1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Bisedimet për Brexit në Britani nuk i afrojnë pozicionet

Si do të vejë puna me daljen e dëshiruar britanike nga BE? Kryeministrat e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut shpresuan të mësojnë më shumë nga një takim me kryeministren britanike May. Me sa duket më kot.

Në Downing Street në Londër, kryeministrja britanike, Theresa May priti të hënën kryetarët e qeverisë të Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut për të diskutuar për hapat e mëtejshme përsa i përket Brexit-it. Në bisedimet për një bashkëpunim më të mirë morën pjesë kryetarja e qeverisë së Skocisë, Nicola Sturgeon, kryeministri i Uellsit, Carwyn Jones dhe kryeministrja e Irlandës së Veriut, Arlene Foster, si dhe zëvendësi i saj Martin McGuiness.

Më pas, Sturgeon u tregua "thellësisht e zhgënjyer" për takimin përgatitor për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Ajo nuk di më tepër për pozicionimin e qeverisë për negociatat për të dalë jashtë BE se përpara takimit. "Unë nuk e kam problem që të pranoj se pjesë të mëdha të takimit ishte thellësisht zhgënjyese," i tha Sturgeon stacionit SkyNews. Por ajo nuk dëshiron të shohë se si Skocia "do të zhytet në një fatkeqësi të madhe të Brexit-it".

Sturgeon bëri të ditur se Skocia do të bëjë propozime për një të ashtuquajtur Brexit të zhdërvjellët. Me këtë do të mundësohet qëndrimi i Skocisë në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian, edhe nëse pjesa që mbetet e Britanisë së Madhe del nga ky treg, tha kryeministrja. Javën e kaluar, qeveria skoceze i paraqiti parlamentit në Edinburgh një projektligj për një referendum të ripër pavarësi nga Britania e Madhe. Në vitin 2014 një hap i tillë dështoi në referendum.

Jo përjashtime për Skocinë

Në një deklaratë qeveritare në Londër para takimit qe bërë e ditur se përfaqësuesit e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut do të përfshihen në bisedimet zyrtare për Brexitin. Një zëdhënëse e May-t tha para konsultimeve se kryeministrja britanike e refuzon "idenë e një rregulli të veçantë për Skocinë". Në negociatat me BE, të cilat duhet të nisin në mars 2017, Mbretëria e Bashkuar duhet të ketë një "qëndrim të unifikuar", për t'i mbrojtur interesat e të gjithë vendit.

Zëdhënësja e Mayt i paralajmëroi skocezët që të mos e "minojnë" strategjinë britanike. Sturgeon u përgjigj që ajo "nuk mund të minojë diçka, e cila nuk ekziston". Në negociatat me BE, May kërkon të arrijë një kufizim të imigrimit. Një i ashtuquajtur "Brexit i ashpër" do të thoshte që Britania e Madhe do të shkëputej krejtësisht nga tregu i brendshëm i BE.