • Autor Susanne Henn / Bruksel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GDb2