1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Bisedimet Kosovë - Serbi do i kryesojë Bashkimi Evropian

Ulrike Lunacek, deputete e të gjelbërve në Parlamentin Evropian, anëtare e Komisionit për politikën e jashtme, flet në këtë intervistëv për bisedimet Kosovë- Serbi dhe rolin e Bashkimit Evropian në to.

Ulrike Lunacek

Ulrike Lunacek

Deutsche Welle: Javën e kaluar Asambleja e KB aprovoi një rezolutë të re për Kosovën. Në takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të BE-së në fundjavë, e ngarkuara e BE-së me politikën e Jashtme, Catherinë Ashton i kërkoi BE-së të marrë përsipër ndërmjetësimin në bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës. Do të ketë bisedime të tilla?

Ulrike Lunacek: Po, bisedimet janë pjesë e rezolutës së aprovuar nga KB, e cila parasheh zhvillimin e dialogut midis dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë. E ngarkuara e BE-së me politikën e Jashtme Catherine Ashton ka kërkuar që rolin e ndërmjetësimit ose ai që do t`i ftojë dy palët në bisedime të jetë Bashkimi Evropian dhe jo Kombet e Bashkuara. Parlamenti Evropian përkrah plotësisht zhvillimin e këtyre bisedimeve për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy shteteve në fushat e doganave, të bashkëpunimit ekonomik, për çështjet ekologjike si uji... etj, dhe që këto bisedime të zhvillohen nën kryesimin e Bashkimit Evropian.

Deutsche Welle: Janë përcaktuar të dhënat si kur ose ku do të zhvillohen këto bisedime, ose për shembull a do të emërojë BE një ndërmjetësues?

Ulrike Lunacek: Për këto çështje është duke u diskutuar. Ne do të zhvillojmë të martën (14 shtator), takimin e Komisionit për politikën e Jashtme. Unë mendoj se do të kalojë edhe ca kohë përpara se ta dimë se kush do ta marrë përsipër këtë rol, kush do ta hedhë hapin e parë për të ftuar palët, por e sigurt është që BE do ta bëjë këtë. Për këtë kanë rënë dakord të 27 vendet. Ky është një sukses i madh sepse jo të gjitha vendet e kanë njohur Kosovën. E dyta, rëndësi të madhe ka se është krejtësisht e qartë se nuk do të kemi të bëjmë me bisedime për statusin e Kosovës dhe ndarjen e mundshme. Dhe e treta është se ministrat e Jashtëm vendosën që së shpejti të ketë një përgjigje për kërkesën serbe për tu bërë kandidat pranimi në BE. Në tetor në Këshillin e BE-së do të vendoset që Serbia të bëjë hapin e parë dhe Komisionit do t`i kërkohet që t`i japë Serbisë formularin e aplikimit.

Deutsche Welle: Por me Kosovën?

Ulrike Lunacek: Për Kosovën bëhet fjalë njëherë për çështjen e liberalizimit të vizave, një çështje që Parlamenti Evropian e kërkon prej kohësh. Komisioni duhet tani të përpilojë një road-map dhe ta prezantojë, në mënyrë që autoritetet kosovare të plotësojnë kërkesat e duhura. Ekziston po ashtu një ide si mund të përfshihet Kosova pas vitit tjetër në screening process. Nga vende të caktuara të BE-së ka përgjigje pozitive, nga Komisioni po ashtu, si dhe nga Komisari Fühle. Kjo është ajo që kërkoj dhe unë në raportin për Parlamentin Evropian. Shpresoj t`a realizojmë.

Deutsche Welle: Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar disa herë bisedime. Nga merret siguria, se kësaj herë ato do të përfundojnë me sukses?

Ulrike Lunacek: Nga fakti që u arrit që rezoluta e KB të ndryshohet, dhe që është bërë e qartë se Serbia nuk kërkon më bisedime për statusin dhe nuk kërkon më ndarjen e Kosovës. Kështu është hapur rruga për përmirësimin e marrëdhënieve. Faktikisht ekzistojnë probleme në marrëdhëniet ekonomike, për shembull Serbia bllokon pjesëmarrjen e Kosovës në CEFTA. Unë shoh një gatishmëri të Serbisë të bëjë këtë hap dhe të mos dalë gjithnjë me çështjen e statusit. Një hap pragmatik i Presidentit Tadiç, hap që unë e përshëndes.

Intervistën e zhvilloi Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 14.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PBkU
  • Data 14.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PBkU